top of page

Kur nuk futesh në Kuvend, por futesh në Histori

Nga Tanush Çaushi


Disa ditë më parë, opinioni publik u trondit nga një zhvillim që për shumëkënd u duk si goditja fatale ndaj një prej lëvizjeve më të mëdha që ka njohur ndonjëherë politika shqiptare: "Shqipëria Bëhet". Befas na i duk se edhe politikanët e rinj ishin si të vjetrit.

Opinionistët e blerë shqiptarë rendën ta baltosnin kush e kush më parë në shërbim të pushtetit të Ramës.


Pas një fushate të mbushur me shpresë dhe pasion, ku qytetarët më në fund besuan se mund të kishte një politikë pa pazare, pa fytyra të vjetra dhe pa përulje, mandati që i takonte Adriatik Lapajt sipas vullnetit të votës së hapur nuk iu dha atij.

Ai ishte i pari në listën e hapur, dhe koalicioni me mbi 60,000 vota të drejtpërdrejta. Një besim që nuk është ndërtuar mbi flamuj partiakë, por mbi përulësi, ide dhe dinjitet, por KQZ vendosi ndryshe.

Mandati kaloi tek një emër tjetër, Kleana Xhuveli si një e re e panjohur për publikun, e cila papritur u bë simbol i një vendimi që për shumë qytetarë u duk si vrasje e vullnetit qytetar.

Por, ndryshe nga sa është parë zakonisht në këtë vend, nuk ndodhi as shpërbërje, as pazar, as hakmarrje, por ndodhi heshtje, reflektim, qëndrim.

Dhe shpresa që dukej se po shuhej, nisi të rilindë nga një formë më e lartë e vetëdijes qytetare.


Heshtja që foli më shumë se çdo protestë

Në vend të shpërthimeve, në vend të ndarjes, në vend të zhurmës së zakonshme politike, ndodhi ajo që shqiptarët nuk e kanë parë shpesh: reagimi i dinjitetshëm dhe i përmbajtur.

Adriatik Lapaj, i ndëshkuar padrejtësisht nga një sistem që s’di si të përballojë figurat që nuk kontrollon, zgjodhi të mos e përdorë zhgënjimin si armë, por si forcë morale.

Ai nuk sulmoi askënd dhe nuk bëri fushatë viktimizimi. E vetmja gjë që tha ishte se kauza është më e madhe se një mandat, dhe se kjo betejë do të vazhdojë jo për karrige, por për votën e ndershme që nuk duhet të ndrydhet më asnjëherë.


Edhe Kleana Xhuveli, në vend që të fshihej pas vendimit formal, doli publikisht dhe deklaroi se mandati që i është dhënë nuk është përfitim, por barrë e rëndë përgjegjësie, dhe se ajo do të jetë aty vetëm për të garantuar që vullneti i qytetarëve të mos shkelet më kurrë deri kur drejtësia tja japë mandati të zotit, z.Lapaj.

Kjo nuk është sjellje politike tradicionale, por është politikë e re në praktikë, jo në fjalë.

Kleana Xhuveli
Kleana Xhuveli

A është kjo humbje? Apo pikërisht ajo që e rrit “Shqipëria Bëhet”?


Në shikim të parë, kjo mund të jetë perceptuar si një disfatë. Por faktet flasin ndryshe.

E para: Adriatik Lapaj u votua më shumë se çdo kandidat tjetër në listë të hapur në Shqipëri nga Koalicioni.


Së dyti: Shqipëria Bëhet u kthye në një lëvizje që ngjalli shpresë në të rinjtë, profesionistët, emigrantët dhe ata që nuk kanë votuar prej vitesh.


E treta, pas “shpalljes së humbjes”, ndjekësit e kësaj lëvizjeje në rrjetet sociale u rritën me mijëra dhe u forcuan


Dhe më e rëndësishmja: asnjë nga figurat e saj nuk u përlye, nuk u përça, nuk e shiti moralin për të përfituar personalisht.

Kur je i ndershëm dhe reagon me dinjitet, humbjet e momentit shndërrohen në fitore afatgjata.

Kjo është arsyeja pse Shqipëria Bëhet po del nga kjo situatë më e fortë, më e qartë dhe më e organizuar se kurrë.


Kur nuk merr mandatin, por merr Shqipërinë me vete


Ata që menduan se me një vendim të KQZ do të mbyllnin lëvizjen, harruan një gjë të thjeshtë:

Mandati jepet nga një institucion, por besimi jepet nga qytetari.

Karrigia mund të shkojë për një emër tjetër, por kauza e drejtë nuk i nënshtrohet dekretit. Lëvizja mund të jetë pa përfaqësim formal, por kur ka përfaqësim moral, ajo nuk ndalet dot më.

ree

Lapaj është sot jashtë Kuvendit, por në të njëjtën kohë, është brenda çdo zemre që besoi dhe vazhdon të besojë se Shqipëria mund të bëhet ndryshe. Ai ka hyrë në historinë politike moderne shqiptare.

Dhe kjo është fuqia e vërtetë e një ideje që nuk mbështetet në pazare, por në njerëz.

Shqipëria Bëhet është ende në këmbë. Jo sepse i dhanë një mandat, por sepse mijëra qytetarë kanë vendosur të mos i dorëzojnë më votën e tyre askujt që s’e meriton.


Comments


bottom of page