top of page

21 Marsi – Dita Botërore e Poezisë

Nga Gladiola Jorbus

Tagora: ‘Poezia është jehona e melodisë së universit në zemrat e njerëzve’

Dita Botërore e Poezisë çel siparin e pranverës dhe kjo stinë nuk mund të trokiste dot më bukur. Një ftesë kolektive për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të aftësive krijuese të gjithsecilit. Qëllimi i Ditës Botërore të Poezisë është të përkujtojmë rolin e poezisë në mbijetesën e gjuhëve dhe në flakërimin e botës.


Poezia daton në hieroglifet egjiptiane rreth 25 shekuj para lindjes së Krishtit. Ajo është fjala e shenjtë që i jep dritë, kuptim e plotësi - ndjenjës, perceptimit, shqisës a ndjesisë. “Par excellence” e përkufizojmë poezinë si një zhanër letrar, i cili manifeston bukurinë ose sentimentin estetik, përmes fjalës në vargje.


Ndonjëherë, ajo arratiset nga dhomëzat e shpirtit dhe ngre fole në ëndrra, në rrënoja kujtimesh, në shpresa utopike a në heshtje vetmitare sepse është fluturake, e brishtë dhe njëherazi një planet i ngujuar që frymon si qenie njerëzore.


Në një botë shifrash marramendëse, ku i kushtohet rëndësi sipërfaqësores dhe jo thelbit, akumulimit të sendeve luksoze dhe jo të vlerave, ku morali dhe virtyti vuajnë kriza identiteti, alegria e fjalës së praruar poetike ngjet me një puhizë të freskët që i dhuron frymëmarrje shpirtit të munduar nga pikëllimet, dyshimet dhe dilemat ekzistenciale.

Ndërsa festojmë poezinë, ne festojmë trashëgiminë kulturore, emocionale, linguistike dhe spirituale të të gjithë njerëzimit.

ree

Jam poezi

Jam kurora e hënës,

Një perëndim i zhytyr thellësive.

Jam një lug i gjerë,

Murrak e vrungullues.

Mes dhembjes e lumturisë

Mes mëkatit e shenjtërisë.

Bëhem vello e gjatë

Mbi ëndrra të bardha.


Ngjizur ndër tinguj

Mes vargjesh kreshpëruar,

Si pëshpëritje dashurie

Mbi buzën e nxehtë të gruas.


Jam fantazma binjake e kupës qiellore.

Kështjella e fjalës krenare.

E brishtë,e pamposhtur,idhnake.

Jam poezi.


(Festivali i Poezisë, Boras/ Suedi 2018)

Comments


bottom of page