Për Vullnetin tonë të paharruar, Lamtumirë i miri ynë - Baca i shokëve
- 6 minutes ago
- 4 min read
Mëngjes i pesë qershorit
Zilje në celular. Shikoj, vëllai. Ndiej turbullim. Ç'është kjo zile në pikë të mëngjesit?... Ende herët, ora gjashtë e tridhjet. Baftjari foli me zë të mekur, të ngashëryer:
- Neti na la!...

Ngriva në vend. Gjithë qënia u mpi e u ngjeth. Si ka mundësi?... Ai dje bëri analizat, i dolën mirë... Mbrëmë fola gjatë... Ç'ndodhi papritur?...
U ktheva me nxitim në shtëpi, isha për udhë. Neti ynë i shtrenjtë na kishte lënë...
Udhës për në Konispol mizëri kujtimesh, bisedash e humor në vite. Falët e fundit që dëgjova prej tij mbrëmë.
O Pajto, e ndiej... s'jam mirë!...
Eh zëri i tij i dashur, si një shenjë në errësirë!...
Për tetorin e lindjes
Vullneti u lind më 14 tetor 1959. Për muajin ai thoshte tre vargje me humor:
Udhëheqësit e vendit vetëm tetori i gjeti.
që nga Ismail Qemali, Mbreti,
Enveri, Ramizi, Saliu deri... tek Vullneti!
U rrit i shëndetshëm, bukurosh. I saktë dhe i fortë fizikisht. Ishte fëmijë i qetw, jo qaraman. Nanë Fetja i fliste Netuli. Hidhet (rritet) me ditë, thoshte nëna.
Qejfi i tij deri vonë ishte që t’u ngulte mjekrën fort të tjerëve në pjesë të ndryshme të
fytyrës. Këtë e bënte jo vetëm me të familjes, por edhe me të tjerë që vinin në shtëpi.
Në shkollë fillore kishte dëshirë të lozte mundje me bashkëmoshatarët.
Me shokët e klasës e më vonë të punës krijonte lidhje miqësie të forta. I donte dhe e donin, i respektonte dhe e respektonin.
Absurdi i imponuar
Për vijimin e arsimit të mësëm, Neti dhe shoku i tij Hidajet Tatari, krijuan një skenë groteske. E filluan që ditën e parë dhe e ndërprenë në që në muajin e parë.
Arsyeja ishte absurdi i shtetit të kohës. Nëse nga fëmijët e familjes ishte marrë një e drejtë studimi për të lartën, apo kishe cen në biografi, s'mund ta vazhdoje të lartën. Të dy qenë fëmijët e pestë të familjeve. Pra, s’kishte asnj lloj shprese për ta!...

