Idriz BALANI "SKULPTURA QË FLASIN ME SYTË E HISTORISË"
- miremengjes.net

- Aug 10
- 4 min read
Nga Arjola Kondakçiu
( Në studion e skulptorit Idriz BALANI )
A ju ka ndodhur që të magjepseni nga aroma e diçkaje, të sillni ndërmend kujtime nga nuhatja e një materiali a të emocionoheni nga prekja e një objekti ?
Këto ndjesi pata në ambjentet e studios të skulptorit Idriz BALANI, e më saktësisht asaj ku punonte dhe tjetrës që po përgatitet si 'MUZE' në zemër të zonës së Plazhit në Durrës.

Më lanë pa fjalë Çertifikatat e Mirënjohjeve, Medaljet e merituara, Dipllomat e Çmimet pafund brenda e jashtë Shqipërisë, Intervistat e mirëorganizuara në gazeta e televizione, saqë u ndala një moment dhe thashë :- "Po çfarë më mbetet të shkruaj më unë për këtë artist?!"
Ama, gjithmonë ka diçka të pathënë për atë që vëzhgon sipas këndvështrimit të vet specifik, ndaj u përpoqa të jem si një statujë figurative mes asaj studioje të ftohtë në dukje, por që nga përtejësimi i kontaktit pamor u ngroh pak e nga pak kur fillova ta gdhend me daltën e kujtesës.
*Goditjen e parë e fiksova duke larguar pluhurin e harresës, dhe ajo vorbull mjegullnaje spektakolare që u krijua më çoi në botën e statujave dhe...pashë...O Zot, sa shumë! Rreth e qark meje portrete të sportit, artit, personalitete të paqes, pjesëza folklorike, figura fetare, patriotike, heronj e heroina të luftës (në periudha kohore e vende të ndryshme), familjarë (ku spikatnin portretet dinjitoze të prindërve të skulptorit) e njerëz të thjeshtë, si edhe pa anashkaluar nudon artistike ku femra lirike me ato pozat sensuale të jepte një joshje drithëruese .
*Gjëja që vazhdoi të ma ngacmojë grishjen ishte "Aroma e BALTËS" (ndryshe nga prirja njerëzore për të na 'mbytur' me aroma erëmira në ambjente të mbyllura) që më mahniti me përhapjen e origjinalitetit, saqë natyrshëm më erdhën ndërmend kujtimet për ecjen nëpër baltërat e fëmijërisë, ngjyrave të saj, punëve të vogla artistike që na kërkoheshin në shkollë me këtë bazë materiali, si dhe privilegji që në një pjesëz toke pranë lumit në fshatin ku u rrita afër Fierit gjendej argjilë e pastër, e cila na mundësonte formësim më të saktë të objekteve për shkak të vargëzimit elastik, si dhe një rezultat të kënaqshëm në vlerësim.

*Ama skulptura të tjera prej ALLÇIE më tërhiqnin me shkëlqimin e bardhësisë, saqë dhe figurat e heronjve të përqendruar në seriozitetin e shikimit përpara realizuar mjeshtërisht nga skulptori Idriz Balani, më transmetonin përtej historisë një mirësi në shenjimin e rrudhave luftarake.
*Të tjera të derdhura në BRONZ, më krijonin efektin e një ndaljeje sekondare të frymës, me aromën dhe ngjyrën karakteristike.
*Por ishin dhe skulptura prej MERMERI me nuanca të larmishme, që më tërhiqnin njëkohësisht vëmendjen. Sapo solla ndërmend këtë material instiktivisht pata ndjesinë e trishtuar të qivureve në varreza, por ja që përballë meje, duke prekur me delikatesë, nëpërmjet këtij materiali skulptori u jepte një gjallëri unike personazheve të përzgjedhur, si për të shpërfillur frikërat njerëzore në gjetje artistike,duke i bërë përjetësisht të gjallë.
*Por nuk mund të lë pa përmendur edhe GURIN, një material i vështirë për t'u punuar e që për shkak të kërkesave të pakta realizimet ishin të rralla, por edhe ato pak përçonin një ndjesi të paimagjinueshme.

Më bëri për vete një portret i çiltër vajze
( në gur), dhe vetë autori i kësaj vepre më tregoi që ishte gdhendja e tij e parë në fëmijëri (viti 1966) edhe duke patur një vlerë shpirtërore e ruante me nostagji.Gjatë tërmetit të 26 Nëntorit që goditi fortësisht qytetin e Durrësit e në një masë të madhe dhe zonën ku ai banon, shumë statuja u rrëzuan, disa u dëmtuan, të tjera fatkeqësisht u shkatërruan, por autori ishte shumë i lidhur me këtë portret vajze të vogël prej guri (gjë që kuptohej edhe nga zëri i tij kur dridhej teksa fliste) ndaj me anë të një ngjitësi të fortë (Mastiçit) bashkoi te qafa e statujës dy pjesët e dëmtuara, duke e ribërë art më vete dyhistorësinë që ajo mbarte.

Vërtet! Atë erën e rëndë të mastiçit (me të cilën isha mësuar se më kujtonte duart e babit tim këpucar që e përdorte shpesh ) e përballova pas nuhatjes, sepse i kishte rikthyer buzëqeshjen e stampuar vajzës së gurtë. E jo thjesht një guraleci rruge a gurëzave mozaiku, apo atyre zbukurues e kurativë, por një guri të rëndë me përmasa 28x18x14 cm që mbante peshën e pafajësisë së jetës...
Daltën e fundit të këndvështrimit e ngulita rrufeshëm në përballjen e shikimit të të gjithë personazheve.Një gjetje intelekte e skulptorit ishte" pjesa e syve", elementi më tipik. Diku normale, diku-diku e theksuar, diku tjetër e paprekur ,e në të tjera e zhdukur qëllimisht që artdashësi të përfytyrojë vetë me sytë e mendjes mistiken, enigmën e panjohur të subjektit në objekt, botën e tij të brendshme në vazhdimësinë e hapjes artistike.Aq shumë zhvillohet perceptimi saqë të krijohet përshtypja që këtyre statujave memecërisht të mençura nuk u duhen sytë për të parë anët e errëta të kësaj bote,pasi përtej ftohtësisë së materialeve përbërëse fshehin në thellësinë e tyre dritësimin e bukurisë së historisë."
Prandaj skulptorit Idriz Balani,këtij njeriu të përulur e fytyrëskalitur nga stuhitë e jetës, që e sfidon moshën me vrullin e pasionit dhe disiplinën për punën, i dërgoj falënderime të përzemërta përmes fjalëve të këtij shkrimi modest, për kënaqësinë e shijimit të zgjatur të aromave artistike që mora gjatë vizitës miqësore në studion e tij !
Arjola KONDAKÇIU




Comments