top of page

“Historiku i Konispolit 2”, një enciklopedi dhe muze i shkruar për trevën e Konispolit

2 hours ago
3 min read


Nga Bardhyl Bejko

Në datën 5 Shtator ne Konispol, në mjediset e sallës së Bashkisë, me një pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve të Konispolit, intelektualëve, krijuesve, studiuesve, të rinjve, bashkëkohësve dhe familjarëve, u organizua aktiviteti përurues i veprës “Historiku i Konispolit 2”, me autor Ali Maliqin, bir i Konispolit.

Nën kujdesin e Kryetarit të Bashkisë, Ergest Dule, dhe katër fëmijëve të autorit – moderatores Nurie Baduni Maliqi, e bija e Aliut, si dhe Arbenit, Agronit e Valit – së bashku me studiues dhe intelektualë nga Shkodra dhe Universiteti “Eqrem Çabej” i Gjirokastrës, u shpalosën analiza dhe konkluzione për këtë vepër që përfshin një hark kohor prej gjashtëdhjetë vjetësh, nga viti 1939 deri në vitin 2000.

“Historiku i Konispolit 2” vjen pas historikut të periudhës 1912–1939, të shkruar nga intelektuali i njohur konispolat Skënder Mullaj.

Një aktivitet që kapërceu përmasat e një përurimi

Mendoj se aktiviteti përurues i “Historikut të Konispolit 2” ishte i denjë dhe i arrirë.

Ajo që ishte veçanërisht interesante ishte pjesëmarrja e gjerë, larmia dhe ndërthurja e fjalimeve me aktivitetet artistike: nga valltarët e vegjël, te pasazhet nga përmbajtja e historikut, të interpretuara nga vajzat e shkollës së mesme “Bido Sejko”, si dhe analizat, përjetimet, përshtypjet dhe mbresat e folësve të shumtë.

Them me bindje se veprimtaria i kapërceu kufijtë e një aktiviteti të zakonshëm përurues. Gjithçka ishte e denjë edhe për një institucion të specializuar të kësaj fushe.

Vlerësoj organizimin dhe ndërthurjen e mesazheve nga familjarët, qytetarët konispolatë, mursiotë, markaqotë e saranditë, si dhe harmonizimin mes intelektualëve pjesëmarrës dhe konispolatëve të thjeshtë.

Salla ishte e mbushur plot. Më shumë njerëz se karrige. Asnjë zhurmë, asnjë pëshpërimë, asnjë ndërprerje për më shumë se dy orë. Vëmendje maksimale, respekt dhe dinjitet.

Një punë tridhjetëvjeçare për historinë e Konispolit

Në gjykimin tim, moderatorja Nurie Baduni Maliqi i dha aktivitetit një përmasë shumëdimensionale. Jo thjesht duke folur për babanë, krijuesin dhe intelektualin Ali Maliqi në vështrimin prindëror, por mbi të gjitha për atë që ai solli pas një pune tridhjetëvjeçare.

Ali Maliqi na la një historik me vlera studimore dhe shkencore, me përmasat e një arkivi dhe enciklopedie, që do t’i shërbejë njohjes së trevës së Konispolit.

Ky historik do të jetë një pikë referimi për studiuesit dhe për cilindo që dëshiron të njohë historinë e Konispolit dhe rrugëtimin e tij ndër vite.

Ali Maliqi, gjykoj se e meritonte gjithçka që u bë dhe çdo mesazh që u përcoll në takimin përurues të “Historikut të Konispolit 2”, i cili besoj se kapërceu çdo pritshmëri të të gjithë neve që ishim pjesë e tij – jo vetëm me trup e mendje, por së pari me zemër e shpirt për autorin dhe studiuesin sfidues, mikun erudit, intelektualin rrezatues dhe krijuesin dinjitoz, Ali Maliqi.

Ali dhe Bardhyl Maliqi – një homazh për dy figura të paharruara

Takimi përurues i këtij studimi të gjerë dhe konciz ishte padyshim edhe një homazh për Ali Maliqin, me të cilin u rritëm dhe prej të cilit mësuam.

Autori Ali Maliqi dhe redaktori Bardhyl Maliqi, atë e bir, përbënin një kombinim të harmonishëm. Aliu dhe Bardhyli i paharruar sot ishin atje me ne, edhe pse jo fizikisht, me tërë personalitetin e tyre si krijues dhe studiues.

Dhe, siç u tha gjatë aktivitetit, në realizimin dhe përurimin e kësaj vepre historike për Konispolin patën rolin e tyre edhe vajzat dhe djemtë e Aliut, të cilët, njëlloj si ai, janë evidentuar si njerëz të lexuar dhe të kulturuar – edhe ata asete për Konispolin tonë.

Një memorie e gjallë për brezat që do të vijnë

Eventi kushtuar “Historikut të Konispolit 2”, përtej analizave dhe konkluzioneve të referuesve të shumtë, ishte njëherësh homazh dhe respekt për Ali dhe Bardhyl Maliqin, autorin dhe redaktorin e këtij historiku.

Ata na lanë një vepër që është shumë më tepër se një libër: një memorie e gjallë, një arkiv, një enciklopedi dhe një muze i shkruar për Konispolin dhe konispolatët – për ne që jetojmë sot dhe për brezat që do të vijnë.

Bardhyl Bejko

Comments


bottom of page