Vendosën të punonin në kooperativë. U bënë qerrexhi!...
Filluan punë. Qenë ende fëmijë. Brigadirët u dhanë nga një qerre secilit. Transportonin materiale të ndryshme...
Aventurë adoleshentësh. Ndërhyrja e fortë e familjeve bëri që t’u ktheheshin rishtas bangave të shkollës. Neti mbaroi të mesmen bujqësore.
Kutia e florinjtë e Xhixhisë
Në këta vite mësoi të pinte duhanin. Kuptohet, fshehtas babait. Më pas e la. E përmendim këtë pasi ka të bëjë me një tjetër detaj përsëri komik. Kur Netit i vinte për cigare e s'kishte ku të gjente, shkonte tek xhaxha Mehmeti. Nga ai s'ndiente ndrojtje. Fjalët standarte mes tyre qenë këto:
- Hë mo xhixhi, ç’bën?
Xhaxhai tundte kokën, nënqeshte se ia dinte zakonin dhe ia kthente:
- Hajde Neti, hajde, e di, t’u ça hunda për duhan!
Neti afrohej, bënin toka si miq, i ulej në krah dhe i thoshte:
- Xhixhi, ku e ke atë kutinë e florimtë?
Xhixhia nxirrte kutinë e duhanit dhe ia jepte. Nipi një e dridhte
dhe e pinte. Një tjetër e dridhte dhe e mirrte me vete për më pas.
Baca i ka të rrallë shokët
Fjalët i ka patur përherë të pakta, punët të shumta. Të gjithë e dinin, nëse Netit i kërkoje një ndihmë të sinqertë dhe kishte mundësi për ta bërë, ai të përgjigjej:
- Po ore, do bëhet se s'bën!...
Po t'ia përsëritje për herë të dytë kërkesën, përgjigja do të ishte e prerë:
- Pse ma përsërit?... U tha, u bë!
Të shumtë qenë shokët e punës në polici që erdhën për ngushëllime. Të gjithë fjalët më të mira e të ngrohta për Bacën e tyre. Kështu e thërriste miqësia e tij e shumtë. Jo nga mosha, por nga respekti. Kujtuan detaje e ngjarje, psherëtinë dhe u përlotën.
- Me Bacën nuk prishej askush. Ishte i qetë, i afruar e përherë humor me të gjithë...
- Na thoshte gjithmonë Baca... Të bëjmë punën si duhet bërë e pastaj hamë, pimë e hedhim valle po deshët ju.
Edhe eprorët e vlerësonin dhe e donin shumë. Ata ia përcillnin njeri tjetrit respektin që kishin për tiparet dhe punën e pastër të këtij punonjësi policie me shumë dinjitet dhe ndershmëri.
- Vullneti s'di të luaj me fjalë si shumë të tjerë. Po të dha fjalën, mblidhe mendjen dhe shko i qetë... Baca i ka të rrallë shokët.
Lezeti dhe humori i familjeve tona
Gjithë brezi pasardhës i familjeve tona e donte dhe e respektonte shumë Netin tonë të mirë. Në veprimtari të ndryshme familjare që ndodhnin shpesh, Neti ishte lezeti dhe humori, valltari dhe këngëtari... Gjithë të rinjtë dhe fëmijët prisnin me gëzim veças këcimin që bënte Neti nën shoqërinë e këngës së Xhirxhilesë. E lozte më vete dhe nxiste të tjerët për ta shoqëruar. Gjithë sheshi apo salla mbushej plort me kërcyes gazmorë të valles që dirigjonte Neti ynë i paharruar.

Kur u largova në Sarandë e më pas në Tiranë, flisja shpesh në celular me vëllain. Fjalët e tij të përhershme në fund ishin të theksuara fort:
- Jepu të fala të gjithë tanëve në Tiranë... Mos harro, të gjithëve!
Dhe unë ua jepja të falat sa herë i takoja. Ata i prisnin me dashuri dhe mall të falat e tij.
Lamtumirë vëllai ynë i paharruar!..
E megjithatë, segmenti i jetës së tij u sos para kohe. Ai u ndërpre në mëngjesin e datës 5 qershor të vitit 2026. Mëngjes i trishtë me re të zbehta në cepat e qiellit. Iku në tejjetë i qetë, pa zhurmë, pa munduar askënd qoftë dhe për një gotë ujë.
Neti e la këtë jetë në orën pesë të mëngjesit. I ulur mbi divan me bërrylin e mbështetur tek cepi i karrikes. Dukej sikur flinte. Jo dukej, ashtu ishte. Por jo në gjumin shplodhës të natës. Shpirti i tij i pastër ëngjëllor kishte fluturuar drejt qiejve të Parajsës për t'iu bashkuar grupit të ëngjëllorëve tanë atje me emrat e bukur Mimoza, Rovena, Mujo, Pëllumbi, Keli bukuroshi...
Kuptohet, bashkë me ta edhe shumë të tjerë të ikur në vite e dhjetra vite. Të gjithë na sjellin lëndim e dhimbje të thellë...
Lamtumirë vëllai ynë i mire, Baca i shokëve!..
7 qershor 2026.





Comments