top of page

A ka mësuar stafi mjekësor të komunikojë?


Nga Marsi Simo (Sociologe)

Fatkeqësisht në jetë do kemi shumë raste ku do përballemi me mjekun, që nga ai i familjes e deri tek ata specialistë. Kemi nevojë të flasim hapur për disa probleme që hasim shpesh tek mjekët tanë. Së pari nuk dua t’i fus të gjithë në një kategori, por ama ka shumë të tillë që nuk dinë të komunikojnë me pacientët e tyre.

Madje është kthyer si fenomen sjellja harbute që hasin shumë nëna gjatë procesit të lindjes, që nga infermieret, mamitë apo dhe vetë mjekët.

Nga ana e tyre mjekët mund të justifikohen që kanë një lodhje tej mase të madhe, puna i është kthyer në rutinë, dhe shohin dhe dëgjojnë çdo ditë histori nga më të ndryshme dhe shumë të dhembshme.

Megjithatë secila prej nënave kanë të drejtë të trajtohen më së miri dhe me përkujdesje.

Nuk besoj është kaq e vështirë që sjellja dhe komunikimi i duhur të brendësohet nga uniformat e bardha.

Disa nga nënat kanë ndarë këto histori:

“Isha me dhimbjet e mia. Po bëheshin gati 8 orë që po përpiqesha dhe bërtisja nga dhimbja. Mamia që vinte herë pas here hidhte kunjat e saj: Hë si bën edhe ti, vetë e kruajte. A të deshi b.. të bëjë fëmijë, duro tani…”

“Më kujtohet ku isha në atë gjendje dhe si fëmijën e pare që prisja, isha e frikësuar. Kisha shumë dhembje dhe bërtisja. Infermierja më tha disa herë:

-Ç’ke që pëllet si lopë. Nuk flisja dot, kapërceja lotët.”

“Doktori erdhi se unë e kisha kërkuar me insistim. Futi fort gishtat e tij dhe më pa si më përçmim.

-E prit, më tha, pse për 2 orë do me lind ti…”

Nënat meritojnë më shumë dinjitet!

Ato orë të dhimbshme ikin, harrohen, nënat do merren me shumë probleme të tjera që përfshijë kujdesin ndaj fëmijës. Por mos harrojmë sa e brishtë është shëndeti i saj mendor i cili mund të ngarkohet nga çdo faktor i jashtëm, qoftë edhe nga reagimi i personelit të spitalit e me radhë. Dua shumë që të flitet më tepër për këtë çështje dhe t’ju jap kurajon që mos të pranoni asnjë sjellje të tillë nga askush.





Commentaires


bottom of page