Burrat venë në luftë...
- Hekuran Halili

- Aug 19
- 5 min read
nga Hekuran Halili
(tregim)
Alush Taka, mustaqeverdhi, me parinë e Konispolit, kishin thirrur në kuvend burrat e djemtë derë më derë. Nuk mungonte asnjë.Sheshi para nënprefekturës, një godinë shekullore, ishte mbushur plot.Nuk çaje dot mes atyre burrave e djelmëve të veshur me fustanella e xhamadanë të bukur, të qindisur me merak, me feste të bardha në kokë që bënin shtila nga dielli e pastërtia, të gjithë me armë në supe e pisqolla në brezin e leshtë e të gjerë, edhe ai i qindisur si ylberi.Krekosur, kapardisur, deri në qibër.
Në këtë krahinë, krenaria e krekosja nuk kanë të bëjnë me pasurinë, me fisin, por me atë që ke bërë e dhënë për derën tënde, e më shumë për vendin tënd. Dhe të gjithë kishin dhënë atë që detyroheshin dhe ç’ua kish dhënë Zoti mundësinë për vendin e tyre të bukur, të rrallë, të lakmuar, shekullor që kur u zu bota.

Fjaloseshin, por mendjen dhe cepin e syrit e kishin te ballkoni i nënprefekturës, ku pritej të dilnin të parët e tyre, paria.
I pari u shfaq Alushi. Pas tij, një djalë-burrë me kostum allafrënga e borsalinë në kokë. I treti, Dalani i Dalanejve, dhe në fund Emini i Kuçukajve, djalë mustaqedirsur, por vetëtimë, me flamurin kombëtar në dorë. Zuri vend në cep të ballkonit, e shpalosi flamurin dhe nisi ta valëvite.
Alush “komandanti”, siç i fliste populli, sepse kish qenë komandant i njërës ndër çetave më të mëdha e më trime në jugun e thellë, Çamëri, në kohë të Turqisë, që kish luftuar rreptë me ta; komandant i mbrojtjes së vendit në vitet 1913-1918, kur vendi u pushtua nga grekët e italianët, i plagosur dy herë me turq e grekë, ngriti dorën në ajër drejt burrave.
Pllakosi heshtja. Burrat hoqën festet e bardha nga koka dhe i vunë në gjoks, nga ana e zemrës, si shenjë respekti për të. Respekt për këtë burrë të çartur që nuk kish kursyer asgjë për vendin e kombin, për nderin e flamurin!
Luftëtarët e burrat binden e urdhërohen jo me fjalë, por me vepra, me shembull.Në këmbë trimërisht kish luftuar ai vetë; çetën e ngriti me vëllezërit, djemtë e nipërit e tij, pastaj me burra të tjerë të krahinës, deri në dyzet shpirt. Vetë e mbajti me armatim, veshje, ushqim e strehim, nëpër stanet e pronat e tij.
Asgjë nuk kish kursyer, as pasuri, as jetën, as gjakun. Një djalë i kishte rënë dëshmor në përplasjet me andartët grekë; nipi e vëllai i ishin plagosur në këto luftëra, vetë ai dy herë.
I bëhej llafi dy këtij burri, mik i Ismail Qemalit, të cilit bashkë me çetën e Muharrem Rushit Koskalliut – edhe ai një tjetër komandant e trim legjendar i këtyre trevave – i shkuan në Vlorë kur u ngrit flamuri e u shpall mëvetësia.
– Vëllezër, djelm, burra! – e nisi ai fjalën e tij.– Jemi mbledhur për të kuvenduar dhe vendosur bashkërisht për çështje që kanë të bëjnë me fatin e atdheut. Ju e dini se kështu jemi mbledhur vetëm në ngjarje të mëdha, sa herë që është dashur t’i dalim zot vatanit, kur hasmi na ka ardhur te dera, dhe në festën e madhe të flamurit.
Atdheu na do sot prapë. Italiani mban të pushtuar Vlorën deri në Himarë e Tepelenë. Sazanin, nuk do ta lëshojë; me thonj e mban. Qeveria e Lushnjës, me kryeministër delvinjotin tonë, Sulejman Delvina, i ka bërë thirrje gjithë vendit të marrë armët e ta shporrim.
Unë kaq kisha. Më shumë do dëgjoni nga i dërguari i qeverisë, nipi ynë, nga dera e shquar e Dinejve të Lopsit. Mazar e ka emrin. – e mbylli fjalën ai.
Sheshi gjëmoi nga duartrokitjet që thoshin më shumë se çdo fjalë. Ata burra ishin gati si përherë për të shkuar në luftë për vatanin.

