Të ndihesh e SHKURAJUAR dhe e MBIJETUAR
- miremengjes.net

- Aug 16
- 2 min read
Nga Arjola KONDAKÇIU
Atyre që ju kanë rrëzuar një herë, mos u besoni në pendim, sepse më keq do t'ju fundosin sërish sapo t'u jepet mundësia! Me të folur lajkatar të afrojnë duke hedhur farën e dyshimit që gërryen besimin, me dinakërinë e xhelozisë të thithin limfën e gjakut si shushunja, ndërsa me dorë të fshehtë "vrastare" të gjykojnë për statusin social a besimin fetar, duke të të dhënë pa mëshirë edhe të shtyrën e fundit të goditjes, që të të mbyllen rrugët në talentin a ecurinë tënde.

Shumë njerëz ndihen kështu; të përjashtuar pa drejtë nga kjo shoqëri, të nënvlerësuar pa shkak, të dëmtuar emocionalisht e si rrjedhojë edhe fizikisht, sepse shkurajimi, ashtu si mola, u bren pak e nga pak kockat, mendimet dhe qëllimet, e si pasojë ata kanë humbur vetveten.
...Shkurajimi është një hap para dorëzimit, prandaj jo të gjithë arrijnë të gjejnë mënyrat për t'ia dalë mbanë, dhe ndërkohë talenti i tyre zbehet e mbulohet me pluhurin e harresës. S'bëhet fjalë për triumfim, por mbijetesë në forcim të gjendjes së brendshme, për të cilën duhet të kapesh pas diçkaje si motivim.
Nga ana tjetër, s'është e gabuar kur mendojmë që me kalimin e viteve fitojmë eksperiencë, dhe me anë të mësimeve nga këto rrëzim-ringritjet e herë pas hershme duam të kontribuojmë me aftësitë tona edhe në ecjen përpara të shoqërisë, por ja që ca gjëra s'ndryshojnë.
Madje përkeqësohen, sepse jetojmë në botën e mashtruesve, lajkatarëve dhe të të ashtquajturës "injorancë" intelektuale që e përjashton me vetëdije të aftin, mban larg të talentuarin, dhe ta fsheh të mirën kur e ka në dorë të ta bëjë.
Por përtej gjithçkaje që të vesh (titujve, pozicionit apo talentit) kupton që mbetesh 'njeri', ndaj edhe pse me shpirt të shkurajuar, për të qenë vetvetja në këtë shoqëri me maska, s'duhet të dorëzohesh!
Duhet të mbijetosh! Tamam: "DUHET"!
Por unë, ti, ne; a jam/je/jemi gati për sfidën e radhës, që ta mundim shkurajimin brenda vetes dhe ta fitojmë betejën mes shoqërisë meskine? Sepse përtej fjalëve të bukura, edhe kjo është mënyrë jetese, që ka sakrificat e veta...




Comments