top of page

HERËSI POETIK I PROZËS SË HEKURAN HALILI

Përgatiti për publikim: miremengjes.net


Reflektim nga Agron MEMA

(Si sot, një vit më parë — Nëntor 2024)

Kur këtë fillim nëntori të vitit 2024, miku im i kahershëm, inxhinier i talentuar dhe po aq i suksesshëm në fushën e letërsisë më dha dorëshkrimin e librit të tij të tregimeve që po përgatit për botim, u ndjeva së pari i vlerësuar. Por kur fillova ta lexoja librin, u shkëputa nga ndjenja e miqësisë, sepse autori kërkonte mendimin tim të sinqertë, larg çdo ndikimi sentimental.

Ky vëllim tregimesh është një libër i veçantë, i fuqishëm dhe i domosdoshëm, që t’i përlot sytë po aq sa të ngre kokën krenar. Libër që të kthen tek rrënjët, tek kujtesa, tek historia, tek vetëdija e pyetjeve të mëdha: Kush jemi? Nga vijmë? Sa qëndresë kemi brenda vetes?

Sugjerimi im për titull është “Rrënjët”, sepse misioni letrar i këtij libri është pikërisisht ky: të mbrojë kujtesën, identitetin, dinjitetin dhe historinë tonë.

Më poshtë, vlerësimi im për çdo tregim, me respektin dhe përgjegjësinë që meriton një vepër kaq e çmuar.

ree

1 – DJALI I FRONGOSHESË

Hekuran Halili nis librin me një tregim ku gërsheton mjeshtërisht profesionin e tij si inxhinier me letërsinë. Ai sjell në vëmendje arkitekturën tradicionale, urbanistikën e Pazarit dhe trashëgiminë ndërtimore shqiptare si pjesë e identitetit kombëtar.

Në këtë tregim ndërthuren:

  • vlera humane,

  • morali patriarkal i kohës,

  • emancipimi shpirtëror i njerëzve,

  • drama dhe dinjiteti i femrës shqiptare.

Mesazhi moral është i qartë:


Kurrë mos e gjyko një grua pa njohur rrethanat e dhimbjes dhe sakrificës së saj.

2 – MALLKIMI

Një tregim mbi pabesinë, shkeljen e besës dhe tragjedinë që pason.


Autori jep detaje të jashtëzakonshme të ndërtimit tradicional, por mbi të gjitha ngre lart mesazhin:


Mos shkel kurrë besën, sepse kjo nuk është tradita jonë.

3 – UNAZA

Një nga tregimet më të dhimbshme të vëllimit.


Me kompozim mjeshtëror, Hekurani sjell dramën e përdhunimit dhe turpërimit të gruas, tradhtinë e mikut, humbjen e kontrollit emocional dhe pasojat tragjike.

Ky tregim të rrëqeth dhe të lë pa frymë.


Autori jep një apel të fuqishëm kundër hakmarrjes dhe ruajtjes së nderit me dhunë.

4 – DOSA DHE BIMAT E ARTË

Një tregim metaforik me ngjyrime epike.


Në qendër: dashuria e nënës, sakrifica dhe përpëlitja e saj sublime për fëmijët.


Në sfond vjen figura e Ali Pashë Tepelenës dhe bukuria e Epirit.

Autori e paraqet me një gjuhë të artë:


Dashuria e nënës e zbut edhe zemrën e një mizori, por nuk e shndërron dot në njeri.

5 – KOLONA E GRAVE

Një dhimbje e madhe kombëtare — gjenocidi ndaj Çamërisë.


Tregimi sjell përdhunimet, masakrat, shfarosjen dhe qëndresën e grave shqiptare.


Ato, pavarsisht tragjedisë, mbijetuan dhe lindën djem shqiptarë.


Një himn i dhimbjes dhe krenarisë.

6 – QEREXHINJTË E SHËNDËLLIUT

Dhimbje dhe mall i pakufishëm.


Autori ndërton një dialog të shpirtit me natyrën, i vetmi ngushëllim i atyre që kanë humbur gjithçka.

Një tragjedi reale e Çamërisë, rrëfyer me elegancë artistike.

7 – RRËNJËT

Tregimi-bosht i librit.


Një freskë historike nga 1913 e deri më sot mbi masakrat e andartëve, shfarosjen e jugut, barbaritë greke dhe qëndresën shqiptare.

Mesazhi i autorit:

Pushtuesi është gjithmonë i përkohshëm. Rrënjët shqiptare janë të përjetshme.

8 – LEGJENDA E QAFËS SË LIKOJANIT

Një legjendë e artë, një fabul e thellë e ndërtuar mbi historinë e Mbretërisë së Piros.


Autori sjell bukuritë natyrore dhe forcat e padukshme që ruajnë drejtësinë.


Metafora e ujkut që ende ulërin është një thirrje:


Padrejtësia ende nuk ka marrë fund.

9 – BRENDA MEJE LOZ LISTI

Një tregim i ëmbël dashurie, muzikë dhe shpirt.


I vetmi tregim ku autori lehtësohet dhe i jep vetes hapësirë për të shijuar magjinë e dashurisë.

10 – MËSUESE TË DUA

Një thirrje prekëse për përgjegjësinë familjare dhe institucionale ndaj fëmijëve me nevoja të veçanta.


Respekti nxënës–mësues vjen i ndërtuar me mjeshtëri.

11 – BATICA – ZBATICA

Botë fëminore, fantazi, lojë, pafajësi.


Autori sjell një fëmijëri të pastër, të bukur, të lumtur — një thesar shpirtëror.

12 – MISJONI

Një tregim që kërkon ekran filmik.


Ngjarje që lidhen me dashurinë, historinë dhe një mision moral që nuk shuhet kurrë.


Dhimbje që të ngre në këmbë.

13 – ABEU

Një kapitull historik i rrallë dhe i guximshëm.


Autori lidh rrënjët e Çamërisë me ato të Gjirokastrës, duke treguar se gjuha, zakoni dhe gjaku kanë një të kaluar të përbashkët.

Një vepër me vlera studimore.

ree

14 – LEGJENDA E PËROIT TË PIROS

Mbyllja e librit është po aq e fuqishme sa hapja.


Hekuran Halili kthehet tek epoka e Piros dhe tek zemra e Gjirokastrës duke sjellë një legjendë që përmbledh:

  • dhimbjen,

  • bukurinë,

  • historinë,

  • krenarinë,

  • identitetin.

Një mbyllje dinjitoze e një vëllimi të jashtëzakonshëm.

PËRFUNDIMI

Ky libër është më shumë se një vëllim tregimesh.

Është një kthim tek rrënjët, një himn i dashurisë, një denoncim i barbarisë, një homazh për Çamërinë, një shkollë historie dhe një thirrje për të mos harruar.

Urime dhe suksese mikut tim,


Sarandë, Nëntor 2024

Agron Mema


Comments


bottom of page