Njeriu që fliste me valle (Për të pashoqin valltar Taip Madani)
- miremengjes.net

- Aug 28
- 3 min read
Nga Hekuran Halili
Kur më del në ëndërr Taip Madani, nuk mund të mos e ripostoj këtë shkrim, të cilin e shkrova sapo mora vesh lajmin e ikjes së tij pa kthim dhe që ja lexova tek koka në varrim.
U prehsh në parajsë, Taip Madani! Vallzoftë shpirti yt me retë dhe me yjet!
Valltari i pashoq i Çamërisë
Çamëria ka pasur, ka dhe do të ketë shumë valltare e valltarë të talentuar, sepse është djep i këngës dhe i valles. Por, si Taip Madani kanë qenë të rrallë, për të mos thënë unik. Pa e tepruar, mund të themi se Taipi ishte një Osman Taka i dytë, një valltar që historia nxjerr vetëm një herë në 200 vjet. Jo më kot shpesh i thoshin edhe Taip Taka**.
Për Osman Takën, valltarin legjendar të Çamërisë dhe Perandorisë Osmane, janë thurrur këngë, janë shkruar tregime e poezi. Ja dy vargje të një poezie të bukur për të:
“Djalë që për trupin tënd të bukur
Flitej kudo në Çamëri...”
Ashtu siç vallja çame flet me trup, me lëvizje, me mimikë, me muzikën që e shoqëron, edhe Taip Madani fliste me të gjithë qenien e tij.

Vallja që bëhej shpirt
Trupi i Taipit këndonte dhe vallëzonte, fytyra e tij engjëllore këndonte dhe vallëzonte, zemra dhe shpirti po ashtu. Edhe rrobat e tij dukeshin sikur këndonin kur hidhte vallen. Ai vetë ishte këngë, ishte valle e pambarimtë, një krijesë e jashtëzakonshme njerëzore. Tingujt e muzikës dashuroheshin me të, ashtu siç dashurohej ai me to.
Këmba e tij ishte e lehtë si krahu i zogut në fluturim; dheu ku shkelte çelte lule. Me Taipin dashuroheshin edhe gurët e sokakut, edhe drurët që ai mbillte me kujdes si agronom i përkushtuar.
Por mbi të gjitha, me të dashurohej publiku. Në çdo sallë e shesh, njerëzit qanin, qeshnin, gëzonin dhe vallëzonin bashkë me të. Kur ai mbaronte vallen, shpërthenin thirrjet: *“Përsëri, përsëri, përsëri!”*
Zëri i Çamërisë
Nga Shalësi i Konispolit deri në Tiranë, nga festivalet e Gjirokastrës deri në skenat e Europës, Taip Madani hodhi vallen çame duke e ngritur në një nivel të ri. Në vitet ’70–’80, me vallet e papara të grupit çam të Konispolit dhe me këngët e grupit të Rogozhinës, u rilind dinjiteti, tradita dhe historia e një krahine të martirizuar.
Vallja e Taipit dhe kënga e Refatit nuk ishin thjesht folklor apo zbavitje. Ato u bënë **zë i fuqishëm i Çamërisë**, dëshmi e padrejtësive, shpresë dhe krenari për një popull të tërë. Përmes tyre, Çamëria foli, u ngrit dhe u bë pjesë e ndërgjegjes kombëtare.
Për dekada, Taipi punoi me dhjetëra të rinj e të reja, duke u mësuar vallen çame dhe duke i përfshirë në asambletë e tij. Ai u nderua me tituj e çmime brenda dhe jashtë vendit, si një nga valltarët më të rrallë të skenës shqiptare.
Ikja dhe përjetësimi
Fatkeqësisht, Taip Madani u nda nga jeta para kohe, duke na lënë një dhimbje të madhe. Por, që nga ora e parë e ikjes, nisi edhe përjetësimi i veprës së tij, i cili do të rritet ditë pas dite.
Ti ike...
Na le pa fjalë në gojë.
Ç’valle le pa kërcyer?
Ç’pemë le pa mbjellë në oborr?
Mos ndoshta u bëre hark ylberi,
Apo re e bardhë në qiell...?
Me humbjen e tij, Çamëria humbi një pjesë të shpirtit të saj, vallen. Por ai do të mbetet gjithmonë mes nesh, në mendje, në festa, në valle, në kujtime.
Vallzoftë përherë shpirti i tij mes nesh!





Comments