top of page

Rinia e Çamërisë kërkon paqe, jo ndryshim kufijsh

Nga Anxhela Qyshka –/ Opinioniste në miremengjes.net


Ngjarjet përkujtimore të zhvilluara së fundmi në kufirin shqiptaro-grek, ku mori pjesë edhe organizata rinore Çamiko Roots, kanë ngjallur reagime të ndryshme në opinionin grek. Disa media greke e përshkruan aktivitetin si "provokim", por është e rëndësishme të shohim përtej titujve dhe të kuptojmë qëllimin real të kësaj nisme.

Çamiko Roots është një organizatë e përbërë nga të rinj dhe të reja shqiptarë, shumë prej të cilëve janë pasardhës të të dëbuarve nga Çamëria.

Foto nga pjesëtarët e kësaj organizate
Foto nga pjesëtarët e kësaj organizate

Kjo organizatë nuk synon të trazojë paqen apo të ndryshojë kufij. Qëllimi i tyre është shumë më njerëzor dhe i përbashkët me vlerat europiane, kërkimi i drejtësisë historike dhe paqes afatgjatë.

Aktiviteti i tyre ishte simbolik. Ndezën fanarë, mbajtën pankarta dhe folën për të kaluarën jo për të ngjallur konflikt, por për të mos harruar atë që ndodhi.

Dhe mbi të gjitha, për të kërkuar një zgjidhje të qetë dhe dinjitoze, që respekton të drejtën ndërkombëtare dhe dialogun fqinjësor.

Në asnjë moment nuk u kërkua rishikim i kufijve, në asnjë deklaratë nuk u dëgjua gjuhë urrejtjeje. Përkundrazi, ajo që u theksua ishte dëshira e thellë për drejtësi dhe bashkëjetesë në paqe një mesazh që duhet të rezonojë thellë në çdo shoqëri demokratike.

Anxhela Qyshka
Anxhela Qyshka

Historia e Çamërisë është një plagë e hapur për shumë familje shqiptare. Po ashtu, është një çështje që kërkon trajtim të ndershëm dhe europian. Të rinjtë që sot ngrejnë zërin për këtë çështje nuk po kërkojnë të rishkruajnë hartat, por të shkruajnë një kapitull të ri – me respekt, mirëkuptim dhe paqe mes popujve.

Europa e sotme është ndërtuar mbi vlerat e kujtesës, pajtimit dhe bashkëpunimit. Këto janë pikërisht vlerat që Çamiko Roots dhe aktivistët e ngjashëm përfaqësojnë. Prandaj, çdo përpjekje për të etiketuar këto zëra si "provokime", më shumë se sa ndihmon paqen, i kthen pas përpjekjet për dialog.

Është koha të dëgjojmë njëri-tjetrin me qetësi. Paqeja nuk është heshtje është guximi për të folur dhe dëgjuar. Dhe rinia shqiptare po e bën këtë me dinjitet.


Comments


bottom of page