Pse Greqisë nuk i inetereson heqja e Ligjit të Luftës me Shqipërinë?
- Dec 27, 2020
- 2 min read
Nga Mirela Çela Jorgo
Tashmë nuk ka asnjë mëdyshje, që shkaku kryesor dhe i vetëm i mbajtjes së Ligjit të Luftës me Shqipërinë, është ai ekonomik, ose kuptuar më ndryshe, kjo është maska e hajdutërisë greke nëpërmjet këtij ligji.

Sipas ligjit grek të luftës, të gjitha pronat e shqiptarëve në Greqi administrohen e shfrytëzohen nga shteti grek. Në këto pasuri futen tokat bujqësore, trojet, objektet, fabrikat, punishtet, llogaritë bankare etj. Po ashtu sot ekziston çdo mundësi dhe bazë juridike prej shtetit grek, që emigrantëve shqiptarë në Greqi, t‘u konfiskohen ato pak prona që kanë blerë, pasuritë e tjera, pse jo edhe llogaritë bankare. Këtë e përcakton Ligji i Luftës, por, në tërësinë e interesave të dukshme e të padukshme të Greqisë, për të mbajtur në fuqi këtë ligj, qëndrojnë edhe motive të tjera me natyrë ushtarake, psikologjike, bllokuese, racore.
Sipas këtij ligji, shtetasit shqiptarë që punojnë si emigrantë në Greqi, mund të konsiderohen si skllevër pa asnjë të drejtë, që mund të trajtohen si të ketë dëshirë shteti grek, siç ka ndodhur dhe po vazhdon të ndodh me ta.
Vetëm nga viti 1925 e deri sot, me kursin e këtij viti, duke llogaritur rreth 10 milionë franga ari në vit, të marra nga administrimi i pronave të shqiptarëve në Greqi (pa llogaritur pronat e popullsisë çame dhe ato që preku Ligji i Luftës i vitit 1940), Greqia i ka përvehtësuar shqiptarëve, një shumë prej rreth 950 milionë franga ari. Në atë kohë, një frangë ari shkëmbehej me 4 dollarë.
A e dini se buxheti i Shtetit Shqiptar, ka vite që paguan shuma kolosale financiare, për të përballuar qeranë e godinës së Ambasadës Shqiptare në Athinë dhe 8 apartamente banimi të familjeve të rezidentëve të saj. Kjo ndodh në një kohë dhe kur prej mbi 6 dekadash, në qendër të Athinës, në rrugën Vasilissis Sofias ndodhet godina e ish-Legatës Shqiptare të kohës së Mbretërisë Shqiptare, godinë kjo, që është pronë historike e Shtetit Shqiptar. Që prej 64 vjetësh, pra që prej vitit 1940, kjo ndërtesë ish-seli diplomatike, ka kaluar në sekuestrim konservativ qysh prej vitit 1940 dhe sot është kthyer në muze.
Natyrisht, në krahasim me atë që kanë humbur dhe po humbin shqiptarët në Greqi, ish-selia diplomatike e grabitur është shumë pak, por që duhet kërkuar e rikthyer, jo vetëm si pronë fizike, por së pari, si vlerë historike.




Comments