Doktoreshë Drita - rojë e palodhur e jetëve njerëzore
- 4 days ago
- 6 min read
Updated: 3 days ago
Nga Pajtim Çaushi
E trishtë, por askush s'mbeti pa ikur
U largua nga jeta edhe Doktoresha me emër të nderuar e Konispolit.
Drita Ademi (Korça) mbylli sytë pasditen e të hënës më 30 Mars 2026.
Iku e rrethuar nga kujdesi i sinqertë i kolegëve të saj të spitalit Nënë Tereza në Tiranë.
Iku me sytë plot dritë pasi pranë saj në ata çaste fundorë qenë bashkëshorti i pandarë dhe fëmijët e saj të bekuar.
Iku, por ikja ka dhimbje, psherëtima, lotë se kthim përsëri s'ka...
Eh, ky është fati i çdo qënie njerëzore, kush lind, një ditë largohet!...
E trishtë, por askush s'ka mbetur përjetësisht në jetë. Ikja është pikëpyetje për secilin, pra askush nuk e di largimin.

E përkushtuar dhe tejet humane
Drita lindi më 8 janar të vitit 1952 në Tiranë nga dy prindër të respektuar. Faiku, njeri i urtë, i drejtë e gojëëmbël. Nailja e mirë edhe kafshatën e bukës e ndante me të tjerët.
Ishte fëmija e dytë e katër motrave: Bardha, Drita, Shpresa dhe Zaho. Në fillim të viteve '60
Faiku, kapiteni i Ushtrisë Kombëtare la uniformën dhe u kthye për t'i shrbyer vendlindjes.
Punoi shofer në kooperativë. Ishte njeri hokatar që s'prishte fjalë me asnjë.
Kur takonte ndonjë vajzë të hijshme e ngacmonte me shaka:
Ti je shumë e bukur, do të marr nuse tek djali! - ia bënte buzagaz.
Vajza qeshte e kënaqur, por e dinte që xha Faiku nuk kishte djalë.
Drita vazhdoi të mesmen mjekësore të Vlorës e pas saj Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. U bë mjeke shumë e aftë nga ana profesionale, e përkushtuar ndaj të tjerëve dhe me sjellje tejet humane. Në formë figurative u bë rojë e jetëve njerëzore
Punoi, mjekoi dhe shpëtoi nga thonjtë e vdekjes shumë njerëz në Markat, Konispol e Sarandë ku shërbeu me devocion të lartë. Ditën që u përcoll nga qindra pjesëmarrës për në banesën e fundit, jo pak prej tyre psherëtinë e lotuan për ikjen e parakohshme të shpëtimtares së jetës së tyre. Po, ky është fati i njeriut të mirë, respekti e ndjek pas edhe kur largohet nga të gjallët.
Përvijime në vite
Si e parathënë për tek Ademajt
Kur u kthyen nga Tirana, familja e Faikut banoi për ca kohë tek shtëpia e Hakosë me emër të nderuar në Konispol. Ajo ishte nëna Manesë, e ëma e Safetit, bashkëshortit të ardhshëm të Dritës. Si shenjim nga fati, vajza e vogël u bë banore e shtëpisë së derës ku vite më pas do të shkonte nuse.
Ishim gjitonë, shumë afër me shtëpi. Ato qenë katë motra, vogëlushe të bukura e të sjellshme. Ne ishim gjashtë djem të Bajramit e Fetes. Prindërit e dy familjeve jo vetëm kishin njohje, por dhe miqësi të hershme.

