Nga ditari i një veterineri: Një natë dhe një mëngjes vjeshte
- 3 minutes ago
- 4 min read
Kur heshtja e natës, kënga e bilbilit dhe agimi në fshat të kujtojnë se natyra ka gjuhën e saj
Nga Dr. Agim Nelaj
Gusht 2026
Ka net kur njeriu nuk ka nevojë të flasë. Mjafton të dëgjojë. Një bilbil në errësirë, një fllad mbi gjethe, drita e zbehtë e natës apo kënga e parë e gjelit në agim mund të thonë më shumë se shumë fjalë.
Këto janë disa shënime nga ditari i një veterineri, ku jeta e fshatit nuk shihet vetëm përmes profesionit, por përmes marrëdhënies së njeriut me natyrën.
Qetësi joshëse – ditë çlodhëse në fshatin L...
Më dukej sikur gjithçka në natyrë ishte krijuar me një logjikë të përsosur, absolute dhe të admirueshme.
Sapo arrita në fushë, ndalova për një çast dhe vështrova gjithçka që përfshinte rrafshina përreth. Të gjitha të ngopura me dritë të përkëdhelur, të zhytura në një magji të butë e molisëse, si një natë e qetë që të fton në përhumbje dhe meditim.

“Po këtë pse e ka krijuar Zoti?” – më erdhi papritur në mendje kjo pyetje.
Nata është për gjumë, për pushim, për harresë. Po pse, atëherë, ta bënte më të magjishme se dita? Përse më të ëmbël se agimi apo muzgu?
Një yll i ngadalshëm, joshës, më poetik se vetë dielli... I fshehur dhe, megjithatë, ndriçues, si një shenjë e paracaktuar për t’ua zbuluar vetëm atyre që shohin edhe dukjet më të brishta.
Po drita, mendova sërish – pse e bën terrin kaq të tejdukshëm?
Pse nuk flinte, si gjithë të tjerët, ai bilbili, këngëtari më i mirë?
Në vend të heshtjes, ai ligjëronte i vetëm në misterin e errësirës.
Po e dëgjoja për herë të parë këngën e të parit të shpendëve. Habitem sa shumë dallon kënga e tij nga ajo e zogjve të tjerë. Çfarë vrulli të menjëhershëm merr kënga e tij!
Sa shumë ndjenjë vë zogu në këngë, sa ligjërim dashurie! Sikur nuk duron dot: e nis ngadalë e pastaj e forcon shkallë-shkallë, duke nxjerrë dertin e zemrës së brengosur nga dashuria.
Po natyra? Sa shumë energji shpenzon ajo për ta mbushur vendin me këngën e këtyre “dashurorëve pranverorë”!
Çfarë larmie intonacionesh e kumbimesh! Sa shumëngjyrime mahnitëse gjëmojnë në atë zë! Çfarë qartësie tingëllimi! Sa shumë forcë depërtuese në zemrën e atij që e dëgjon ka kënga e bilbilit!
Turgenjevi diku na e ka përshkruar këtë pasuri kumbimesh, këtë fërgëllimë mahnitëse, zërin që shpreh një shpirt të përmalluar, këtë hijeshi melodish, këtë mjeshtëri të pakrahasueshme të një këngëtari të përsosur.
Të mahnitin dridhjet e shpeshta që të rrëqethin me forcën dhe bukurinë e tyre. Ato janë shprehje të ekstazës dashurore në të cilën është zhytur shpendi i bekuar.
Lëre pastaj mjeshtërinë që spikat në ato dridhje të dendura të sqepit dhe të gurmazit. Aftësinë për ta treguar veten sa më të zjarrtë, të çiltër, të dashur e të ëmbël...
Pas tyre vjen kumbimi lutës, disi i zgjatur, por tejet këmbëngulës. Thirrja për afrim e bashkim. Është epilogu i gjithë asaj kënge të dalë nga shpirti i shpendit...
E di, diku pranë, strukur në gjethnajën e dendur, atë e dëgjon femra.
Pse ky tis i lehtë i hedhur mbi botë? Pse këto dridhje të zemrës, kjo prekje e shpirtit, kjo molisje e trupit?
