Nga Arjola Kondakçiu: Takim letrar te shkolla "Jaho Salihi", në Bujan të Tropojës
- May 18
- 2 min read

Pas ftesës së mësueses Bukurie Seci, emocionit tim që do takoja fëmijë në fshat, ambient te i cili jam rritur edhe vetë, e do ndaja përvojat letrare edhe në zona përtej qytetit, iu shtua edhe frymëzimi i gjelbërimit gjallërues i rrugës nga Bajram Curri deri në Bujan.
Shkolla kishte një ngjashmëri me atë në të cilën kisha bërë unë filloren, edhe pse në skaje të ndryshme të Shqipërisë. Megjithatë, sytë kuriozë të nxënësve të buzëqeshur akoma në oborr që pa rënë zilja e mëngjesit dhe mikpritja nga stafi, e cila vazhdon akoma të jetë një zakon i mirë në ato zona, më ngrohën zemrën.
Z. Petrit Prengzaj drejtori i shkollës dhe mësuesja e gjuhës Vera Hasanpapaj, më bënë një guidë paraprake brenda shkollës, nga ku binte në sy përpjekja për ta mirëmbajtur dhe zbukuruar me shkrim, art e kulturë, por ajo që më befasoi ishte Muzeu i Shkollës pasqyruar me historik në material e foto përgjatë viteve, nga ku mësova se ajo kishte qenë shkolla e parë e hapur aty (viti 1923), dhe pas kontributit të mësuesit të parë Osman Shaqiri, më vonë, nga ajo shkollë periferike kishin dalë edhe figura të njohura falë nivelit të mësimdhënies.
Këtë gjë e vura re edhe vetë gjatë bashkëbisedimit me nxënësit, të cilët në pak orë kishin bërë një përgatitje dinjitoze me interpretime të krijimeve të mia dhe pyetje shumë të mprehta, nëpërmjet të cilave shfaqën edhe vëmendjen e duhur për të vlerësuar vizitoren autore të ftuar, por edhe për të ngulitur diçka nga copëzat e përgjigjeve, të cilat mendonin se do u vlenin, përderisa ishin të etur për dije e horizont.
Vlerësimi i shkollës me "Nderi i Tropojës" në 100 vjetorin e saj (2023) dhe një foto bardh e zi e shkollës e vitit 1937 dhuruar nga një ish- nxënës që tashmë jetonte në Gjermani ishin dy vlera të shtuara, të cilave po u jap vëmendje të veçantë gjatë përmbylljes së këtij shkrimi, ndërsa në fund të takimit ku unë gjithmonë dhuroj libra në çdo shkollë ku kam shkuar për të nxitur leximin te brezat e rinj, me dëshirën më të madhe uroj që këto shkolla në fshatra edhe të thella të mos lihen në harresë, pasi akoma po më shoqëron përbrenda thirrja e mësuesve dhe ngulmimi i atyre fëmijëve për të patur vazhdimësi në këtë drejtim!
Arjola KONDAKÇIU












Comments