top of page

Mondi Poda, përjetë mes nesh. Buzagaz me shpirtin e madh

Nga Bardhyl BEJKO


Mondi Poda do të mbetet përjetë mes nesh,buzagaz me shpirtin e madh, një emblemë e Ksamilit në biznes dhe zhvillim

Mondi Poda
Mondi Poda

E njihnim të gjithë Mondin e qeshur me shpirtin të pastër si kristal. U rrit buzë detit. U burrërua në det. Gjuetar i peshkut e midhjes. Djali i shkathët me zemër të bardhë. Mik me të gjithë. Vëlla me ksamiliotët e vrinjarët, me sarandiotët e konispolatët. Punëtor e këmbëngulës si Mundi zor se gjen një të dytë. Kurrë nuk u shfaq fytyrëngrysur. Asnjëherë nuk tha u lodha. Me buzën në gaz, priti e përcolli, atje buzë detit, shkodranët e korçarët, dibranët e tiranasit, kukësjanët e vlonjatët. Mondi ishte djali buzagaz që u rrit dhe jetoi në Ksamil edhe para viteve 1990. kur ishte kopështi i pemëtarisë, portokalleve dhe ullinjëve, po i varfër, ku të gjithë vuanin për një shtëpi dhe vetë familja Poda, ardhur herët në këtë qytezë nga Korça, vuante mungesën e një banese të përshtatshme për të jetuar. Këtu, në Ksamil jetoi edhe pas viteve 1990, kur qyteza u rrit dhe u bë një qendër e njohur në tërë globin. Në këtë qytezë, Mondi u dallua si biznesmen i spikatur me tërë vëllezërit e tij, të cilët përmes punës dhe përkushtimit të jashtëzakonshëm ia arritën të ndërtojnë një parajsë turistike në një nga gjiret më piktoreske, emrin e të cilët e pagëzuan banorët punëtorë ksamiliotë si “ Gjiri i Podajve”, duke i dhënë kështu emrin e fisit njërës prej perlave të gadishullit, tanimë emblemë e turizmit shqiptar.

Kush e njohu Edmondin dhe nuk u miqësua me të! Cili i trokiti në hotelin luksoz dhe nuk u mirëprit krahapur për të vërtetuar çdo ditë një nga krenaritë e shqiptarëve, mikpritjen dhe bujarinë. Virtytin e respektit për mysafirët e gjen tek të gjithë vëllazëria Poda, te nipat dhe mbesat e tyre të shumtë. Për çfarë të flasësh për Mondin e apasionuar pas zhytjes në thellësitë e detit dhe liqenit përbri? Të numërosh ditët në gjueti apo punën e pandërprerë që nga themelet deri tek aredimi i hotelit luksoz, që rrihet nga puhia e dallgëve të Jonit dhe në fasadën përballë ka të gdhendur portretin e Mondit.?! Ikja nga jeta shumë para kohe e Mondit, korçaro-ksamiliotit të respektuar, babait shembullor dhe bashkëshortit të përkushtuar, biznesmenit të talentuar, njeriut të devotshëm dhe qytetarit model, vetëm 63 vjeç është një humbje e madhe, e rëndë që na shkaktoi të gjithëve tronditje të thellë!

Iku një qytetar dhe prind, njeriu i mirë dhe i respektuar Edmond Poda. Një familjar i devotshëm, gjithnjë me buzën në gaz. Dhimbje për familjen, vëllezërit e motrat dhe të gjithë ata që e njohën deri në skajet më të largëta të globit.

Ksamilit i iku njeriu punëshumë dhe qytetari që rrezatoi ide dhe bashkë me Podajtë e tjerë i shtoi Ksamilit një perlë të ndritëshme në gjerdanin e hijshëm të një qendre turistike model. Iku, po kujtimi i Mondit, buzëqeshja dhe pozitiviteti i tij do të mbetet në piedestalin që vet ai ndertoi me punë, përkushtim, dashuri dhe vullnet të paepur. Familjarët dhe miqtë e Mondit e dinë shumë mirë se sa jetë të ketë mbi dhe, Edmond Poda, Mondi ynë, do të mbetet i gjallë midis nesh. Përherë krahëhapur dhe buzagaz në pritje të gjithë atyre që do të trokasin në hotelin brilant, vepër e Edmond Podës tonë të dashur!

Commentaires


bottom of page