AFGANISTANI
- miremengjes.net

- Aug 16, 2021
- 2 min read
Nga Zade Kuqi
Këndoj e qaj për fushat e mbushura
me ndryshk armësh të copëtuara,
ara të mbjellura me shumë plagë e buçitje zërash
dhe ujitur gjithnjë taze me kaq shumë gjak,
rrënoja shpirtrash e trupa cung, grirë si nga makinat.
Disa të lakmojnë, derisa të tjerëve ju dhemb,
në hapje fushash të nxirra e gryka bjeshkësh,
zëri i erës që po ik me detin për dikund më larg.

Oh, ka kohë që pranverat tua kanë vdekur
e rrugët që sjellin fund për gjithçka, por shpresë
për asgjë,
si u mësuan pa rrahje fëmijësh, pa një sferë qelqi
në duart e tyre ose një pupël shpendi…
por me kaq hapa burrash
që ikin çdo ditë në luftë.
Unë i shoh majat e larta, lotët e mi i zmadhojnë,
si rrinë mbytur me kokat në mjegulla,
përdredhur paksa nga era dhe dredhitë e planetit,
si çallmat e mullave, që thirrin pa pra vdekjen e gjorë.
Të gjitha ditët me diell të janë bërë plagë mbështjellur me re pluhur kaq amorf!
Si të mbrohesh nga qiejt shurdh, horizonti i verbër,
e nga luftëtarë të zjarrtë
që lindin e zbresin nga çdo anë,
çdo ditë në tokën tënde
e si ta mbrosh veten nga vetja jote,
gjersa trupit terri e drita vriten çdo çast?
Erërat po shkojnë dhe u kthyen, por vetëm aroma lufte
sjellin me vete, andej-këtej,
këtu ku çdo gjë lind e vdes në luftë,
edhe fara mezi në një të çarë toke nga granada,
edhe hëna si lëmsh arnash, por që s’del,
edhe puthja përgjysmë...
Këndoj e qaj për arat e mbjellura me fletët
dhe gjembat e mbetur nga varret dhe trupat,
shumë plagë bërë ugare dhe shumë gjak ujitur ngadalë.
Këndoj për fushat e mbushura
me ndryshk armësh të copëtuara,
e trupa njerëzish, si zhënga mishi për korbat e qentë,
rrënoja shpirtrash rrotull dhe trupa të cunguar
në pjesë të vogla.





Comments