top of page

27 Qershori i Përgjakur në Çamëri

  • 2 days ago
  • 6 min read

Dy pjesë nga romani “Robina e Engjëve”

Autor: Pajtim Çaushi


I ra robit, e duroi...

(në sytë e përlotur të një fëmije)

Ëngjëll Dosja:

Çudi, si mund të ndodhin këto midis njerëzve?... Po me ju të mbeturit nga Paramiti i vrarë, ç'ndodhi më tej, shpirti Fatë?

Unë:

Të mbeturit nga Paramiti qenë pjesa më e pafuqishme. Pasi ishin vrarë djemtë e rinj dhe burrat, merret me mend ç'kishin mbetur. Fëmijë, gra e pleq pa fuqi e pa shpresë në sy.

Pikërisht këta u morën me varrimin e qindra kufomave atë ditë lemerie. Nana tha për dy të vrarët tanë të hapnim vetëm një varr.

Ashtu u bë. Babai dhe vëllai u kallën bashkë në një gropë.

Vajtimet e asaj dite s'mund të thuhen me gojë.

Çdo shtëpi pati të vdekurit e vet. Çdo familje qe në mort.

Gjithë qyteti ishte përmbytur me lotë e vaje.

Dhe kur qanë tërë qyteti, vetiu krijohet pamja e një kori të madh vajtojcash që s'është parë kurrë ndër njerëz.

Por lotët e klithmat nuk i ngjallnin dot të vrarët tanë. Ata shkuan në jetën e tyre të vërtetë, shpëtuan nga hallet e jetës gënjeshtare.

Engjëll Dosja:

Po ju të gjallët si arritët të dilnit nga e keqja e madhe që u gjeti, shpirti Fatë?

Unë:

Në njerëz përsëritet një e thënë e vjetër për të keqen, o ëngjëll. Dhe nga përsëritja e bërë në vite, ka mbetur si këngë shprese.

I ra ujit, e shterroi...

I ra gurit, e thërmoi...

I ra zjarrit dhe e shoi...

I ra robit, e duroi...

Ç'do të bënim?...

Si do të vente filli i jetës pasi na kishin vrarë e prerë në shtëpitë tona burrat e djemtë?...

Urdhëri ishte të mos lëviznim nga shtëpia.

E ku të shkonim edhe sikur të donim ne të zezat?...

Qemë pa krah e s'kishim ku të përplaseshim.

Pasi perëndoi dielli vajtimi u ndërpre në gjithë Paramitin. Kështu është tradita. I vdekuri nuk qahet natën, se nata është krijuar nga Zoti për të vërejtur ditën. Nëse vepron ndryshe bën mëkat. Nata është për qetësimin e shpirtërave. Ditën qaj sa të duash, pas muzgut jo.

Sipas lidhjeve, afërsive e miqësive familjare njerëzit u mblodhën me njëri-tjetrin për ta kaluar këtë natë vetmie.

Në shtëpinë tonë si fillim erdhi hallë Safua me të sajët. Kur muzgu mbuloi Paramitin edhe familjet e dy fqinjëve tanë, të Nadires dhe Xhires. U bëmë mbi njëzetë shpirt. Megjithëse qemë shumë, rrinim gjithë bashkë në të njëjtën dhomë, atë të katit të parë.

Një hije frike e jojetës dukej sikur na ndiqte. Ajo na krijonte mornica e të ngjethura në kurm. Na kalonin dallgë-dallgë si rungala ftohtësie herë nga kurrizi e herë nga barku. Afroheshim me njëri-tjetrin e na dukej sikur ashtu ishim më të sigurt e s'mund të na arrinte hija e keqe e të ligut.

U përsëritën disa herë të njëjtat psherëtima.

— Të zezat ne... ç'na gjeti!...

— Të shkretët fëmijët tanë...!

U fshinë lotët e nxjerra pa zë me cepat e shamive të kokës. Më pas një heshtje vuve. Meqenëse po zgjatej, u duk jo vetëm e mërzitshme, por edhe kërcënuese.

— Do na thahet barku, do na thahen djepet, moj motra, e prishi heshtjen teto Xhirja.

