POEZI nga vëllimi DRITËZIM IKJESH... i poetes Klejda Plangarica
- miremengjes.net
- Nov 1, 2022
- 1 min read
Braktisja
Gjithë jetën time të desha
Të urreva më shumë se kaq...
Sot pas shumë kohësh
I fshiva përsëri pluhurat
Edhe në to kish lënë gjurmë Braktisja.
Të paprekura, jetuan më shumë se një ditë
Me shenjat e gishtërinjve të tu përsipër
që tani e humbën shenjtërinë e tyre
të ruajtur me aq fanatizëm..
U hakmora kështu për ty
me pluhurat rivalë
S'ke si ta dish c'hakmarrje ish!
Ata më kishin rrëmbyer
gishtrinjtë që patën prekur trupin tim...

Shpresë
Pareshtur hedh guralecë dhimbjesh
mbi një det që nuk e shoh,
Por, e di që është...
A thua do krisë ndonjeri
një guackë perle
të fshehur për mua...?
Liqeni
Ashtu i drithshëm, ashtu i thellë,
Dëshirë dhe drojë njëkohësisht...
O lot mister që mbet në sy
Në ty, E bukura emrin fsheh.
Ikjet nga ti, në kthime kthehen
Se ti në cdo zgjim timin lind diellin...!
Julkës
Je kështu, e këndshme si deti,
E trazuar si ai në erëra.
E tejdukshme si vala.
Në ecjen tënde,ke prapë dicka prej tyre
Ndoshta finesën, a ndoshta gjallërinë...
Me flokët gjysmëbiond të derdhur supeve
Pa asgjë të kaltër,
Megjithatë ndjell kaltërsi...!

SHËNIM:
Mendoj se Klajda është një risi në poezinë tonë bashkëkohëse. Këto shfaqen natyrshëm në rrjedhën e brendshme nëntekstor të mendimit, në përdorimin e fjalës dhe figurës, në thjeshtësinë e sinqeritetin e shprehjes poetike si dhe mënyrën estetike të strukturimit të vargjeve.
Ndërtimi ciklor i vëllimit të duket sikur është një shumësi ndjesishë të përjetuara në rrjedhën e jetës së përditshme, Por poetja nga përditshmëria përgjedh detajin, e ngre atë në art dhe e vesh me figuracion e mendim origjinal.
Redaksia e portalit MIRËMËNGJES.NET e falenderon auitoren që lejoi publikimin e poezive të veta në median tonë dhe i uron suksese kësaj krijuesje të talentua. // nga Pajtim Çaushi
コメント