Pse duhet të shpërfaqet kaq shumë joshje e lutje në një kohë kur njerëzit nuk mund t’i shohin, sepse flenë në shtretërit e tyre të ngrohtë?
Për kë ishte përgatitur kjo shfaqje kaq e lartësuar? Përse kjo harlisje tingujsh e poezish e hedhur tej e tej tokës nga qielli?
Ndoshta vetë Zoti i ka bërë netët si kjo, të veshura me një tis ideal dashurie.
Kur drita e natës përkëdhel me ngrohtësinë e saj të zbehtë, ndien një ëmbëlsi që të depërton drejt në zemër. Një prehje që derdhet në trup si një valë e heshtur paqeje.
Mëngjesi
Kasollet e bardha sapo kishin filluar të zbardhnin.
Ajri i ftohtë shkëlqente si qelq nën dritën e parë të ditës. Para portës, plehu lëshonte një avull të hollë, të dendur e të ngrohtë. Pulat rrinin aty sipër, të shtrira anash, dhe shpupuritnin butësisht, duke kërkuar ushqim me një këmbë.
Në mes të tyre qëndronte i kapardisur këndezi. Këndonte me zërin e triumfatorit. Nga të gjitha oborret përreth i përgjigjeshin këndezët.
Sinjali i ditës së re dëgjohej ngado.
Ajri i freskët formonte një tis të hollë në sy, si pikëza loti gëzimi. Një përkëdhelje e ëmbël kaplonte trupin dhe derdhej si një rrëke e gëzueshme në kraharor.
Një vegim qiellor që ndjell pasionin...
Një burim i pastër që rrjedh ndër gurë zalli, midis barërash dhe lulesh të egra, për të formuar një përrua të vogël, që më tej bëhet lumë. Dhe, në fund, derdhet në oqeanin e pamatë.
Qielli i freskët i atij mëngjesi paralajmëronte një ditë të mbushur me jetë. S’kishte qenë kurrë më magjepsës.
Një erë e vakët tundte lehtë gjethet, ndërsa avujt e ajrit rrëshqisnin, si me përtesë, nëpër degët e pemëve.
Çdo gjë ishte e qartë: kaltërsia e qiellit, bardhësia e pak reve të holla, qartësia e ujit të burimit dhe gjelbërimi i fushës.
Të gjitha këto joshje përshkonin një hapësirë mahnitëse për shpirtin njerëzor.
Gjithçka kishte bukurinë, thjeshtësinë dhe pastërtinë që vetëm natyra mund t’ia dhurojë njeriut, si një këshillë e përjetshme.
Edhe pse, në mes të kësaj mrekullie, herë pas here zhgryhet fëlliqësia njerëzore.
Shënime mbi ndikimin e natyrës
Vjeshta.
Njihet si stinë mirënjohjeje. Si një stinë e ndjeshme që ua kthen borxhin stinëve të tjera me prodhimet e bollshme dhe të shumëllojshme.
Njerëzve ua kthen mundin nëpërmjet vjeljes së prodhimeve të bëra e aq të nevojshme për jetën e tyre. Tokës mëmë i kthen një pjesë të lëndëve të shpenzuara nëpërmjet rënies së gjetheve, aq të nevojshme për pasurimin e saj...
E fshehta e vjeljes së fryteve më të mira është kënaqësia.
Ndikimi i dukurive natyrore në shpirt është i thellë. Disa prej tyre janë të lidhura ngushtë me jetën: pulsi ndikohet nga presioni atmosferik, nervat nga lagështira e ajrit...
Shiu dhe qielli me re e zbehin ndjeshëm gjendjen jetësore. Qielli i vrenjtur është shqetësues. Shiu e ul dëshirën për punë; lagështira të lodh...
Ndërsa dielli të çliron, të ngre, të gjallëron.
Sapo një dukuri konkrete humb “virgjërinë” e vet, bukurinë dhe të fshehtën, ajo braktiset. Pa keqardhje, pa xhelozi.
Ndaj edhe vjeshta ruan me xhelozi “virgjërinë” e saj ndjellëse...
Dr. Agim Nelaj
Gusht 2026




Comments