top of page

"Kapja e duarve": Zakon, kulturë apo tregues I dashurisë?

Nga Arjola Kondakçiu


Në jetën e përditshme shpesh shfaqen gjeste të vogla që flasin më shumë se fjalët. Një nga këto është "kapja e duarve" mes një çifti. Ajo mund të duket si një veprim i zakonshëm, por në të vërtetë mbart kuptime të shumta, të lidhura me kulturën, zakonet shoqërore dhe gjendjen e marrëdhënies.

ree

Por nëse sjell edhe dobi emocionale, sa praktikohet? Po argumentoj nëpërmjet dy shembujve konkretë...


Kohët e fundit, nga një udhëtim që bëra në Zvicër, u mahnita nga çiftet e moshës së tretë, të cilët nuk i lëshonin duart nga njëri-tjetri gjatë ecjes publike dhe në natyrë. Të krijohej përshtypja e një afërsie, ngrohtësie, sigurie, mbështetjeje dhe dashurie e komunikimi, që linte shije të mirë te gjithkush që i shikonte.

Ndryshe nga atje, që kur isha e vogël dhe vëzhgoja e deri tani, në shoqërinë tonë në Shqipëri, janë të rralla çiftet që kapen për dore, e sidomos në moshën e tretë. Është për të ardhur keq kur dy njerëz lidhin jetën së bashku e pretendohet të jenë mbështetje e njëri-tjetrit, ndërkohë që "o ecën burri para e gruaja pas", dhe o e kundërta.

ree

Në këtë rast nuk kemi përcjelljen e një mesazhi dinjitoz, edhe pse në fshehtësinë e tyre intime dhe brenda familjes, ata mund të karakterizohen akoma nga një ndjenjë e fortë. Atëherë, mos është forca e zakonit që pengon në shfaqjen e këtij gjesti, mënyra sesi janë rritur, apo niveli kulturor, të cilat mund të çojnë edhe në veprime paragjykuese tek të tjerët?


Pra, jemi përballë dy situatave:

Nga njëra anë, shoqëria moderne, e cila përveç mesazheve që transmeton me anë të këtij gjesti, e çmon edhe si një ripërtëritje të domosdoshme të pasionit dhe stabilitetit emocional.

Nga ana tjetër, shoqëria më tradicionale ku kapja e duarve nuk është gjithmonë e zakonshme e ku ekspozimi i ndjenjave në publik shihet si diçka intime e jo e përshtatshme për syrin e të tjerëve, dhe që mund të ngrejë dyshime për zbehjen e gjendjes emocionale të lidhjes.

Prandaj, nuk duhet nënvlerësuar, sepse "kapja e duarve" nuk është thjesht një zakon i vogël, por një gjest universal i mbushur me domethënie. Edhe pse dashuria nuk matet vetëm me këtë gjest, ai mbetet një shprehje e bukur dhe e ndjerë e lidhjes njerëzore, që pasqyron njëherazi kulturën, zakonin dhe ndjenjën.


Comments


bottom of page