top of page

Konispoli i Fëmijërisë Nga Përroi i Sheqirit te Profesori I Pavdekshëm

Nga Tanush Çaushi


Rruga drejt shkollës dhe kujtimet që nuk shuhen

Në vitet e fëmijërisë sime, Konispoli ishte një qytet i vogël, por me shtigje e rrugica që mbanin histori të pafundme.Çdo mëngjes, rruga për në shkollë kalonte nga Përroi i Sheqirit. Pas rrebesheve, ky shteg ngushtohej aq shumë sa bëhej i rrezikshëm. Kujtoj një herë që një gomar kishte rënë aty dhe mbeti disa ditë, duke përhapur një erë të rëndë, derisa e larguan.

ree

Pak më tej ishte shtëpia e Esatit, berberit të njohur të Konispolit. Sot, zanatin e tij e ka trashëguar i biri, Ardiani.Pastaj kaloja pranë shtëpisë së Feim Memkos, ish-partizan. Oborri i tij ishte i mbushur me trëndafila, dhe Senua, zonja e shtëpisë, shpesh më dhuronte një lule teksa shkoja në shkollë.

Më tutje ishte shtëpia e Tate Duljes, marangozit të qytetit. Ishte njeri duarartë, që bënte stola e mobilje të thjeshta prej druri. Shpesh e ndihmoja dhe më pëlqente të shihja sesi një copë dërrasë merrte formë.

Takime, përshëndetje dhe ndonjë qen i rrezikshëm

Rruga më çonte mbi shtëpinë e Sovjet Meros, ndërsa afër ishte shtëpia e xhaxhait tim, Velua. Nga ana tjetër, ndodhej shtëpia e mësues Hekuranit. Një mëngjes, në vend të “Mirëmëngjes”, e përshëndeta me:

— Hë mo, mësues!

Ai buzëqeshi me humorin e tij të veçantë:

— Thuaj “Mirëmëngjes”, pse më thua “Hë mo”?

Pak më tej ishte shtëpia e Bido Përroit. Aty më priste gjithmonë një qen që më vërsulej papritur. Ajo ishte familje e madhe me njerëz të mirë. Në kthesë ngrihej një bunker strehimi një kujtim i heshtur i kohës së Enverit.

Nga një “6 e shëmtuar” te një “9 e fortë”

Në vitin e parë të shkollës së mesme, në orën e fizikës, mësues Hekurani më thirri në dërrasë:

— Tanush Çaushi, dil këtu!

Nuk kisha mësuar siç duhet. U përpoqa, por nuk ia dola. Ai, me atë ironi të butë, tha:

— Të të vëmë një 6 të shëmtuar.

I prekur, vendosa të përgatitesha fort. Atë javë punova me xhaxheshën time, Martën, mësuese e matematikës dhe fizikës.

Ajo më tha:

— Kur e bën dikush tjetër, duket sikur e di. Por kur e bën vetë, e mëson vërtet.

Javën tjetër, mësuesi pyeti:

— Ka ndonjë vullnetar?Ngrita dorën me padurim. Zgjidha ushtrimet një nga një, dhe ai tha:

— Ti meriton një nëntë të fortë. Ti do bëhesh nxënës shumë i mirë.

Doli e vërtetë: u bëra i mirë në fizikë, jo vetëm në gjimnaz e konkurs, por edhe në universitet. Edhe sot, nëse më jep një problem fizikë, e zgjidh pa problem.

Profesori që la gjurmë

Mësues Hekurani kishte mënyrat e tij për t’i bërë gjërat të paharrueshme. Ligjin e dytë të Njutonit na e shpjegoi e pastaj tha:— Mos thoni në gjumë as “nënë” e as “baba”, por “forca baraz me m herë a”!

Me kalimin e kohës, u bëmë miq. Luanim tavëll te Haxhi Shorri dhe shah te Hallë Zubua. Një herë po e mundja në shah dhe doja ta lija, por ai tha:— Jo, ulur! Loja e parë është e kalamajve.


Kudo që shkova në jetë, mësimet dhe shembulli i tij më dolën përpara. Falë tij, u bëra student i mirë dhe do ta kujtoj gjithmonë me mirënjohje të përjetshme.

Ky është Konispoli i kujtimeve të mia një qytet i vogël me njerëz të mëdhenj, ku çdo rrugë ka një histori dhe çdo mësues i mirë mbetet përgjithmonë në zemër.


Comments


bottom of page