Djemtë e Bajramit janë vëllezërit tuaj, u tha nanë Ilja që ditën e parë që erdhën...
Kaluan muaj e vite. Vajzat e asaj familje të nderuar u bënë vërtet si motrat tona. Të qeshura, të dashura, me sjellje të kulturuar. Edhe më vonë kur u larguan nga lagjia, kudo ku takoheshim, ato na pyesnin me ngrohtësi motre.
Hë vëlla, ç'bëni ju andej, jeni mirë të tërë?... Shumë të fala të gjithëve.
2.Vajzë që s'ka shoqe...
Drita filloi punë mjeke në Markat dhe kishte në kujdestari gjithë fshatrat e krahinës. Banorët e deshën dhe e respektuan ende pa ia njohur aftësinë si mjeke. Kjo ndodhi se i ati i saj xha Faiku kishte emër shumë pozitiv në të gjithë fshatrat e zonës. Ishte i bisedës së shtruar dhe bamirës për hallet e të tjerëve.
Ndërsa vetë Drita, me sjelljen njerëzore, me buzagazin e ëmbël e të përhershëm, me fjalën e ngrohtë shumë shpejt fitoi zemrat e markaqotëve.
Vjerra ime Merjeme, me shtëpinë pranë qendrës, ishte tejet derëhapur me të ardhurit në fshat. Me Dritën u afrua shumë shpejtë.
Vajzë që s'ka shoqe... Duket është nga fis e njerëz të mirë, më thoshte.
Doktoreshën e merrte shpesh në shtëpi. Kur e gjente duke punuar në kopshtin e lakrave, Drita shkonte dhe punonte bashkë me të. Merjos i mbushej zemra plot.
Ah moj vajzë, paç fat e marrsh një burrë si veten! - e uronte duke e shikuar në sy.
Inshalla, po nuk dihet fati vajzës nanë Merjo, ia kthente Drita e buzëqeshur.
Sa çift i bukur, sikur janë prerë për njeri tjetrin!...
Drita u martua me Safetin, mësuesin e talentuar të matematikës në gjimnazin e Konispolit, Merjua iu bë zemra mal.
E njoh djalin e Rizalit, s'e ka shokun, i lumtë doktoreshës! - më tha.
Këtë ia shprehu edhe Dritës.

