Nga Arjola Kondakçiu: Rreth ekspozitës së piktores M. Goxhabelliu
- 7 minutes ago
- 3 min read
Marjana, një femër që guxon të kalojë përtej mentalitetit shoqëror e artistik, dhe lirinë e shpirtit që pasqyrohet edhe në sharmin e saj portretistik e shfaq në krijimet plot ngjyra e forma, ku mes trazimeve të ndjesive që shkakton vorbulla e kësaj bote, e cila prek në mënyrë të drejtpërdrejtë jetët e individëve, ajo, "AnaBela" e emrit artistik në fundin e cepit të çdo telajoje, e shkarkon me një ndjeshmëri prej artisteje në penelin e saj, duke e shndërruar mjeshtërisht në një qetësim shpirti me mesazhe që nuk i ndal as te buzëqeshja e saj e natyrshme.

Madje, kjo mund të jetë edhe një nga ngjyrat e saj sekrete: "buzëqeshja", të cilën nuk e ka ndalur as kur unë nuk kam mundur ti përgjigjem ftesave të saj për të parë studion që ka afër vendbanimit në të njëjtën lagje, dhe as nuk i ka mbetur qejfi kur nuk ka parë ndonjë përkushtim të shkruari nga unë në mënyrë specifike për punimet e saj, përveç konsideratës së shprehur nëpër postime me komente në rrjetet sociale, apo në copëzat e bisedave vlerësuese në ambiente shoqërore.
Prandaj i dua fort dhe i vlerësoj këta njerëz që përpiqen t'ia kuptojnë botën tjetrit, dhe të jenë mirëkuptues kur bëhet fjalë për frymëzim të vërtetë, si në ngjyra e në fjalë, pasi vjen jo me detyrim, por kur e ndien, dhe shpërthen në momentin e duhur, si në rastin konkret, nxitur dhe motivuar nga kjo ekspozitë, e cila në thjeshtësinë e mendimit të protagonistes, jo domosdoshmërisht duhet të ketë një titull.
Ky është pikërisht argumenti që hap derën e mendimit zhbirues, pasi ngulmimi, aftësia krijuese dhe palodhja me orë të stërgjatura që kam parë te kjo piktore gjatë bashkëpunimit për një vepër që po krijonin te studio e skulptorit të mirënjohur z. Idriz Balani kohë më parë, disiplina nxitëse për të tentuar edhe në skulpturë, me ide të reja e moderne, ka ndikuar që ta shoh më me mprehtësi vëmendjeje por edhe ndjeshmërie krijimtarinë artistike shumëdimensionale në madhësi e forma komplekse të Marjanës.

Bota e saj krijuese e orientuar dhe zhvilluar falë njohjes së kulturës së shumë vendeve ku ka udhëtuar, si turiste por edhe nëpërmjet pjesëmarrjes nëpër koloni piktorësh e me ekspozita të përbashkëta brenda e jashtë vendit, si edhe prirja për të gjetur veten e për t'u shprehur në një mënyrë që të spikaste e të ishte unike edhe në marketingun e artit me nivel, binte në sy, dhe ardhur me një pjekuri edhe në këtë ekspozitë personale, e cila u hap në Galerinë "Nikolet Vasia" në Durrës.
Hapja u bë modestist nga ish ambasadori por edhe artdashësi z. Mal Berisha, dhe kaq mjaftoi që piktorja ti ftonte vizitorët që ti shijonin vetë punimet e ekspozitës, sepse sipas saj "ato frymonin", dhe do ishte e tepër dhe disi 'mbytëse' fjala paraprake e shumë profesionistëve, ndërkohë që copëza diskutimesh mund të ndaheshin edhe aty, mes miqsh.
Dhe ashtu ndodhi, por vura re që diskutimet ndoshta ishin edhe të niveleve të ndryshme, për arsye se M. Goxhabelliu lëvronte një teknikë ndryshe nga prezantimet e mëparshme që ishin afishuar në galeri, saqë me të drejtë ndoshta herë pas here të pranishmëve u nevojitej edhe vetë interpretimi artistik nga piktorja, e cila nuk ngurronte për t'ua theksuar idetë që kishte dashur të përçonte nëpërmjet një stili të lirë e të gjallë, mes formave organike në shtresat lëvruese me ndikimin e një prirjeje kubizmi duke ndërthurur abstraksionin me figuracionin, edhe nëpërmjet materialeve të ndryshme me teknikën e gërrvishjes apo stampimit, theksimit në kontraste ngjyrash të forta ku mbizotëronte e verdha dhe e kuqja në shfaqjen e gjendjes emocionale, kafja e tokës dhe bluja e thellë e detit, apo edhe instiktit estetik duke e shprehur fuqinë e të krijuarit përtej kornizave strikte.

Ndërsa shpjegonte gjithë zell dhe me sytë që i shndrisin karakterizimet e personazheve dhe fenomeneve brenda botës së një telajoje, kurse njerëzit e dëgjonin gjithë kërshëri, mendja më çoi tek ata piktorët e talentuar që pikturojnë aq bukur në rrugët e Firences, saqë të këputet shpirti që në mëngjesin e ditës tjetër, nga lagia e shiut, zbehja e vesës së agut a makinat larëse që pastrojnë herët rrugët e qytetit, ato janë fshirë, dhe shkëlqimi i tyre ka zgjatur fare pak: në fokusimin me një foto e video, shijim të çastit o thjesht përgëzime e fjalë të mira shoqëruar me ndonjë monedhë.
Kurse arti i lëvruar nga Marjana në këtë ekspozitë shpalos më shumë se lodhjen fizike, mendore e kreative, pasi ajo krijon për një elitë të zgjedhur që e kuptojnë, e duan, e shijojnë nëpërmjet përsiatjes dhe dëshirojnë ta kenë një pikturë të sajën nëpër hapësirat arkitekturore, duke e ngulitur para syve e brenda mendjes, gjithmonë me synimin e një ambicie për të lënë në këtë lloj arti gjurmën e rikujtesës, që në këtë ngjyrim unik e ka personalizuar me emrin e artit "AnaBela".
Suksese!
Arjola KONDAKÇIU














Comments