Reduktim i ndikimit të Rusisë në Ballkan
- miremengjes.net
- Sep 16, 2019
- 2 min read
Nga Denis Korkodinov
Gjatë gjithë periudhës së historisë post-sovjetike, Rusia po kërkon të mbaje rajonin e Ballkanit larg nga ndikimi i Aleancës së Atlantikut të Veriut. Moska tradicionalisht e ka parë NATO-n si një burim kryesor rreziku për sovranitetin e saj shtetëror. Në këtë drejtim, aspirata e Ballkanit për t'u bashkuar me Traktatin e Atlantikut të Veriut shkakton nje shqetësim serioz në Kremlin.
Vlen të përmendet se që nga Lufta e Parë Botërore, Rusia ka zënë një pozitë mbizotëruese në rajonin e Ballkanit, ku formimi dhe pavarësia e shumë shteteve varej, në kuptimin e plotë të fjalës, nga vullneti i politikanëve rusë. Për këtë arsye, kur Mali i Zi dhe Maqedonia Veriore ishin një hap larg nga anëtarësimi në NATO, Moska ndjeu kërcënimin e humbjes së ndikimit të saj në Ballkan.
Kremlini tradicionalisht mendon se ekziston rreziku që aspirata për t'u bashkuar me NATO mund të përhapet nga Ballkani në Kaukaz, të cilin Moska e konsideron si një zonë të rëndësishme strategjike të politikës së saj të jashtme dhe ku humbja e ndikimit mund të ndikojë negativisht në sistemin e sigurisë së saj kombëtare.
Ndërkohë, aftësia e Moskës për të kundërshtuar përhapjen e ndikimit të Aleancës së Atlantikut të Veriut në rajonin e Ballkanit aktualisht është shumë e kufizuar. Rusia është bërë tepër e interesuar në çështjet e Lindjes së Mesme, si dhe në promovimin e interesave të saj në Amerikën Latine dhe Afrikë, dhe nuk është në gjendje t'i kushtojë vëmendjen e duhur partnerëve në Ballkan. Nga ana tjetër, shtetet e Ballkanit po manifestojnë një mosrespektim në raport me Moskën, dhe ato gjithnjë e më shumë janë të orientuara drejt Perëndimit, kjo edhe sepse Rusia ende nuk mund t'u ofrojë atyre ndonjë alternative ekuivalente.
Në mënyrë sistematike, konfliktet në Ballkan në një mënyrë ose në një tjetër ndikojnë negativisht në mbarëvajtjen e politikës ruse në këtë rajon. Disa vende të bashkësisë ndërkombëtare po përpiqen të fajësojnë Moskën për tensionet në rajon, edhe pse Rusia është më pak e interesuara për krijimin e krizave në afërsi të kufijve të saj. Mosmarrëveshjet ndër-etnike në Bosnje dhe Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë mund të bëhen një model sjelljeje për republikat e Kaukazit, përfshirë Ingushetia dhe Dagestan, dhe kjo është plotësisht e papranueshme për Rusinë. Për këtë arsye, Moska synon të mos nxisë konflikte në Ballkan, por t'i ruajë ato sa më shumë që të jetë e mundur, duke siguruar kështu stabilitetin e arkitekturës së sigurisë në rajon.
Në të njëjtën kohë, pamjaftueshmeria e mundësive për të shuar konfliktet në Ballkan krijon pengesa të rëndësishme për zbatimin e misionit Rus. Prandaj, procesi i destabilizimit të rajonit, i cili po merr një vrull, është një sfidë serioze për Moskën, që po humbet me shpejtësi ndikimin e saj në klasën politike lokale, e cila po shikon gjithnjë e më shumë drejt vendeve perëndimore. Deri më tani, ky proces është i kthyeshëm, duke pasur parasysh besnikërinë e caktuar të disa liderëve të shteteve të Ballkanit ndaj Moskës, por situata mund të ndryshojë në mënyrë dramatike në të ardhmen e afërt.
World Geostrategic Insight - https://wgi.world/
コメント