Petrit Mulla: "Pazaret e Konispolit rrëzohen në vitin 1967 nga regjimi komunist"
- miremengjes.net

- Sep 1
- 2 min read

40 dyqanet e Konispolit
Konispoli, siç e kam treguar me shumë kënaqësi edhe në postimet e tjera, ka një histori të bukur, të lavdishme dhe një zhvillim të gjithanshëm politiko-ekonomik e patriotik. Është një e kaluar që na bën të ndihemi krenarë, ne konispolatët, për qytetin tonë.
Këtë herë dua të ndalem tek Pazaret e Konispolit, të cilat kanë qenë një kryevepër e vërtetë arkitekturore.
Një qendër e hershme tregtare
Pazaret e Konispolit, që përfaqësonin qendrën e qytetit, u ndërtuan në fillim të shekullit XIX. Ato kishin arkitekturë tipike të qyteteve mesjetare, duke ngjarë me pazaret e Filatit, Delvinës, por edhe me qendrën e Korfuzit përballë.
Edhe pse Konispoli ishte nën ndikimin e kulturës turko-islamike, tregtia e zhvilluar me Korfuzin dhe kontaktet me kulturën europiane, sollën elemente të Iluminizmit Europian. Kjo ndikoi jo vetëm në mënyrën e jetesës, por edhe në arkitekturë: shtëpi dykatëshe, porta me qemer dhe, mbi të gjitha, në ndërtimin e Pazarit.
Struktura e pazarit
Në qendër shtrihej një rrugë me kalldrëm, e rrethuar në të dy anët nga rreshta dyqanesh të lidhura me njëra-tjetrën si një ansambël arkitektonik i gjallë. Dominonin ndërtimet dykatëshe dhe funksiononin dhjetëra dyqane me shërbime të ndryshme: restorante, kafene, ushqimore, kasapë, këpucari, rrobaqepësi, hotele, berberhane, samarxhinj dhe zanate të tjera.
Pronaret kryesorë të dyqaneve ishin familjet e njohura të qytetit: Izet Daut Izeti, Hajrullenjtë, Muderrizenjtë, Plakanjtë, Dalanenjtë, Nuri Besho nga Markati etj.
40 dyqanet e Konispolit
Lista e dyqaneve ishte e pasur dhe e larmishme. Ja disa prej tyre:
Satedin Muderrizi – tregtar ushqimesh
Nuri Besho – tregtar djathi, gjalpi dhe hotel
Vezel Madani – tregtar manufakturash
Kaso Malo – tregtar kinkalerie
Abedin Veshi – tregtar ushqimesh
Braho Bane – kinkaleri
Ramadan Taka – kafene
Sali Dalani – kafene
Halit Çaze – këpucari
Rushan Mulla – këpucari
Rexhep Laze – berberhane
Veip Avdiu – furxhi
Vëllezërit Hajrullahu – pyjetore, kafene, ushqimore
Teti Minina – kasap
Galip Kuçuku – kafene
Mustafa Bilali – kafene
Mero Plaku – ushqimore
Nimet Malo – ushqimore
Telha Plaku – ushqimore
Hari Diamandi – rrobaqepës
Jani Çoliu – tregtar vajguri
Nasho Kondoj – furxhi dhe tregtar
Dhe shumë të tjerë që shërbenin në ato pazare, deri në vitin 1967.
Rrëzimi nga regjimi komunist
Në vitin 1967, në kuadrin e “luftës kundër çdo gjëje të vjetër”, regjimi diktatorial i Enver Hoxhës, i frymëzuar nga Revolucioni Kulturor Kinez, i shkatërroi Pazaret e Konispolit. Me kazma dhe buldozerë, u rrëzua një trashëgimi e rrallë kulturore dhe arkitekturore, duke zhdukur një pjesë të historisë së qytetit.
Sot, pas më shumë se gjysmë shekulli, është e vështirë të dallosh gjurmët e tyre, ndërsa konispolatët mbi 65 vjeç ende i mbajnë mend me nostalgji pazaret që u rrëzuan padrejtësisht.
✍️ Nga Petrit Ali Mulla, Konispol
📅 1 Shtator 2025




Comments