Refik HASANI: "Shqiptarët nuk mund të shërbejnë në ushtrinë Serbe"
- miremengjes.net
- Sep 28
- 2 min read
Intervistë Ekskluzive me Refik Hasanin, publicistin dhe veprimtarin e njohur
(realizuar nga Gëzim Mekuli, MekuliPress, 25 shtator 2025)

Refik Hasani ka dhënë një intervistë ekskluzive për gazetën MekuliPress, lidhur me rifillimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, i cili pritet të zbatohet nga 1 janari 2026. Ky zhvillim ka ngjallur shqetësime të mëdha në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc, rajone të banuara me shqiptarë, për shkak të kujtimeve tragjike nga e kaluara dhe trajtimit diskriminues në ushtrinë jugosllave.
Hasani paralajmëron se ky hap i Serbisë është një tjetër përpjekje për të ushtruar presion dhe për të nxitur shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ai rikujton faktin e rëndë se gjatë viteve ’80, 135 ushtarë shqiptarë iu kthyen familjeve në arkivole, shpesh të regjistruar si “vetëvrasje”.
Pjesë nga intervista:
MekuliPress.com: Parlamenti dhe Qeveria e Republikës së Serbisë janë në përfundim të përgatitjeve për rifillimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, i cili pritet të zbatohet nga 1 janari 2026. Si e komentoni këtë zhvillim?
Refik HASANI: Është e vërtetë se ky shërbim po rikthehet për të shfaqur Serbinë si superfuqi në rajon. Por për ne shqiptarët, ky vendim sjell frikë dhe kujtime të hidhura: të rinjtë ktheheshin në arkivole. Sot, rinia e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit do të përballet me të njëjtin presion. Përveç diskriminimit në gjuhë, arsim, shëndetësi e përfaqësim institucional, ata do të detyrohen të shërbejnë në një ushtri që nuk i përfaqëson.
MekuliPress.com: A mendoni se ky shërbim i detyrueshëm do të nxisë shpërnguljen?
Refik HASANI: Pa dyshim. Rifillimi i shërbimit ushtarak do të jetë një shkak plus për shpërnguljen masive të shqiptarëve nga kjo krahinë. Serbia po përpiqet të realizojë pastrim etnik dhe asimilim përmes kësaj politike. Nëse deri dje mungonin universiteti, spitali, dhe pranohej diskriminim në çdo segment të jetës, sot kjo masë është edhe një arsye më shumë për largimin e rinisë shqiptare.

Hasani thekson se kjo krahinë shqiptare është rajoni më i pazhvilluar në Europë, dhe se problemi nuk është vetëm çështje e brendshme e Serbisë, por një çështje evropiane që kërkon zgjidhje të drejtë.
📌 Intervista është realizuar nga Gëzim Mekuli, Editor në MekuliPress.com
🗓️ 25 shtator 2025
Comments