— Do na thahen të gjitha thuaj, foli me pakëz humor hallë Safua e cila njihej si një grua që bënte hoka edhe në ditët më të zeza të jetës së saj.

Dhe ditë të tilla s'ka patur pak. Për një djalë dhe një vajzë, të dy të vdekur në moshë pesë e gjashtë vjeçare, nxirrte ofshama gjithmonë nga shpirti. Megjithatë mbahej e fortë duke e marrë jetën ashtu siç i vinte.

Unë në atë kohë i kisha lënë të trembëdhjetë vjeçët e kisha hyrë në katërmbëdhjetë. Shumë biseda i kuptoja, sado me nënkuptime të bëheshin. Edhe tharjen e çdo gjëje e kuptova.

M'u krijua një shije e hidhur në shpirt...


Shpjegime

* rungala – rrymë e ftohtë lumore

* vuve (e folmja çame) – memece

Ku janë njerëzit e Paramitit sot?...

(në ndjesitë njerëzore të një të rrituri)

Flitej se rrotull mureve të oborrit të xhamisë vërtitej një hije. Nuk përcaktohej. Ishte njeri-hije, hije-njeri apo thjesht hije. Kjo jo se kish perënduar dielli e s'dallohej mirë, por nga trajtat e çuditshme të dukjes.

Merrte forma të shpërfytyruara.

Disa thoshnin se kur shfaqej më qartë i ngjante shumë pamjes së xha Fanit. Veç më i mpakur e i drobitur.

Shtjella e hamendjeve të grave e të fëmijëve të mbetur pas masakrës shtyhej edhe më tej. Duke arnuar copat e rrëfimeve endacakë, u sajua ndodhia e dhimbshme që atë natë tregohej ngado...

Xha Fani kur mori vesh se i biri Jani, pat vrarë Bardhin e komshiut, u bë si zogu kur i presin kokën. Pikë gjaku nuk i kishte mbetur në fytyrën e rreshkur nga mosha e vuajtja.

Thanë se kishte përplasur kryet në mur. Ishte xhindosur nga turpi, dëshpërimi e dhimbja.

Bardhin e donte më shumë se fëmijët e tij.

Mori një armë të vjetër që e mbante të fshehur në hatullat e shtëpisë. E shikoi gjatë atë si të ishte një qenie e humbur me të cilën ritakohej pas shumë vitesh. E fërkoi lehtë me pëllëmbët e ashpra prej kallove. Iu bë sikur përkëdhelte një qenie të gjallë për të cilën e kishte zënë malli i mungesës së gjatë. Mandej e hodhi në krah...

Në rrokopujën e përgjithshme ku kacavirej iu duk se rinisi të lëvizte. Tanimë jo me vrap, as me hap, por duke u zvarritur. Fuqitë po e linin e pjesët e trupit revoltoheshin duke e braktisur njëra pas tjetrës.

Përplaste kokën nëpër degë drurësh, por nuk ndiente dhimbje...

I çirrte shputat në gjembat e ferrave, por s'kuptonte asgjë...

I gjakoste krahët e gishtat, por nuk shihte gjak...

Ndonëse veshët gjëmonin, goja u grahte këmbëve për t'u bindur...

— Ej ti plak, nga ferri paske dalë kështu? – dëgjoi ca zëra tallës.

— Jo more djem, atë derë unë s'e njoh e s'jam për të...

— Ha ha ha, plak qerata... Po ç'do këtu, o plak? – pyetën.

— E kam edhe unë një punë se kot s'kam ardhur...

— Po këtë armë me rrip të gjatë për cilin e ke, o plakush?

— Për tim bir, për kë tjetër, po hapuni të hyj në oborr të xhamisë.

— Je i krishter apo mysliman, o plak? – e tallën zërat.

— I krishteri e myslimani njëlloj janë, s'ka si të jetë ndryshe.

— E si qenkan njëlloj, o plakush?! – u habitën ata.

— Njëlloj se janë njerëz... Zoti njeriun krijoi, nuk krijoi fetë.

