top of page

Më mirë të humbësh një sy se emrin e mirë...

Nga Pajtim Çaushi

ree

Hyrje


Esati ishte djali i Rexhepit dhe i Kadries, dy prindërve punëtorë e të respektuar në Konispol.

Vazhdoi profesionin e të atit duke punuar tek floktorja e vet në Qendër.

U martua me një vajzë shumë të mirë, të urtë e punëtore, Garrufo quhet. Lindën tre fëmijë që i rritën me djersën e vet dhe me shumë virtyte njerëzore, Elviren, Ardianin, Valentinen.

Esati iku shpejt dhe papritur nga kjo jetë. Si i thonë, u sëmurë sot dhe u largua nesër.


Portret i paautorizuar


Kushdo nga konispolitët që e ka njohur apo që e ka lidhur puna me Esat Lamen e ka parasysh portretin e tij. Ai është skalitur në kujtesën time me një dukje të veçantë dhe interesane.

Trup mesatar, flokëgështenjë, bardhosh nga pamja, i qetë e i patrazuar në dukje. Lëvizte me ecje të ngadaltë e vështrim kureshtari ku hidhte këmbët apo ku shkonin sytë e kaftë.

Të përshëndeste vetë i pari duke i shoqëruar fjalët me buzëqeshje të çelur e shpesh hokatare. Të folurit e kishte të menduar, pa nxitim e nerva.

Kishte zakon të pyeste për ato që mendonte ai apo për ato që nuk i dinte. Më ka rastisur të bisedoja shpesh me Esatin pasi ishim thuajse në një lagje. Në shumë raste udhën Qendër përroi i Feimit ose e kundërta e bënim bashkë. E veçanta e bisedave me atë njeri të mirë ishte se më shumë pyeste dhe përdorte shumë frazeologjitë e ligjërimit biedor kur ndërhynte. Po sjell disa nga rastet e mbetura në kujtesë.


1. Në arën e të gjithëve bëjnë sikur punojnë


Ishte e diel. Që herët me nxënësit e gjimnazit ishim nisur për aksionin e pastrimit të trasheve të hapura për raste sulmesh nga jashtë. Klasa ime ishte caktuar të sistemonte kanalet mbrojtës tek ullishtja poshte shkollës. Nga ora një mbaruam dhe po kthehesha në shtëpi. Edhe Esati po kthehej nga puna. Kur dëgjoi përgjigjen time për pyetjen ku isha, ai më vështroi me atë nënqeshjen e vet karakteristike.

- Ke ndonjë çik njohuri për këto punët e luftës e të mbrojtes? - pyeti.

- Di ca gjëra, jo dhe aq shumë, po pse më merr në provim? - e pyeta në stilin e tij hokatar.

- Po ja, mua më duket se ato transhe ku pastrove me klasën janë aq poshtë në përrua sa duket sikur do mbrohemi Shehati!... Nuk t'u dukën kështu edhe ty? - tha duke pritur përgjigje.

Në fakt ai kishte të drejtë, transhetë qenë poshtë në përrua.

- Ashtu duken, po s'di ç'të them pse i kanë hapur atje, ia ktheve sinqerisht.

- Hë mo se shaka bëra... Punë vullnetare, në arën e të gjithëve bëjnë sikur pastrojnë! - ia bëri buzagaz.


2. Këta mashtrues kujtojnë se ne jemi budallenj?...


Pas ndërrimit të karrigeve në vitet '90 dihet, shumica e njerëzve u zhgënjyen. Të kënaqur mbetën dhe mbeten ata që ndenjëset e pushtetit i kthyen në privilegje për prona e pare të rrëmbyera padrejtësisht. Megjithatë, nga fjalamanët politik të partive, sips hipje - zbritjeve, flitej dhe flitet për arritje të mëdha.

- Hë, më tha një mëngjes, e dëgjove debatin në tv mbrëme tek Fevziu?

- E dëgjova, po harrova ç'dëgjova, ia ktheu për ta ngacmuar.

E kapi në ajër ku desha të dilja, ishte shumë i shkathët dhe i zgjuar.

- Ore, m'u drejtua disi nervoz, ç'mendojnë këta mashtrues e hajdutë, kujtojnë se ne jemi budallenj e ata na e hedhin kur të duan?... Phu, ç'plehra ka ky vend!

- E ke mirë floktoren Esat?... Hë, atë të shohësh se ndonjerit nuk i bie në mend për ne, i thashë.

Më kapi cepin e xhaketës e më tundi lehtë.

- Plotësisht dakort, ia bëri, kot nuk thuhet, më mirë duart e zënë me punë se goja e zënë me fjalë.

3. Maçoku dhe njeriu që flenë nën fik...


Ishte i dashur e mikpritës. Një ditë punonte me vajzën e madhe, Vilën tek muri mbajtës që bëri nga ana e përroit. Më ftoi të kthehesha në shtëpi. Kundërshtova se qe kohë dreke. Më ktheu thuajse me zor. Ishte ditë me diell. Qëndruam jashtë nën fikun e oborrit. Garrufua, një grua mikritëse e rrallë si i shoqi, na e shtroi me gjithë të mirat.

U ktheva për pak kohë, por qëndruam gjatë. Ndërkohë, pranë tavolinës një maçok, i ngrohur nga rrezet e diellit, qe shtrirë dhe ia kishte këputur gjumit. Esati e zgjoi duke e qëlluar lehtë me majën e këpucës.

- Ç'ke me të o njeri, lere të kënaqet me gjumë, bëra shaka.

- Maçoku dhe njeriu që flenë nën fik, nuk zënë as minj e as miq! - ma ktheu me të qeshur.

ree

4. Gomari i Esatit - ndihmë për të gjithë


Esati mbante në shtëpi një gomar. Kush ia kërkonte për ndonjë transport, ia jepte pa e kursyer. Edhe unë e kisha marrë disa herë. Esati nuk ia ndalonte gomarin askujt, mirëpo, mirësia e ndihma e kanë një cak.

Dikush në lagje e kapërceu këtë cak. Jo vetëm kaq, po edhe e ngarkoi aq rëndë kafshën e gjorë, sa desh ra në përrua bashkë me ngarkesën. Esati e vërejti skenën dhe ndieu keqardhje për mallin e vet. Megjithatë, nuk i tha asgj në fillin huamarrësit. Kur ky filloi të ankohej për gomarin duke e quajtur ngordhalaq e dembel, Esati ia priti me qetësi filozofi.

- O gjiton, i tha, nuk u bën mirë syve, po të shohin gjithmonë gjënë e tjetrit!

Mori gomarin nga kapistra dhe e çoi në shtëpi të tij

Përfundim

Secili që bën segmenin e vet të jetës në Tokë le një gjurmë. Ajo mund të jetë e madhe apo e vogël, e kthjellët apo e mbuluar, hije karikature apo gjallesë e pikturuar.

Est Lame në pjesën e vet të jetës (16 prrill 1947 - 3 maj 2018) ka mbetur në kujtesën time njeri i papërtuar dhe i nderuar, i mirë e i pakursyer, i dashur e i respektuar, punëtor i dalluar.

Tiranë, 10 dhjetor 2025

Comments


bottom of page