top of page

Martin Cani, 14 vjeç: Një tragjedi që na akuzon të gjithëve

Nga Tanush Çaushi


Një thikë. Një sherr i zakonshëm mes bashkëmoshatarëve. Një jetë që shuhet afër oborrit të shkollës. Kjo është historia e Martin Canit, një djalë 14-vjeçar, që iku shumë herët nga kjo botë, jo për faj të tij, por për fajin e një sistemi që heshti. Ky nuk është vetëm një rast i izoluar, por një reflektim i asaj që ndodh kur një shoqëri e tërë mbyll sytë ndaj dhimbjes, konfliktit dhe rrezikut.

Konflikti mes dy adoleshentëve ishte i njohur. Shokët e klasës e kishin parë, e kishin dëgjuar. Madje dhe mësuesit e dinin, por askush nuk bëri asgjë. Heshtja e tyre, ndoshta e justifikuar me frazën e zakonshme "janë veç fëmijë", u kthye në një gabim fatal. A nuk është detyra e shkollës të mbrojë nxënësit e saj? Pse nuk pati asnjë raportim, asnjë ndërhyrje? Të gjithë që heshtën, në një mënyrë a tjetër, ishin pjesë e zinxhirit që çoi në këtë tragjedi.

 

Një shtet mungon gjithmonë


Tirana, si çdo qytet tjetër shqiptar, ka shkolla pa roje sigurie, pa kamera, pa asnjë mekanizëm kontrolli.

Si mund të hyjë një 14-vjeçar në një mjedis shkollor me një thikë? Ku janë patrullat e policisë? Ku është SHISH, që duhet të parandalojë kërcënime të tilla? Institucionet tona janë kthyer në reaktive – gjithmonë të vonuara, gjithmonë duke reaguar pasi ndodh tragjedia. Por një jetë 14-vjeçare nuk mund të rikthehet më.

 

TikTok-u dhe glorifikimi i vdekjes

Vetëm disa orë pas tragjedisë, një tjetër 16-vjeçar, i cili jeton jashtë Shqipërisë, poston një video ku përgëzon autorin e vrasjes dhe bën thirrje për më shumë dhunë. Komentet janë të shumta: disa e kundërshtojnë, por shumë të tjerë e ndjekin. Nëse rrjetet sociale janë bërë burimi kryesor i influencës për të rinjtë, atëherë pse nuk ka mekanizma mbikëqyrjeje? Pse këto platforma nuk mbajnë përgjegjësi për përhapjen e mesazheve që nxisin urrejtje dhe krim?

 

Një shoqëri dështon


Kjo ngjarje është një aktakuzë jo vetëm për shkollën dhe shtetin, por për të gjithë ne. Si prindër, shpesh dështojmë të edukojmë fëmijët tanë me vlera. Si shoqëri, dështojmë t’u mësojmë atyre empatinë, respektin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve. Martin Cani nuk u vra vetëm nga një thikë; ai u vra nga një kulturë që toleron dhunën dhe nga një sistem që nuk reagon derisa të jetë shumë vonë.

 

Kush mban përgjegjësi?

Janë shumë elemente në këtë histori:

E para ishte shkolla, që nuk ndërhyri për të adresuar një konflikt të njohur.

Së dyti Policia dhe SHISH, që nuk parandaluan një akt dhune në territorin e tyre.

Së treti Rrjetet sociale, që i lejojnë të rinjtë të glorifikojnë krimin dhe dhunën.

Së katërti prindërit dhe shoqëria, që shpesh i lënë të rinjtë të përballen vetëm me emocionet dhe konfliktet.

Martin, një emër që s'duhet harruar

Martin Cani është tashmë një simbol i të gjitha jetëve që mund të shpëtoheshin, por nuk u shpëtuan. Ai ishte një djalë me ëndrra, me shpresë, me një të ardhme që u ndërpre në mënyrë brutale. Për një "pse më shikon" të pakuptimtë. Për një thikë që s’duhej të ishte kurrë në duart e një fëmije.

 

A do zgjohemi?

Në një vend ku tragjeditë ndodhin çdo ditë dhe harrohen një javë më pas, vrasja e Martin Canit duhet të na zgjojë.

Nuk mjafton të mbyllim TikTok-un apo të bëjmë fushata sensibilizimi për disa ditë. Nevojitet një revolucion: në sistemin arsimor, në ligjin për rrjetet sociale, në angazhimin e institucioneve dhe prindërve. Çdo ditë që kalon pa veprim është një rrezik për një tjetër Martin.

Nëse nuk veprojmë tani, nëse heshtim, ne do të jemi po aq fajtorë sa thika që ia preu jetën.

Comentários


bottom of page