Mes duartrokitjeve, e mori fjalën Mazari.Kish mbaruar studimet në universitetin e Stambollit, për ekonomi e diplomaci. Sulejman Delvina, mik i të atit, me të bërë qeverinë e Lushnjës, ia kërkoi mikut djalin, se vendi kish nevojë, dhe ai ja kish dërguar.
Derë e madhe ajo e Dinejve të Lopsit e të Paramithisë. Stërgjyshi i tij, Abedin bej Dinua, kish qenë deri Ministër i Jashtëm i Perandorisë Osmane, por e la detyrën dhe me Abdyl Frashërin e shokë bënë kuvend të madh në Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, për të shpëtuar tokat shqiptare nga copëtimi në katër vilajetet. Dardha bie nën dardhë. Asgjë mangut nuk ia la stërgjyshit Mazari.
Me pak fjalë, por të peshuara me mend, ngrohura me zemër patrioti e atdhetari, plot dituri e mençuri, u foli për gjendjen e vendit, për synimet e italianëve dhe armiqve që lehnin rreth kufijve të Shqipërisë, për qëllimet e planet e qeverisë, për mbështetjen që po gjente ajo në të katër anët e vendit për t’i rrokur armët e për të hedhur italianët në det.
Mbaroi. Në shesh pllakosi heshtja.
– Ky i bën konak llafit! – u dëgjua një zë i fortë burri.Ishte zëri i Kupes, Kupe Sadushit, trupmadh mbi dy metra i gjatë, me mesin sa bënja rrapit, me duart panxhë ariu, luftëtar në të gjitha betejat e çetës së Alushit. Thonin se ai kurrë nuk fliste për bëmat e tij, por me ato duar kish mbytur shumë armiq, kur i kishin mbaruar fishekët. Si legjendë, thoshin se atë nuk e zinte plumbi.
– Ky i bën konak llafit, aq fjalë! – përsëriti prapë ai, dhe fjala u mbyt në detin e brohorimave e duartrokitjeve që mbuluan sheshin.– Bravo, të lumtë, rrofsh! Rroftë qeveria jonë, rroftë Shqipëria!
Dalani i Dalenejve, fis autokton e luftëtar denbabaden në Konispol, stërgjyshi i të cilit kish qenë armik me Ali Pashën e Turqinë dhe që kishte dhënë jetën në Kretë, mori fjalën. Ai u tha burrave se nga krahina do të shkonin në luftë pesëdhjetë luftëtarë, të ndarë në dy çeta. Njërën do ta komandonte Alushi, tjetrën Muharrem Koskaliu.
Lista nuk ishte bërë. Për të gjithë ata që do të shkonin në luftë, paria e zonës do t’u siguronte uniformë, kalë, pushkë, municion dhe 20 napoleonë flori për familjet.
– Kush dëshiron të vejë në luftë? – e mbylli fjalën Dalani.
Sheshit u ngritën lart duart me pushkët e pisqollat. Nuk mbeti njeri me dorën ulur.
Njerëzit në ballkon u përlotën e u përqafuan. Edhe burrat në shesh nisën të përqafoheshin e brohorisnin. Pastaj shpërtheu kënga:
Për Mëmëdhenë,Për Mëmëdhenë,Vraponi burra,Se s’ka me prit!
Pastaj këngë të tjera patriotike që kishin mësuar në shkollën shqipe të hapur që në vitin 1908 nga mësues Dine Rushit Halili.
– Hallall qumështi i nanave! – i përshëndeti e falënderoi Alushi. – Hallall! Për Nanën Shqipëri!
Do të vendosim si komision se kush do të vejë e do t’ju njoftojmë një nga një, se të gjithë nuk vemi. Duhemi edhe këtu, të mbajmë kufirin. Ulqërit errësira e luftra duan. Tani shpërndahuni! – e mbylli ai.
Burrat e djemuria, grupe-grupe sipas tarafit e miqësisë, u shpërndanë nëpër kafenetë dhe dyqanet e sheshit, që ishin mbi dhjetë. Nisën bisedat për luftrat e bëra, për trimëritë, për të vrarët e të plagosurit, për ato që i prisnin, dhe flisnin për to sikur këndonin, pa iu bërë syri terr.
– Burrat janë bërë për luftë; burrat i dalin zot vatanit siç i dalin pragut të derës; burrat venë në luftë si në dasma, – mejtonte Alushi ulur te tavolina e kreut, teksa rrufte kafenë, me sytë jeshil që i lëshonin xixa...
📌 Shënim: Emrat dhe ngjarjet janë të vërteta.📌 Në foto: sarajet e Alush Takës, të lëna në mëshirë të fatit për 30 vite, të cilat urgjentisht duhen rikonstruktuar siç kanë qenë dhe të bëhen muzeu historik i Konispolit.





Comments