top of page

Një jetë për të tjerët: Historia e doktoreshë Dritës që nuk harrohet

  • 1 day ago
  • 3 min read

Nga Bardhyl Bejko


Përse ike kaq shpejt, doktoreshë Drita…

Përse ike kaq shpejt, doktoreshë Drita, me atë buzëqeshje dhe dritë në fytyrë që e ndriçonte çdo njeri që të afrohej? Ishte një dritë e rrallë, që nuk vinte vetëm nga profesioni, por nga shpirti yt i pastër.

Drita Ademi lindi në familjen Korça në Konispol, bijë e Faikut dhe Iles. U rrit në një familje të respektuar, ku vlerat njerëzore ishin themel. Faiku njihej për idetë liridashëse gjatë luftës për liri, ndërsa Ileja për përkushtimin dhe mirësinë e saj si nënë.

Katër motra, njëra më e mirë se tjetra — vajza të admirueshme, të respektuara nga gjithë bashkëqytetarët. Drita ishte ajo që ndoqi e para ëndrrën për t’u bërë mjeke, duke nisur studimet në vitin 1971.


Zgjedhja për t’u kthyer dhe shërbyer

Pas përfundimit të fakultetit si mjeke e përgjithshme, ajo zgjodhi të kthehej në Konispol. Nuk ishte një zgjedhje e zakonshme, por një thirrje e brendshme: të shërbente aty ku ishte rritur.

Fillimisht punoi për dy vite në zonën e thellë të Markatit, dhe më pas për rreth katër dekada në spitalin e Konispolit. Këtu u formua profesionalisht dhe u kthye në një figurë të dashur për çdo familje.

Me profesionalizëm dhe dhembshuri, doktoreshë Drita priti dhe përcolli mijëra pacientë nga foshnjat deri tek të moshuarit mbi njëqind vjeç.

Dita e saj niste herët dhe përfundonte vonë. Telefoni i shtëpisë nuk pushonte kurrë. Në çdo thirrje për urgjencë, ajo nisej pa hezitim drejt fshatrave të largët, në shi, në borë, në çdo orë të natës.

Për të, mjekimi nuk fillonte me ilaçin, por me fjalën.

Me kurajon.

Me urtësinë.

E heshtur, e thjeshtë, gojëëmbël, kështu e njohën të gjithë. Dhe siç kishte emrin, Drita rrezatonte mirësi kudo.



Një figurë që bëhej familje për të gjithë

Ishte më shumë se mjeke. Ishte nënë për të vegjlit, motër për të rriturit, bijë për të moshuarit.

Kurrë nuk tha “nuk kam kohë”.

Shpesh prishte gjumin për të mbajtur zgjuar një jetë.

Kishte net që qëndronte pranë pacientëve si një dritë që nuk fiket, derisa ata të shpëtonin.

E barabartë për të gjithë, e përkushtuar deri në dhimbje, fitoi zemrat e bashkëqytetarëve sepse i deshi me shpirt.

Drita u martua me Safet Ademin, mësuesin e apasionuar dhe modelin e dijes. Nga kjo martesë lindën tre fëmijë: Erjoni, Ermali dhe Erjola.

Ata ndoqën rrugën e prindërve me përkushtim dhe dinjitet, duke u bërë qytetarë model, ashtu siç i edukuan.


Një përshëndetje që nuk harrohet

Çdo mëngjes, kur kalonte në lagjen “Shehat” drejt spitalit, të gjithë e përshëndesnin:

— “Mirëmëngjes, doktoreshë!”

Dhe ajo ndalej gjithmonë.

E kthente përshëndetjen me atë buzëqeshje që i buronte thellë nga shpirti.

Asnjë pacient nuk largohej i trishtuar.

Sepse bashkë me stetoskopin, ajo sillte zemrën e saj.

Fjalët e saj mbetën në kujtesën e shumëkujt:

— “Mos u tremb, zemra ime…”

— “Do jesh qiqër nesër…”

— “Jemi bashkë deri në shërimin tënd të plotë…”

Këto nuk ishin vetëm fjalë. Ishin terapi. Ishin besim. Ishin jetë.

Ajo u njoh jo vetëm në Konispol, por edhe në Janjar dhe më pas në spitalin e Sarandës, ku shërbeu me të njëjtin përkushtim dhe profesionalizëm.

Nuk i pa kurrë pacientët nga duart.

Përkundrazi, shpesh ndihmonte të varfrit me çfarë kishte në çantën e saj.

Ishte një simbol i humanizmit, një figurë që të kujtonte Nënë Terezën.


Sprovat dhe ndarja e dhimbshme

Vitet e fundit kaloi momente të vështira. Vuajti nga sytë dhe diabeti. Ajo që shpëtoi kaq shumë jetë, nuk arriti dot të shpëtojë të vetën.

Dhe kjo na dhembi të gjithëve.

U shua një dritë njerëzore.

U rrëzua një ikonë e mirësisë.

Iku një njeri i rrallë.


Një dritë që nuk shuhet

La pas një familje të mrekullueshme, bashkëshortin Safet, fëmijët, motrat, nipërit dhe mbesat — dhe një boshllëk që nuk mbushet.

Thuhet se njerëzit e tillë nuk ikin kurrë.

Dhe është e vërtetë.

Sepse për sa kohë do të ketë jetë mbi këtë tokë, doktoreshë Drita do të jetojë mes nesh — në kujtime, në mirënjohje, në çdo jetë që ajo shpëtoi.

Nga parajsa, ajo do të vazhdojë të buzëqeshë… me atë dritë që nuk shuhet.


Vetëm një dhimbje na mbetet:

"Shumë shpejt shkove tek engjëjt, doktoreshë Drita…

E paharruar përherë, doktoreshë Drita Ademi Korça."

Comments


bottom of page