top of page

GROTESKU - MËNYRA MË E DHIMBSHME PËR TË THËNË TË VËRTETËN

  • Aug 1
  • 3 min read

Ese letrare

GROTESKU - MËNYRA MË E DHIMBSHME PËR TË THËNË TË VËRTETËN

                 (mbi romanin "SHITËSIT E REVE i Pajtim Çaushit)

Libri i ri "Shitësit e Reve" i Pajtim Çaushit nuk është thjeshtë një roman satirik. Është një autopsi morale e një shoqërie ku gënjeshtra nuk është thjeshtë "montim" pushteti, por edhe një pranim fatkeq nga vetë njerëzit. Pikërisht këtu qëndron kuintesenca e kësaj vepre. Grotesku nuk është zbukurim artistik, por është mënyra më e dhimbshme për të thënë të vërtetën, në një realitet absurd.

Autori e prek, e kupton këtë gjë dhe ndërton metaforën e një bote, ku "retë" nuk janë dukuri të qiellit, por "shtëllungë argjendi", që shitet e blihet në tregje misterioze. Ky është "meraku" i romanit, që na ka paraqitur pendëfloriri ynë.

Dihet që retë s'mund të preken, as të zotërohen dhe nuk mund të mbahen në pëllëmbë dore. Gjithsesi, njerëzit, si të marrë, i blejnë ato edhe symbyllur. Pikërisht kështu ndodh me "helmin" propagandë dhe iluzionet e rreme. Një sentencë e fuqishme e romanit thotë:

"Nëse njëri mohon, tjetri ia kujton."

Pra, kjo është filozofia e rikujtesës. Çdo regjim, në filozofinë e tij mashtruese, përpiqet të fshijë kujtesën, sepse fshirja e saj nga memoria e bën më të lehtë manipulimin e një "populli-dele". Por kujtesa nuk është thjeshtw arkiv; ajo është ndjenjë e pasqyrim i ndërgjegjes. Ajo mbijeton te qenia, te vetë njeriu, si objekt dhe subjekt i botës që e rrethon. Dëshmitarët e gjallë janë jo vetëm historianët, por artistët dhe shkrimtarët, njerëzit me koshiencë, që s'pranojnë heshtjen për të vërtetën, e cila, edhe kur "mbulohet" e fshihet, ajo përsëri RIZGJOHET, RILIND!

Autori nënvizon:

"Njerëzit miqësohen me gënjeshtrën dhe kjo sjell verbërinë ndaj të vërtetës."

Kjo është dramë. Ky është sa paradoks, po aq edhe një dëm i madh njerëzor. Pra, bashkëjetesë me të keqen!... Shpesh besohet se fajin e kanë vetëm ata që mashtrojnë, por autori na orienton të shohim edhe anën tjetër: përgjegjësinë sociale, pse pranohet ky mashtrim? Dhe kjo është klithmë!

Gënjeshtra sot është bërë tepër moderne dhe mjaft e sheqerosur si në formë, por helm në përmbajtje. Ajo mban peng procesin, përkëdhel krenarinë deri në "mpirje". E vërteta është kokëfortë e stoike. Ajo kërkon virtyte të larta; ajo farkëtohet përmes evolimit e vetëkritikës. Prandaj shumë njerëz zgjedhin të jetojnë në oaz iluzionesh. Ata nuk i lodh e vërteta dhe blejnë mjegullnajë reje, edhe kur ato janë të mbarsura me shtrëngata.

Edhe sot ekzistojnë shitësit e reve si kalorës. Ata shfaqen në politikë, media, rrjetet sociale, madje edhe në art. Ata shesin famë pa pikë talenti, sukses qesharak, patriotizëm fals dhe lumturi pa shpirt njerëzor. Pra, dikush shet, por ama "dikushi" tjetër blen; këta janë të verbërit. Në këtë pikëpjekje romani natyrshëm na josh me fejtonin në vargjet e Ilo Hupes:

"Për xhindët, grindet, xhinitë." tek shprehja

"E veja dhe e reja, nga nepsi do t'i shpojnë sytë shoqja shoqes."

Një tablo pikante e natyrës njerëzore, ku autori nuk flet vetëm për smirën mes dy grave, por për SMIRËN si një epidemi shpirtërore. Kur MAKUTËRIA pushton zemrën e mendjen, njeriu nuk ndërton më asgjë, veç shkatërrimit. Humbet kënaqësia, nuk ndien më gëzim për suksesin e tjetrit, por vetëm zili e xhelozi, duke u mbështjellë si kërmilli në guaskën e vet. Kjo është drama më e madhe morale e çdo shoqërie; është deformimi i karakterit dhe ligësia kthehet në ves egërsie.

Autori ynë, Pajtim Çaushi dhe personazhi Ilo Hupja përdorin mjeshtërisht të njëjtën armë: SATIRËN si mjet fshikullues. Me anë të humorit brilant, ata i ngjajnë gjembit të bardhë, që të shpon pa kuptuar dhe, me buzagaz e me kulturë, të fut në molloisjen e asaj filozofie fine të kthyer në art.

Ky lloj arti e detyron syrin të nxjerrë në pah "shëmtimet" që kultivon padashje njeriu, ku fytyra të duket mirë edhe kur pasqyra është e plasaritur. Autori gjen mjete shprehëse që të qeshësh me lot dhe kështu ia arrin qëllimit të të "vrasë" me pambuk.

Prandaj romani që kemi nëpër duar është një "peshqesh" fisnik i një pende fisnike, ku letërsia e Pajtim Çaushit bëhet ELIKSIR për plagët e reja që kanë mbirë në këtë botë me drama.

Ndaj ne sot jemi të privilegjuar të flasim me dhembshuri për mikun tonë, për kalorësin e letrave shqipe, Pajtim Çaushi.

                

Korrik 2026 MIGEL FLOR

Comments


bottom of page