— I lezetshëm ti, o plak... Pa hyrë, hyrë në oborr që të bindesh se nuk është ashtu si llomotit ti, ia kthyen me ton të ashpër zërat.

E munduar dhe e stërmunduar mendja hyri brenda.

Vërejti... u drithërua... u përlot... u ngjeth...

Vuri duart mbi krye e rënkoi tri herë.

Oh... oh... oh...!

Dielli kishte perënduar. E zuri gjaku nga pellgjet e shumtë që dukeshin qartazi. U tendos të përmblidhej disi. Vështroi gjakun, shkallët, muret, qiellin. Dyshoi, por nuk deshi të besojë.

Jo, jo është e pamundur...

Pyeti.

— More ju, kasapët kanë punuar këtu?

— E kush tjetër o plak, a nuk duket nga gjaku? – ia pritën kasapët.

— Tufa të tëra kanë prerë... shumë.

— Po, shumë ishin... qindra e qindra, o plak.

— Ku i çuat tërë ata të prerë, mos i falët për kurban?

— Ca mbi dhé e ca në varre, ia kthyen me mburrje.

— Pse përmendni varret, qenë kafshë, a ishin njerëz, ore ju?

— Njerëz... ç'kishim me kafshët ne?! – rrëfyen kasapët.

Tri pasthirma si nga fundi i dheut.

Eh të mjerët ata!...

Oh të shkretët ne!...

Të zinjtë ju o korba!...

Heshtje si në tejjetë...

Ata i rrëmbyen armën me rripin e gjatë.

— Të ka ardhur fundi, o plak...

— Unë në fund jam, ja sa të mbaroj një punë të vogël me tim bir.

— Si e ka emrin pjella jote, o plak?

— Jani... i thonë kur i flasin.

— Këtu ka shumë me emrin Jani, na thuaj mbiemrin që ta gjejmë.

— Nuk më kujtohet mbiemri i tij.

Ata qeshën duke e quajtur plakun të lojtur.

Njëri thirri:

— Të gjithë ata me emrin Jani të vinë këtu. Shpejt se ka qyfyre. Babai i një Jani ka harruar mbiemrin e tij.

U grumbulluan shtatë. Të shtatë kishin të njëjtin emër. E vërejtën të ardhurin me kujdes. Të shtatë thanë të njëjtat fjalë.

— Nuk e njohim.

— Na gënjeve, o plak. Ti këtu ke ardhur për të bërë keq. Duket nga kjo që ke me vete.

I treguan pushkën.

— Tani do ta pësosh!

Përsëri heshtje. Dikush u kujtua.

— Prisni, ka edhe një Jani tjetër këtu. Ai që rri me komandantin. Flisni ta shikojë njëherë.

Xha Fanit iu drodhën edhe më shumë gjymtyrët.

Ai që rrinte pranë komandantit vonoi ca. Erdhi me gjoksin përpara. I hodhi sytë plakut. E njohu. U duk nga sytë.

— Nuk e njoh, tha.

Iku.

Plaku e përpiu me një vështrim të egër. E pështyu. Ai s'i ktheu kryet.

Ata u turrën si një tufë çakenjsh.

— Vraje, ç'merrej me të...

— Atë e ka vrarë Zoti, shiko si është katandisur...

— Ç'të vrasim më, boll kemi vrarë për sot...

— E ç'të bëjmë me këtë mbeturinë?

— Lëre të zvarritet.

— Jo, prisni, të bëjmë një store.

Ia lidhën këmbët me rripin e gjatë të pushkës. E varën kokëposhtë në një degë qeparizi që ishte në oborr. Ia ulën poshtë xhaketën e këmishën. E qëlluan me radhë. Xha Fani nuk ndiente asgjë.

Në çastin e fundit të përhumbjes iu shfaq në sy pjella e tij e keqe.

Iu shfaq edhe rripi i gjatë i armës...

Ia kishte mbështjellë këmbët si kular lyer me jargë.

I ngjante një gjarpri të madh... të murrmë...

Marrë nga romani “Robina e Engjëve”Autor: Pajtim Çaushi


Comments


bottom of page