top of page

ALIU TA KTHEN DYFISH, PO E RESPEKTOVE NJË HERË

  • Dec 25, 2025
  • 6 min read

Nga Pajtim Çaushi


1. Një portret i lakmuar nga kushdo


Një burrë i shëndetshëm, biond nga flokët e bardhosh nga fytyra, i qetë dhe me një buzëqeshje të përhershme në buzë. Fjalëpak e punëshumë. I panxituar në të folur, por i njohur për mençururi e miqësi. I drejtë e tolerant. I hapte udhë atij që i fliste goja para mendjes. Të tillë e kam njohur jo më shumë vetë, por më tepër edhe nga rrëfimet e dajos tim Myfit Bejzati me të cilin qenë lagjarë. Aliu është njeri i mirë, ta kthen respektin dyfish, po e respektove një herë, thoshte ai..

Pra, një portret i lakmuar jo thjeshtë për bukuri fizike se ajo është kalimtare, ikën shpejt si vesa, por për bukuri karakteri që mbetet për gjithë jetë.


2. Në Konispol erdhi gjashtë vjeç


Ali Cene (Memo) u lind në fshatin Lops të Çamërisë më 25 korrik të vitit 1939. Prindërit e tij quheshin Vesel dhe Usnije. Në Konispol erdhi në moshën gjashtë vjeç pas dëbimeve të dhunshme që u bënë zervistët banorëve çamë të fesë muslimane.

Ndonëse familja e tij në Lops ishte e kamur dhe me pasuri, të gjitha i mbetën atje pas atij dëbimi të befasishëm nga toka dhe shtëpia e tyre. Kjo bëri që Aliu të rritej në varfëri. Ç'mund të bënte një familje në një vendbanim tjetër pa patur rrënjën e pasurinë e vet shumëvjeçare?...

Që i vogël shkoi pas deleve. Sa u krijua kooperativa bujqësore në Konispol punoi bari me bagëti të imta. Në tufat e dhenve ka qënë shokë dhe ka punuar me barinjtë e nderuar e shumë të njohur në kohën e tyre: Lame Haxhinë, Kaso Agushin, Safet dhe Emin Vodena, Mehmet Meçen, Meto Kason e të tjerë. Duke qënë njeri i sinqertë, i papërtuar dhe hokatar të gjithë e donin dhe e respektonin.

Kur arriti moshën e martesës u lidh me Deten, një vajzë e urtë, e patrazuar dhe punëtore nga familja e Mero Hajtës në lagjen Pirrot.

- U martove Ali?... Mirë bëre, mblodhëm mendjen edhe nga ti! - e ngacmoi njeri nga shokët e tufës së kooperativës.

- Ç'të bëja o byrazer, mbahet shtëpia me një mater? - ia priti Aliu me buzëqeshje.

Lindën katër djem: Bujarin. Zyliftarin, Veselin e Muzaferin. Si dhe dy vajza: Usnien dhe Lulzimen. Të gjithë fëmijë të urtë, me edukatë, shumë punëtorë dhe të dashur me të gjithë që kanë punuar me ta dhe i njohin.


3. E o e, emrat njëlloj i kemi, po njësoj s'jemi!...


Dy nga tre dhëndurët e Mero Hajtës në lagjen tonë e kishin emrin Ali. I pari Ali Maliqi, njeri i zgjuar, i lexuar dhe i respektuar që përgjatë jetës pati detyra të ndryshme në administratën e kohës. I dyti Ali Cene (Memo), burrë i nderuar e i dashur, i humorit e i shoqërisë. Gjithë jetën punoi si bari në tufat e kooperativës e më pas të vetat. Dy baxhanakët duheshin dhe e respektonin njeri tjetrin. Mirëpo, kur ndonjë e ngacmonte Ali Memon për emrin e njëjtë me baxhanakun e madh, ky u përgjigjej:

- E o e!... Emrat njëlloj, po s'jemi njësoj. Ai është i parë, unë i dytë, ai i lapsit, unë i kërrabës, ai në zyrë, unë pas bishtit të deles... hë më thuaj ti, njësoj jemi?...

Para se të përgjigjej tjetri, Aliu qeshte dhe shtonte:

- Hë mo ti se bëj shaka, njëlloj jemi si gjithë robtë e Zotit...


4. Na shpëtoi Aliu nga burgu se atje do kalbeshim

(sipas rrëfimit të Veselit, djalit të Aliut)


Në kohën e kooperativës Aliu, bashkë me Fiqo Kason dhe Hysen Dautin, e kishin tufën e dhenve matanë klonit, afër kufirit. Pranë tyre, matanë kufirit ishte një grek. I panë ushtaret tanë dhe u akuzuan se bisedonin me banorin e vendit fqinj. I çuan në Sarandë. Kur i morën në pyetje Aliut i thanë:

- Ti bisedove me grekun se ia di edhe gjuhën, prandaj të tre do futeni në burg.

- Nuk bisedova, ne ishim katër pesë metra larg grekut, kundërshoi Aliu.

- Fiqua thotë se ishit një meter, jo pesë, ia ktheu hetuesi.

Aliu buzëqeshi dhe i thotë atij që e akuzonte:

- Pyete Fiqon sa centimetër ka metri. Po ta tha të saktë, na futni ne burg e bëni ç'të doni.

E pyetën Fiqon. Ai u përgjigj me sinqeritet se nuk i dinte centimetrat e metrit. Që atë moment i nxorrën nga Dega e Brendshme dhe i lanë të lirë.

