Padrejtësia vazhdon me detin e Konispolit
- miremengjes.net

- Sep 10
- 2 min read
Nga Petrit Mulla
(E dua vendin tim)
Gjithmonë kam dashur detin, por ne nga Konispoli vetëm ndjenim puhinë e Jonit, pa pasur mundësinë ta shijonim plotësisht. Ai det që edhe në gjuhën shqipe quhet Jon, sepse është “joni”, na u ndalua padrejtësisht nga Fuqitë e Mëdha, të cilat në mënyrë të vazhdueshme kanë ndëshkuar Shqipërinë.
Europa historikisht është treguar e pamëshirshme ndaj shqiptarëve, duke e ndarë atdheun e shqiponjave si plaçkë tregu për të kënaqur oreksin nacionalist të fqinjëve tanë greko-serbë. Shqipëria u gjymtua me vendime të padrejta, të marra në tavolina ambasadorësh, duke u katandisur “kokoshi një thelë”.

Në Konferencën e Ambasadorëve në Londër (1913), gjashtë diplomatë të fuqive të mëdha, mes gotave të verës franceze, vendosën fatin e shqiptarëve si të ishte një lojë pa asnjë lidhje me jetët e njerëzve. Ata i hoqën Shqipërisë mijëra kilometra katrorë tokë shqiptare dhe lanë jashtë kufijve një popull të tërë, të pambrojtur e të paorganizuar.
Europa heshti edhe për tragjeditë e mëvonshme: për Çamërinë martire të grabitur nga Greqia, për Kosovën e masakruar nga Serbia deri më 1999, për Preshevën, Medvegjën e Bujanocin, si dhe për shqiptarët e Maqedonisë, të cilët trajtohen si qytetarë të dorës së fundit.
Në këtë udhëkryq historik, shqiptarët duhet të jenë mirënjohës përjetë ndaj Austro-Hungarisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që mbështetën ekzistencën e këtij shteti dhe më vonë shpëtuan Kosovën nga kthetrat serbe.
Joniani i ndaluar dhe padrejtësia e pronave
Kur dal nga shtëpia, para syve më shfaqet Joniani i ndaluar, dhe menjëherë më vjen ndër mend krahina jonë e mbetur jashtë kufirit, edhe pse kullotat e Konispolit zbresin natyrshëm deri në brigjet e detit Jon.
Këto prona, të trashëguara brez pas brezi nga gjyshërit tanë, u shfrytëzuan nga pronarët konispolatë deri në vitin 1945, kur kufiri u mbyll nga regjimi diktatorial i Enver Hoxhës. Pas atij viti, shteti grek i depozitonte të ardhurat e këtyre pronave në Bankën Agrare të Greqisë, sipas emrave të pronarëve të Konispolit, deri në vitin 1989.
Fatkeqësisht, shteti shqiptar – as gjatë komunizmit, as pas viteve ’90 – nuk u interesua kurrë seriozisht për fatin e këtyre pronave. Edhe kur u kujtua, interesimi ishte vetëm për të marrë të ardhurat, jo për të kthyer pronën dhe të drejtën tek i zoti.

✍️ Nga Petrit Ali Mulla
📍 Konispol, 10 Shtator 2025
Përgatiti për publikim: Redaksia miremengjes.net




Comments