top of page

Anekdoda nga Salih Zogiani

PËR NJËQIND VJET S’DO TË NA BINTE NË MEND Disa udhëheqës të Kosovës kishin shkuar në Gjakovë për ta propozuar e pastaj për ta zgjedhur një deputet. Ata gjakovarët i propozonin disa emra, po këtyre të Prishtinës nuk u pëlqenin, se nuk e përmendnin atë që e kishin planifikuar ta zgjidhnin. Dikur, mbas disa propozimeve, njëri prej gjakovarëve u tha: - A po na ndihmoni edhe ju, e ta zgjedhim bashkë? - Në qoftë se pajtoheni edhe ju, ne po mendojmë se duhet të zgjidhet filani, - u thonë këta të Prishtinës. - Pajtohemi, po qysh jo, u thonë këta, se ne për njëqind vjet nuk do të na binte ndër mend, - u thotë njëri prej gjakovarëve. XHAMIA N’TRE KAT Në anën e Kumanovës kishin dalë një shqiptar e një maqedonas që të agjitonin nëpër popull për t’i fituar votat për deputet. Shqiptari u thoshte popullit: - N’koftë se m’zgidhni, kam me ba këta e këta, edhe kam me jau maru ni xhami. Kur flet maqedonasi, edhe ai u thotë: - Kam me ba këta e këta edhe kam me jau maru ni xhami n’tre kat. Kur votuan populli, fitoi maqedonasi! Mbas votimeve pyetnin se qysh bëhet të fitojë maqedonasi ndër shqiptarë? - Ka fitu se ka me na maru xhaminë n’tre kat, - tha njëri. - Po ku ka xhami n’tre kat? - u tha një tjetër, e atëherë e morën vesh se i ka mashtruar. PO TË MOS ISHTE KËSHTU, NUK DO TË MUND TË SUNDOJA Kur kishte ardhur pasha për të parën herë në Shkup, ia kishte nisur të vendoste hyqymetin e vet. Kishte kërkuar që prej Stambollit t’ia çonin tre veta: - Një kadi, një mjek dhe një arkitekt. Kur ia çojnë ata të tre, pasha i emëron: - Kadiun në ven të arkitektit, mjekun në ven të kadiut dhe arkitektin në vend të mjekut. Po i thonë njerëzit e vet pashës: - Pashë, more, mos i ke ngatërruar, se nuk i caktove qysh duhet, secilin në zanat të vetin. - Sikur të ishte ashtu si duhet, mua nuk do të më binte hise të sundoja, e unë i caktova kështu, sepse e kam mendjen të sundoj vetë, - u thotë pasha.

ree


Comments


bottom of page