Koleksioni i Paramithisë, thesari i fshehur "doli në dritë"
- Tanush Çaushi

- Jan 2
- 2 min read
Në histori ka zbulime që nuk bëjnë zhurmë kur ndodhin, por që me kalimin e kohës marrin peshën e një dëshmie të rrallë kulturore. I tillë është “Koleksioni i Paramithisë”, një grup statujash prej bronzi, i zbuluar në vitin 1796 në fshatrat përreth Paramithia, në Çamëri, një territor me shtresa të thella historie, por shpesh të lëna në harresë.
Pas gati tetë muajsh kërkimesh intensive në arkiva, katalogë muzealë dhe burime akademike europiane, ky koleksion del sot në dritë si një nga zbulimet më intriguese të artit antik të Epirit.

Statujat prej bronzi, të datuara në shekullin I pas Krishtit, nuk janë thjesht objekte muzeale, por fragmente identiteti kulturor, që dëshmojnë nivelin e lartë artistik të punishteve vendase epiriote.
Nga Epiri në oborret perandorake
Fati i koleksionit është po aq interesant sa vetë vlerat që mbart. Menjëherë pas zbulimit, statujat u transportuan drejt Shën Petersburg, për t’u bërë pjesë e koleksioneve të Katerina e Madhe. Perandorja ruse, e njohur për pasionin e saj për artin dhe antikitetin, kërkonte të ndërtonte një koleksion që rivalizonte muzeumet më të mëdha të Europës.

Por rruga e këtyre statujave nuk përfundoi aty. Pas një sërë peripecish historike, shkëmbimesh dhe transferimesh të denja për një film historik, koleksioni përfundoi në Londër, ku sot ruhet në sallat e një prej institucioneve muzeale më të rëndësishme në botë, British Museum.
Një vlerë e dyfishtë: histori dhe art
Ajo që e bën këtë koleksion veçanërisht të çmuar është vlera e tij e dyfishtë. Nga njëra anë, ai është një dëshmi historike e qartë e pranisë, organizimit dhe jetës kulturore në Epir gjatë periudhës romake. Nga ana tjetër, niveli i realizimit artistik tregon për një mjeshtëri të rrallë të bronzit, duke e vendosur Epirin jo në periferi, por në hartën e qendrave aktive të artit të kohës.

Detajet anatomike, kompozimi dhe teknikat e përdorura sugjerojnë punishte të konsoliduara lokale, të afta të konkurrojnë me prodhimet e njohura të botës mesdhetare. Ky fakt rrëzon idenë e një Epiri periferik dhe e paraqet atë si një hapësirë krijuese, të ndërlidhur me rrjetet kulturore dhe artistike të Perandorisë Romake.
Një zbulim ende pak i njohur për studiuesit shqiptarë
Pavarësisht rëndësisë së tij, Koleksioni i Paramithisë ka mbetur për një kohë të gjatë pothuajse i panjohur për studiuesit dhe publikun shqiptar. Mungesa e referencave në literaturën tonë shkencore e bën këtë studim edhe më të vlefshëm, sepse hap një dritare të re kërkimi mbi trashëgiminë e Epirit dhe Çamërisë.
Ky artikull nuk është vetëm një rrëfim mbi fatin e disa statuetave, por një thirrje për reflektim: sa thesarë të tjerë të historisë sonë ndodhen sot në muze të huaj, të pranishëm fizikisht, por të munguar në vetëdijen tonë kolektive?
📖 Shkrimin e plotë dhe studimin e detajuar mund ta lexoni në linkun më poshtë:




Comments