top of page

HUMOR SHKODRAN nga Hamit Taka

Atëherë punonim në Veri dhe, herë-herë, të shtunën, unë e Kristofori hidheshim në Shkodër. Atje, përgjithësisht na priste Ramizi me shoqërinë e tij. Atë të shtunë shtynim orët me një pastë e një limonatë te Kafja e Madhe. Kur dolëm jashtë ishte ora nëntë pas dite. Por kujtojmë se ishte funddhjetori.

Te hyrja e madhe, sapo dolëm, nën ballkonin e ndërtesës së famshme, mes një shiu dhe një të ftohti të padurueshëm, ia mbriti një burrë moshatar, i veshur me takëmin tradicional të Mbishkodrës. - Or burra, - filloi ai sa mbriti, – kam met jashtë, a mund me m’tregue diçka, ku me e shpëtu kët natë? - Prej nga ju kemi, bacë? – e pyeti Ramizi. - Prej Malësisë së Madhe, prej katunit Shkrel - u përgjigj baca. - Jabanxhinjtë gdhihen nëpër hotele, - ndërhyri Kristofori. - Kam shkue në dy hotele, por ishin të zanme . - Te Rozafa shkove?- përsëri Kristofori. - Ç’po thue, o Fori, ku ka lekë baca me fjet në hotel-turizëm, - ia ktheu Ramizi. Baca, me sa kuptova, kur fliste Kristofori, s’merrte vesh asgjë. Pas një dileme, duke e vëzhguar malsorin me shqetësim , Ramizi na tha. - Shkojmë, djema, kalojmë hotelet me radhë, mbase ka mbetur ndonjë shtrat pa zënë, mbase dikush është regjistruar dhe nuk kthehet për të fjetur. E mirëpritëm propozimin e Ramizit. Ai e udhëhoqi bacën brenda në kafe, e uli në një karrige dhe e porositi: - Rri këtu, bacë, pi kafen dhe mos lëviz pa ardhur ne. - Faleminderes, unë s’du kafe, - ia ktheu baca. - E porosita unë kafen, të baftë mirë dhe do ta pagujmë ne, por mos lëviz. - Këtu do të rri, s’kam ku me shkue, - ia ktheu baca. Brodhëm gjithandej, iu lutëm sportelistëve, askund s’kishte vend. Bile shkuam dhe në hotel-turizëm, edhe atje ishte cit me të huaj. - Kam një ide, - na tha Ramizi papritur. - Do ta marr bacën në shtëpinë teme sonte. Ndryshe s’gjejmë zgjidhje tjetër. I pohova me kokë, në shënjë pëlqimi. Të kënaqur nga zgjidhja shkuam te baca, i cili dremiste në karrige. Kafen, pothuajse s’e kishte prekur. - Çohu, bacë, se e kena rregullu, - e zgjoi Ramizi. - A, rregullutë diçka, a?... Po s’ia batë, bre burra? - Eja me ne, se të tregojmë atje ku do të shkojmë. Familja e Ramizit kishte një hyrje në katin e tretë të një pallati pesëkatësh. Para se të hynim në pallat, Ramizi i tha Bacës: - Bacë, sonte do të flesh në shtëpinë time, në krevatin tim, unë do të rregullohem. - Ty t’pastë baba që t’ka ba kokën dhe të rujt’ Zoti! – ia ktheu baca shumë mirënjohës. - Po dëgjo pak, bacë, - filloi prapë Ramizi, - babën tim e kanë lanë fare veshët, prandaj duhet me i folë fort, shumë fort. - Aa!... Zoti e shëroftë! Kur ngjitëm katin e dytë, Ramizi na tha ngadalë: - Unë po iki pak para, që t’i vë në dijeni, mos ta prezantojmë bacën fare papritur. Dhe i ngjiti shkallët dy nga dy. Ne pritëm pas derës së hyrjes, deri sa doli Ramizi. - Hajde, mik, mirësekeardhe!- e ftoi bacën babai i Ramizit, me zë të lartë. - Mirse t’kam gjet, zotni i nderum! – iu përgjigj baca me një zë të fuqishëm , sa kumboi pallati. E pashë se babai i Ramizit e nxiti axhën që të futej sa më shpejt brenda. -Ne po largohemi, t’ju urojmë “natën e mirë”, - i thshë Ramizit. - Po bëni pak durim, - ma ktheu ai. - Të rrnoftë ky djalë, se e ke përsëmbari! Bani ç’ast e mundun me më gjet konak sonte, -filloi baca prapë me zë edhe më të lartë. - S’ka bërë asgjë të tepërt, ka ba një zakon shqiptari, - u përgjigj i zoti i shtëpisë. -Ta rujt Zoti! I zoti i shtëpisë dhe miku shkëmbyen përshëndetje, urime dhe pyetje të rastit, duke e ngritur zërin kush e kush më lart. Më në fund babai i Ramizit i tha: - Po pse flet kaq fort, or mik, se çuam pallatin në këmbë? - Po pse, më ndigjon ti, a? - Po, s’vuaj nga veshët, të dëgjoj shumë mirë. - Po, pasha Zotin, djali juj më ka porositë të të vikas, se je i cofun nga veshët kejt. I zoti i shtëpisë vuri pak buzën në gas dhe i hodhi një vështrim qortues të birit. - Po mirë unë, se m’ka thanë djali juj se baba s’dëgjoka krejt, po ti pse vikat ma fort se unë?- ia ktheu baca. - Edhe mue më ka thanë ky cubi im se ti s’dëgjoke fare, - i shpjegoi i zoti i shtëpisë dhe përsëri vështroi me qortim ngazëllyes të birin.

Atëherë ia dhamë të qeshurës të gjithë në kor. U përfshi edhe mamaja dhe motra e Ramizit. Ishte një e qeshur ngjitëse që nuk na shqitej, sa,duke qeshur, mezi i uruam “natën e mirë!” .

Comments


bottom of page