top of page

KUR TAKOHEN BREZAT

Nga Arjola KONDAKÇIU

"Me se merresh? Ç'profesion ke?"...

Këto janë ndër pyetjet e bisedës hapëse mes miqve të rinj nëpër ambientet letrare, por edhe më e sikletshmja, që të krijon një lloj ngërçi në përgjigje.

ree

Përtej talentit, numrit të librave të botuar a çmimeve letrare edhe përtej kufijve, të qenurit 'shkrimtar' nuk konsiderohet një profesion i mirfilltë te ne.

Autorët investojnë kohë, energji e para nga vetja, për të mbajtur gjallë pasionin e tyre, nga ku krahas sakrificave për t'u kujdesur për familjen dhe përballjes me sfidën e profesioneve nga më të ndryshme, synojnë që humanizmi i tyre të jetë vlerë edhe në përçimin e letërsisë ndër breza.

Prandaj është për t'u vlerësuar Klubi i Letrave "Ndoc Gjetja" në Lezhë, i cili në kuadër të muajit 'tetori fishtjan' organizoi së fundmi aktivitetin letrar "Ora e Muzës - Lissus", te një nga sallat dinjitoze të Pallatit të Kulturës.

ree

Me apo pa përkrahjen e institucioneve, individë me peshën e përgjegjësisë dhe ndjeshmërisë, falë vullnetit, bashkëpunimit dhe ngulmimit, ia kanë dalë mbanë duke arritur në edicionin e 14-të të këtij takimi letrar, që përfshiu krijues nga të gjitha trevat shqiptare.

Duke qenë vetë pjesëmarrëse për herë të parë, më bëri përshtypje jo vetëm organizimi dinjitoz, që tregonte një vlerësim për nivelin e letërsinë falë përzgjedhjes së krijimeve poetike, por edhe gatishmëria e institucioneve si: Bashkia e Biblioteka, të cilat më lanë një shije përshtypjesh të këndshme në atë qytet të bukur me rrënjë të thella historike e letrare, që përçonte frymën e një tradite që nuk shuhet.

Ajo që e kam përzemër është edhe aspekti i inkurajimit të të rinjve letrarë, që në këtë aktivitet e kishin përherë një ftesë mikpritjeje, sepse entuziazmi i organizatorëve nuk mungonte për t'u krijuar një mundësi prezantimi, nëpërmjet pjesëmarrjes.

ree

Përtej çmimeve, takime të tilla të efektshme janë frymëmarrje. Ato rikujtojnë vlerën e kontaktit njerëzor, të bisedave për letërsinë, të shkëmbimeve të librave apo edhe kënaqësinë e të të dhënurit autografe, që mbajnë aromën e përshtypjeve të momentit.

Në një kohë kur teknologjia po e zbeh lidhjen me librin këto forma të thjeshta e të sinqerta të komunikimit mbeten të përjetshme, si metoda praktike që nuk dalin kurrë nga moda.

ree

Përkundrazi, bëhen burim inkurajimi, frymëzimi dhe rikthimi te ajo copëz ndjesie e bukur kujtimi që i shoqëron në të përditshmen e tyre autorët, dhe u grish frymëzimin për motivimin me krijime të reja deri në pritjen e një takimi tjetër letrar, ku muzat sërish do të prekin njëra-tjetrën me fjalë poetike.


Arjola KONDAKÇIU

Comments


bottom of page