- Na shpetoj Aliu nga burg se atje do kalbeshim, tha Hyseni pasi dolën jashtë.


5. S'është problem, kam dy Fitet unë...


Siç shënova edhe më sipër, dajkua im Myfit Bejzati fliste me shumë respekt për Ali Cenen.Ishin lagjarë të mirë dhe u shkonte bukur biseda. Eshtë burrë esnaf Likja, thoshte shpesh ai dhe tregonte për ndodhitë hokatare apo fjalët e mënçura të tij.

Aliu kishte gjashtë fëmijë. Ndodhte ndonjëherë që nuk i arrinin lekët për të nxjerrrë me bukë muajin. Për të tjerët ishte e vështirë të merrje lekë para afatit të caktuar. Disa nëpunës të zellshëm ua bënin greminë fare dhe i kthenin bosh. Por në këto raste Aliu thoshte me bindje, por edhe me shaka:

- Nuk e kam problem, marr kur të dua se kam dy Fitet unë. Po s'gjeta njerin, do gjejë tjetrin.

I pari Fite ishte kryetari i kooperativës, i respektuari Myfit Husi i cili ua zgjidhte hallet njerëzve në çast e pa i sorollatur. Fitja i dytë ishte Myfit Bejzati që punonte në llogarinë e sektorit. Edhe ai s'kthente pas asnjerin pa i mbaruar punë.


Pasi merrte paret që kërkonte (në fakt nga lekët e tij i jepnin paradhënie), Ali Cene i shkelte syrin lagjarit të tij Myfit Vejzatit:

- Po deshe ta njohësh një njeri me nge, vëre sipër në gone, ia bënte buzëgaz.


6. Ore djalë, me të poshta e të përpjeta është e gjithë jeta!...


Ishin me tufën në Brigjez. Aliu dalloi poshtë në xhade të kalonte një veturë. Ishte koha kur veturat qenë të pakta në Shqipëri. Në gjithë rrethin e Sarandës vetëm sekretari i parë i partisë përdorte një të tillë. Duke psherëtirë, ia tregoi me gisht Safet Vodenës.

- Ç'të bësh, tha, ca lehen (lindin) mbi veturë pas vetes e ca si ne pas bishtit të deles!...

Xha Safeti ishte i urtë e i zgjuar, nuk fliste kot dhe as parakohe. I buzëqeshi Aliut paqësisht duke i thënë me qetësi olimpike:

- Ç'ke o Like?... Ore djalë, me të poshta e të përpjeta është e gjithë jeta. Si njeriu mbi kalë si ai që i bie dheut me kërrabë, një fund kanë.

Aliu këtë e dinte, por i erdhi mirë që e dëgjoi nga një njeri i pjekur si Safeti të cilin e donte dhe e respektonte shumë.

7. Ti o brigadier qingjin që ha sot, e do të gjallë nesër!...


Zakonisht barinjtë, kur delja bënte qingja diarë, njeri e regjistronin e tjetrin jo. Kuptohet, në bazë të shoqërisë e besimit që kishin me shoshokun. Të dytin e përdornin me shokë ose me miq të ardhur në stan.

Në një rast, tek tufa ku punonte Aliu, shkoi brigadieri i blektorisë të sektorit. E pritën me përshesh në qumësht delje të zier taze. Pasi sosi tasin me përshesh, brigadieri i shkeli syrin Aliut.

- Hë Like, kështu pritet brigadieri, nuk keni ndonjë nga ata që dimë ne?... Apo doni t'i hani vetëm?

U kuptua qëllimi i brigadierit, i kishte shkuar mendja për mish qengji. Në anën tjetër ai e dinte që barinjtë i mbanin diarët. Deshën, s'deshën e prenë njerin dhe e hëngrën të gjithë bashkë për drekë. Brigadieri u largua i kënaqur.

Mirëpo, kur pas gjashtë muajsh erdhi me grupin e regjistruesve të numrit të bagëtive, kërkoi me forcë që barinjtë të tregonin dhe regjistronin edhe qingjat diarë. Të katër barinjtë e tufës në fillim ruajtën qetësinë duke e shikuar në sy brigadierin. Atëherë kur ai nguli këmbë për të dytën e të tretën herë, Ali Cene ia ktheu si me të qeshur dhe me të ngjeshur:

- Ti o brigadier, qingjin që ha sot e do të gjallë nesër.

Brigadieri s'bëri zë pas kësaj. Qingjin e kishte ngrënë bashkë.


8. Kujtimi i njeriut të mirë jeton gjatë.


Udhëtarë jemi në jetë. Këtë e thoshte edhe vetë Aliu sa herë e sillte rasti. Kuptohet, nëse jemi udhëtarë, atëherë udha mbaron një ditë. Ali Cene (Memo) e mbaroi udhëtimin e vet jetësor më 26 maj të vitit 2011. Iku i lënduar nga vdekja e djalit të madh Bujarit, por i dashur e i respektuar jo vetëm nga familjarët e lagjarët, por nga të gjithë që e njohën dhe punuan me të.

Kujtimi i njeriut të mirë jeton gjatë. Ali Cene ishte njeri i mirë ndaj dhe kujtimi i tij do të jetojë gjatë në memorien e bashkëqytetarëve konispolit .

Tiranë 25 dhjetor 2025

bottom of page