top of page

Love in Albania nga Olta Totoni

  • Aug 22, 2019
  • 2 min read

Shumë shkrimtarë britanikë kanë kontribuar në forma të ndryshme për Shqipërinë. Një prej tyre ishte dhe Erik Linklateri, një shkrimtar britanik (skocez i lindur në Uells) i cili gjatë gjithë jetës së tij kishte shkruar poezi, tregime, libra me udhëtime dhe histori ushtarake. Ai ishte arsimuar në Aberdeen dhe komedinë e tij të parë e kishte shkruar kur ishte një student. Në vitet 1925-1930, Linklater u vendos në Indi dhe aty ai u bë redaktor dhe asistent profesor i gjuhës angleze. Ai shkroi 23 romane, tre volume me tregime, 10 drama, 3 autobiografi etj. Njërën prej shkrimeve të tij, ai ja dedikoi Shqipërisë dhe kjo ishte komedia “Dashuri në Shqipëri”.

“Dashuri në Shqipëri” do të konsiderohej e rrallë për kohën. Ajo ka një stil të veçantë dhe për të do të shkruhej dhe në gazetat britanike të atëhershme. Njëra prej tyre ishte gazeta “The Spectator” e vitit 1949. Kjo gazetë e përshkruante kështu këtë komedi:

“Nqs ju doni Brylcreem, Zoti Linklater nuk është ai që ju kërkoni; por nqs do të doni të shihni një shfaqje të bukur, energjike e cila është reminishenca e Chestertonit (dhe audienca nuk arrin të bëjë dallimin mes të dyjave) atëherë unë do të të rekomandoja “Dashuri në Shqipëri”.

Në këtë gazetë vlerësohej dhe përshëndetej stili i të shkruarit i cili e bëntë këtë komedi të dallonte nga të tjerat.

Ngjarja ndodh në një apartament në Londrën e vitit 1944. Ky apartament banohej nga Zonja Loun, një vajzë e artë, nga bashkëshorti i saj burokratik dhe shërbëtorja e tyre zemërmirë skoceze. Zoti Linklater i shton komedisë dy vizitorë. Vizitori i parë është një shkrimtar i ri i quajtur Ramilis. Ai ka shkruajtur një libër në të cilin përshkruan shërbimin e tij me partizanët e Shqipërisë. Ky libër e ka bërë të famshëm. Vizitori i dytë ishte një ish-rreshter i policisë amerikane i cili dyshon se Draga, një vajzë e bukur e cila luante një rol të madh në operacionet dhe që zhduket pa lënë gjurmë është vajza e tij e humbur.

Apartmenti i Lounëve i transformuar në një pikë ballkanike zjen nga bisedat që bëhen gjatë natës. Nuk ndodh ndonjë gjë e madhe por të pestë karakteret janë të vëzhguar mirë dhe predikimet e tyre shihen sikur ata kanë bërë ndonjë gjë të madhe.

Në 17 korrik 1948 në New York Times do të shkruhej se komedia “Dashuri në Shqipëri” ka pasur lëvdata të mëdhaja. Karakteristikë e veçantë e autorit është shkrimi i komedisë pa një subjekt dhe pjesa më e madhe saj ka biseda të bëra pafundësisht.

Në gazetën “Observer” të vitit 1949 thuhej se “ Kjo është bota e teatrit” plot me ulje dhe ngritje – e paparashikueshme! Sipas kësaj gazete ulje-ngritjet në komedinë e Linklaterit ishin verbale dhe se ai e braktiste përmbajtjen.

Komedia do të shfaqej dhe në skenat teatrore Britanike të asaj kohe (vitet 1950), ku rolin e Zonjës Loun e luante Brenda Bruce, rolin e bashkëshortit të trishtuar e luante Robin Bailey dhe rolin e Ramilis e luante aktori Peter Jones. Ata vlerësoheshin për lojën e tyre teatrore dhe aftësinë për të përcjellur stilin e veçantë të autorit.

Erik Linklater është një prej shumë shkrimtarëve britanikë që nëpërmjet penës së tij e vendosi Shqipërinë në qëndër të veprës së tij.

 
 
 

Comments


bottom of page