top of page

"Kujtesa që flet përmes fotografisë"

Nga Arjola Kondakçiu


(Rreth ekspozitës "KUJTOJ" të Flamur Jakupit)


Në një atmosferë të mbushur me emocion e reflektim u hap te galeria "Nikolet Vasia" në Durrës ekspozita fotografike “Kujtoj” e Flamur Jakupit, kushtuar veprimtarive artistiko-kulturore të ish pallatit të kulturës "Rinia", përgjatë viteve 1970-1990, ku ai vetë ka qenë prezantues i shumë aktiviteteve.

ree

Në muret e sallës kujtimet merrnin formë, sepse më shumë se imazhe ishin dhe janë dëshmi të një kohe që flet. Çdo foto rrezatonte ngrohtësi duke rikthyer fytyra, emocione e ngjarje, si një homazh i ndjerë për kujtesën kolektive, artin dhe historinë e një periudhe që ka lënë gjurmë të thella në jetën kulturore shqiptare.

Në fjalën e hapjes, Flamur Jakupi ndau me përulësi me publikun entuziazmin e tij për këtë projekt, duke theksuar përkushtimin shumëvjeçar që e shoqëroi në mbledhjen e këtyre materialeve fotografike.

Tema “Kujtoj” nuk ishte zgjedhur rastësisht. Ajo ngërthen në vetvete lidhjen e ngushtë midis kujtesës dhe historisë, dy shtylla që mbajnë gjallë identitetin kulturor të një kombi.

ree

Përmes përzgjedhjes së fotografive

F. Jakupi synonte të sillte në vëmendje njerëzit që ndërtuan me pasion jetën artistike e shoqërore të dekadave të kaluara, dhe që me përkushtim i dhanë frymë qytetit dhe artit.

Madje nëpërmjet gjallërive të fotove përçohej me dashuri edhe respekti për njerëzit e punës, për artistët që me zërin, humorin, muzikën, përkushtimin, bashkëpunimin dhe miqësinë e tyre, në atë stampim ruanin shpirtin e një epoke duke bashkuar breza artistësh, këngëtarësh e humoristësh, që dëshmojnë fuqishëm se arti nuk është vetëm shfaqje, por edhe lidhje njerëzore e shpirtërore.

Risi e ekspozitës ishte edhe afishimi i emrave të spikatur ndër vite si: punonjës të përkushtuar, prezantues, muzikantë e orkestrantë që mbajtën gjallë melodinë e qytetit, këngëtarë të ftuar nga gjithë Shqipëria, lektorë nga Tirana e Durrësi, dhe aktorë humoristë që sollën buzëqeshjen në skenë duke i dhënë gëzim e dritë publikut shqiptar.

Në udhëtimin përmes fotografisë, kujtesa bëhej histori dhe historia kthehej në ndjenjë. Falë punës së Flamur Jakupit shumë momente të çmuara të së kaluarës marrin sërish frymë duke dëshmuar se "e bukura dhe e vërteta nuk humbasin kurrë" kur dikush i kujton.

ree

“Kujtoj” nuk është thjesht një ekspozitë e heshtur, por ia vlen ta vizitoni deri në datën 12 Nëntor, sepse flet me gjuhën e respektit dhe mirënjohjes, si një akt dashurie ndaj historisë së artit shqiptar, dhe si një rikthim tek rrënjët që na mbajnë të bashkuar për vazhdimësinë.


Comments


bottom of page