RROBAQEPËSIT E JETËS SONË
- miremengjes.net

- Aug 17
- 1 min read
Nga Dr. Anisa LIÇO
Shumë njerëz nuk jetojnë sipas dëshirave të tyre, por sipas shijeve të të tjerëve. Veshin ëndrra të qepura me duar të huaja, duke harruar se asgjë nuk është më e rëndë se një jetë që nuk të rri.
Psikologët e quajnë “varësi nga miratimi social”. Në të vërtetë është burg i padukshëm: çdo hap që hedh, e mat me sy të huaj, çdo fjalë që thua, e filtron në mendjen e të tjerëve. Dhe kështu, përfundon duke jetuar një jetë me qira, jo tënden.
Një kategori tjetër shkon edhe më tej: ata që vdesin për show. Për ta, qendra e vëmendjes nuk është rastësi, por oksigjen. Ata ushqehen me like, komente dhe sy që i ndjekin, edhe pse brenda vetes shpesh janë bosh. Është një teatër ku roli i aktorit duket i ndritshëm, por skena e brendshme është e errët.

“Për të jetuar të lirë, duhet të jesh gati të jesh i keqkuptuar,” – thoshte filozofi Nietzsche. Po ashtu, Jean-Jacques Rousseau paralajmëronte: “Njeriu lind i lirë, por kudo gjendet i lidhur me zinxhirë.” Dhe shpesh, zinxhiri më i fortë është frika nga gjykimi i të tjerëve.
Një studim i publikuar në Journal of Personality and Social Psychology (2016) tregoi se njerëzit që varen nga miratimi shoqëror kanë nivele më të larta ankthi dhe një ndjenjë të shtuar boshllëku personal. Pra, çmimi i “duartrokitjes” është shpesh humbja e paqes me veten.
Liria fillon aty ku nuk të intereson më kush të shikon. Sepse në fund, e vetmja pyetje që ka peshë është: "A je i lumtur kur mbyll sytë, edhe nëse s’të pa askush"?


Comments