top of page

Barazi gjinore, feminizëm apo thjesht dembelizëm

Një reflektim personal nga Enxhi Hasani

Në mëngjesin e sotëm, duke udhëtuar me urbanin e Tiranës së Re, u ndesha me një situatë që, për fat të keq, është bërë tepër e zakonshme. Teksa urbanin po e mbushnin të rinj e të reja, në stacion hipën edhe disa të moshuar. Pa u menduar dy herë, u ngrita për t’i lënë vendin një zonje të moshuar me bastun. Të njëjtën gjest bënë edhe dy gra të tjera. Por ajo që më bëri përshtypje ishte pasiviteti i disa djemve të rinj, të veshur mirë, që qëndronin ulur, sikur nuk shihnin asgjë.

ree

Ky episod të shtyn të reflektosh: çfarë po ndodh me mirësjelljen, me xhentilesën, me respektin e thjeshtë që dikur ishte normë e pashkruar?


Feminizmi dhe perceptimet e gabuara

Shumëkush mund të ngrejë pyetjen: “Po ju feministet, a nuk donit barazi?”

Po, kërkuam barazi – sepse për shekuj me radhë femrat nuk kishin zë, nuk kishin të drejtë vote, nuk kishin të drejtë të shkolloheshin apo të shprehnin lirisht mendimin. Feminizmi solli emancipim, arsim, të drejta politike dhe ekonomike. Dhe kjo i shërbeu jo vetëm grave, por edhe vetë burrave: sot përgjegjësia ekonomike ndahet, dhe familjet kanë më shumë mundësi për të përparuar.

Megjithatë, barazia nuk nënkupton humbjen e respektit apo të rolit social. Të ngrihesh e t’i lësh vendin një të moshuari, një gruaje shtatzënë apo një fëmije nuk është diskriminim gjinor, por është gjesti më minimal i respektit dhe qytetarisë.


Barazia dhe drejtësia – dy koncepte të ndryshme

Në ekonomi flitet për equality (barazi) dhe equity (drejtësi). Barazia nënkupton t’u japësh të gjithëve të njëjtën gjë. Por drejtësia konsiston në t’u dhënë secilit atë që i nevojitet për të pasur mundësi të barabarta.

Nëse barazia i jep secilit një kuti për të parë ndeshjen pas një gardhi, drejtësia i jep më të shkurtrit dy kuti, mesatarit një kuti dhe më të gjatit asnjë – që të gjithë të kenë shansin e njëjtë për të parë.

E njëjta logjikë aplikohet edhe në jetën e përditshme: burrat dhe gratë janë të barabartë, por nuk janë identikë. Prandaj gjeste të thjeshta si lirimi i vendit mbeten të rëndësishme dhe të domosdoshme.


Kriza e burrërisë apo mungesë përgjegjësie?

Sot shohim gjithnjë e më shumë gra që punojnë, mbajnë familjen, kujdesen për fëmijët dhe ndërtojnë karrierë. Krahas tyre, fatkeqësisht, shfaqen edhe burra që fshihen pas justifikimeve, duke e shndërruar dembelizmin në normë dhe duke e kamufluar si “barazi gjinore”.

Por burrëria nuk matet më me forcën fizike apo me faktin se “siguron të ardhurat e shtëpisë”. Burrëria sot qëndron tek përgjegjësia, tek kontributi i ndarë, tek mbështetja ndaj familjes dhe tek respekti ndaj grave.

Fatmirësisht, ende kemi burra që mbajnë lart këtë emër me dinjitet, burra që kuptojnë se të qenit xhentil nuk është një shenjë dobësie, por një virtyt që nderon si ata, ashtu edhe shoqërinë.


Autore: Enxhi Hasani

Përgatiti për publikim: miremengjes.net


Comments


bottom of page