Drita Korça u martua me Safet Ademin e një dere fisnike të Konispolit. Eshtë djali i dytë i Rizalit të qetë, bukëdhënës e të zgjuar dhe Manesë gojëmjaltë, të dashur e derëhapur.
Dasma u bë lart në Bregun e Koçit. Para dasmorëve të shumtë qëndronte një çift i ri, i bukur dhe shumë i hijshëm.
Sa çift i bukur, sikur janë prerë për njeri tjetrin! - u shprehën të gjithë me admirim.
Në vite lindën tre fëmijë të mbarë. Eriola, Erioni dhe Ermali u rritë nën kujdesin e përkushtimin e prindërve dhe u bënë model sjellje e mirësie.
Përjetime ekzistence
Dimër. Muaji dhjetor. Shi me erë të ftohtë e civë në Konispol. Fëmija me temperaturën dyzet gradë. Ç'të bënim?... Tek Drita e Safetit, ku tjetër?...
Bashkëshortja ime Afërdita e mbështolli me një batanije fëmijësh djalin. E mora në krah dhe u nisëm me nxitim drejt shpresës për shpëtim, doktoreshë Dritës.
Errësirë, udha me baltë e gurë, udhë pa udhë për t'i rënë shkurt. Fëmija rënkonte nga ethet...
Arritëm. Mesnatë. Trokas në derë. Përgjigje e menjëhersheme. Kush është?... Erdha!
Safeti hapi derën. Ti je Pajtim, ç'ke, hyni brenda shpejt!
Unë këpucët me baltë e fundet e pantallonave kullonin ujë.
Futu ti,i thashë bashkëshortes, se unë...
Në këtë kohë del Drita. Ç'pret, futu brenda shpejt!...
Unë i ndrojtur me të drejtë. Po ja, balta, shiu...
Je në vete ç'flet apo jo?... Jo që je vëllai im dhe i Safetit, po kushdo që të ishte e ka derën hapur. Unë këtë punë kam përnatë.
Safeti më vështroi me qortim. Hyra. Në çast i shërbeu fëmijës. Temperatura u ul. Djali u qetësua. Përgatiti qerasjen...
Me fëmijën e qetësuar në krah, u kthyem në shtëpi. Gjithë rrugës folëm me admirim për doktoreshën tonë të pakursyer e të buzëqeshur.
Një pasdite gjyshe Bejazja mbeti në shtrat.
Një pasdite gjyshe Bejazja mbeti në shtrat. Sapo isha kthyer nga shkolla. Nxitova të shkoj tek doktoresha. Trokata në derë. Në atë kohë ishte kthyer nga spitali dhe hante bukë. Më erdhi zor. Ia thashë gjendjen e gjyshes. E la bukën përgjysmë dhe erdhi me mua. Unë eca ngadalë me mendimin se ajo ishte e lodhur nga puna intensive dhe nuk mund të nxitonte.
Ç'pate more, të zuri gjumi?... Jepi çapit, sëmundja s'ka qejf të na presë, ne duhet të vrapojmë për ta zënë.
Nxitova. Ajo e palodhur. I bëri vizitën. Hemoragji cerebrale, tha me keqardhje të thellë. Megjithatë i shërbeu deri në fund duke na harxhuar vetëm një kafe.
Natën e parë pas vitit të ri u ndieva keq.
Natën e parë pas vitit të ri u ndieva keq. Kisha dhimbje gjoksi dhe vështirësi në frymëmarrje. Kohë e keqe jashtë. Kush tjetër mund të më ndihmonte në këtë kohë me shi dhe erë të fortë veç doktoreshë Dritës?....
Marr në telefon vëllain, Vullnetin. I shkoi në shtëpi. S'kaloi as gjysmë ore dhe Drita bashkë me vëllain u gjendën pranë meje. Ishte e lagur, veças nga gjunjët e poshtë. Më vizitoi me shumë kujdes. Për të mos më vënë në merak, më tha se s'kisha ndonjë gjë shqetësuese dhe shtoi.
Nesër kam udhën për Sarandë, eja të bësh një vizitë dhe atje.
Më priti tek autobusi i linjës. Sapo zbritëm në Sarandë, më shpuri për eko tek kardiologu.
E porositi doktor Rakon të më shihte me kujdes. Kisha kaluar para infarkt...
Më shpëtoi jetën. E falenderova pasi u ktheva nga Tirana. Vetëm kaq.
Më përqafoi. Të shkuara, tha thjeshë duke buëqeshur si zakonisht...
Do të jetë edhe pas ikjes...
Pavarësisht fatit të paracaktuar, i ikuri nga jeta ka dy mundësi. Të mbijetojë edhe pasi nuk jeton, ose të harrohet që kur jeton. Të dyja janë të përcaktuara, jo nga dikushi, por nga vetja. Segmenti i jetës i jep mundësi njeriut të lerë ose të mos lerë pas shenjat e veta.
Doktoreshë Drita Ademi (Korça) gjatë viteve të shumtë në shërbim të banorëve të Konispolit dhe ta gjithë fshatrave që përmbledh kjo krahinë si dhe të qytetit të Sarandës la pas shenja të bukura humanizmi me shërbime të vyera profesionale deri në sakrificë vetiake e familjare...
E ç'mund të bëjë më shumë se sakrifica për të tjerët njeriu në jetë?...
Dhe Doktoresha jonë e kreu këtë mision pa i përtuar dora e këmba, pa iu ankuar goja, pa iu ligështuar shpirti...

E paharruar Doktoreshë Drita Ademi për përkushtimin i saj profesional ndaj punës si mjeke e përkushtuar!...
E palarguar kurrë nga jeta për bashkëshortin e vet të rrallë, njeriun e mençur, prindin e përkushtuar, mësuesin e talentuar, Safetin e qetë e të dashur me të gjithë!...
E përjetshme për kujdesin dhe mirërritjen e tre fëmijëve së saj shembullore Eriolës, Erionit dhe Ermalit!...
E përjetshme për të gjithë ne që e njohëm dhe na shërbeu duke na ndriçuar me qiririn shërues të ekzistencës.
Qofsh përjetësisht banore e Parajsës doktoresha jonë jetëdhënëse...
Esse përkujtimore
(përjetime në vite për mjeken e nderuar)
Tiranë, 4 prill 2026




Comments