top of page

"Politika nuk është më betejë idesh, por moçal i urrejtjes:


Nga KLEVIS ELEZI


Le ta themi hapur: shqiptarët nuk janë më të zhgënjyer nga politika… ata e urrejnë atë. Dhe nuk bëhet fjalë për një mllef të butë që vjen e shkon, por për një neveri të thellë, të ngulitur në palcë. Në kafene, në rrjete sociale, në tavolinën e drekës politika përmendet vetëm si burim talljeje, sharjeje dhe mallkimi.

ree

Kjo nuk ndodhi brenda natës. Për vite me radhë, të njëjtët fytyra na kanë shitur të njëjtat premtime boshe, duke e kthyer vendin në një teatër absurd ku rolet nuk ndryshojnë kurrë. Skandal pas skandali, korrupsion pas korrupsioni, një popull i tërë është trajtuar si spektator i një shfaqjeje ku biletat i paguan shtrenjtë, por ku gjithmonë del i mashtruar.


Polarizimi është bërë mjeti i tyre më i mirë. Na kanë ndarë në taborë armikësorë, duke na bërë të luftojmë me njëri-tjetrin ndërsa ata vazhdojnë të sundojnë. Rrjetet sociale, që dikur shpresonim të ishin armë kundër padrejtësisë, sot janë megafoni i zemërimit të papërpunuar shumë zhurmë, pak zgjidhje.


Ndërkohë, realiteti ekonomik e shoqëror është një plagë që nuk shërohet. Çmimet rriten, rrogat ngecin, të rinjtë ikin, fshatrat boshatisen. Dhe kur shikon luksin ku jeton klasa politike, kupton se hendeku mes tyre dhe nesh nuk është më politik është civilizues. Ata nuk flasin më të njëjtën gjuhë me qytetarin e thjeshtë, sepse nuk jetojnë të njëjtën jetë.


Sot nuk jemi më në fazën ku thjesht nuk shkojmë në votime nga mospërfillja. Jemi në fazën e refuzimit aktiv. Kemi kaluar nga “nuk i besoj” në “nuk dua t’i shoh”. Dhe kjo është e rrezikshme. Historia na ka treguar se kur zemërimi nuk kanalizohet në diçka konstruktive, ai hap derën për populistët ekstremë, kaosin dhe destabilitetin.


Por, ndoshta ky është edhe momenti i fundit për të zgjedhur një rrugë tjetër. Zemërimi mund të jetë benzinë për revolucionin qytetar, por vetëm nëse ka drejtim dhe vizion. Përndryshe, do të digjemi të gjithë në të njëjtin zjarr që sot po e ndiejmë si të ëmbël.


Sepse në fund të fundit, urrejtja ndaj politikës është një pasqyrë ku shohim më shumë se dështimin e politikanëve shohim edhe dorëheqjen tonë si shoqëri. Dhe ky është momenti kur ose e thyejmë pasqyrën, ose pranojmë që jemi bërë pjesë e shëmtisë që përbuzim.

Comments


bottom of page