top of page

Muzikanti i talentuar (Portret)

  • Apr 13
  • 3 min read

Nga Pajtim Çaushi

( Një portret për muzikantin e talentuar Ajet Purrizo, i realizuar me mjeshtëri nga shkkrimtari i njohur, Pajtim Çaushi )


1. Panoramë

Ajet Purrizo është një muzikant i talentuar. Jo shumë i dëgjuar në skenat e mëdha të qyteteve. Ai nuk e ka si disa që për diçka të vogël e bëjnë si pula kur lëshon vezën. Jo, punon, krijon dhe interpreton muzikë shqiptare e të huaj pa bërë zhurmë e reklamë në media apo rrjetet sociale.

Eshtë nga Purrizajt e Vërvës, të zgjuar, të aftë e të dëgjuar në gjithë krahinën e Konispolit. I ati Madani dhe e ëma Ilmieja qenë njerëz punëtorë e të nderuar, të qetë e të respektuar nga bashkëfashatarët e tyre.

Lindën djem e vajza të ditur, të aftë me prirje intelektuale.

Në fushën e muzikës patën prirje natyrale Ajeti për instrumentat muzikorë dhe motra Lumturia si interpretuese e këngës së lehtë e popullore.


2. Me firzamonikë në krah

Kur bëhen njësh vullneti dhe talenti, suksesi është i siguruar. Ajeti i pati të dyja ndaj triumfoi. Me durim dhe pasion, me kohë e pa kohë ai ushqeu dhe përkundi ëndrrën e vet të hershme, atë të muzikantit dhe kompozimit.

Kur arriti të përvetësojë magjinë e notave muzikore në tastierën e fizarmonikës, u bë me krahë gëzimi.

Me kohë e caktuan punonjës kulture dhe mësues muzike në tetëvjeçren e Vërvës. Prej andej u aktivizua edhe në shtëpinë e kulturës të Konispolit. Më vonë edhe në veprimtaritë artistike- kulturore të shkollës së mesme në qytet.

Në ata vite shumëkush ka shikuar fshatrave të zonës së Konispolit një djalë me firzamonikë në krah që shoqëronte shfaqjet e grupeve artistike në Janjar e Ninat, Markat e Shalës, Çiflik, Vërvë e Dishat.

I qetë, me buzëqeshje të lindur, mirëkuptues dhe i dashur me të gjithë.

Dhe respekti i të gjithëve për Ajetin ishte i plotë.


3. Familja

Ajeti u martua me Silvanën, një vajzë e bekuar për mirësi e respekt. Ishte e familjes së Rexhep Kareçit, njeriut model për respekt në Konispol,

Vana kishte lindur me buzë në gaz dhe fjalë të ëmbël në gojë. Sollën në jetë dy fëmijë të zgjuar e të edukuar, Denardon dhe Megin.

I rritën me kujdesin që rriten dy lule të hijshme ne koshtin shtëpiak e shkollor.

Mirëpo të mirës asnjëherë nuk i ndahet e keqja. Vana, bashkëshortja e Ajetit dhe nëna e fëmijëve iku shumë shpejt nga jeta. Ajo la në hidhërim të thellë jo vetëm familjen, por gjithë sa e njohën në vitet e saj të gjallimit..

4. Në ndihmë të talenteve

Kur erdhi punonjës kulture dhe mësues muzike në Konispol punoi me kompleksin dhe korin e shkollës tetëvjeçre dhe të mesme. Organizoi veprimtari muzikore cilësore e mbresëlënëse.

Në shtëpinë e kulturës realizoi mes të tjerash edhe koncertin e bukur konkurues dhe me vlera të larta estetike "Buzëqeshje rinore". Juria e kryesuar nga Pajtim Çaushi vlerësoi me vend të parë këngëtaren e talentuar Blerina Kasemi me këngën"Lemza".

Gjithashtu në Festivalin Folklorik Berat për herë të parë Ajeti vuri në skenë këngën "Bubulina" të kënduar me nivel të lartë artistik përsëri nga këngëtarja Blerina Kasemi. Njëherësh përgatiti dhe vuri në skenë edhe këngën popullore "Çame moj syzeza çame" të muzikuar nga vetë Ajet Purrizo etj...

Punoi shumë me talentet e reja në shkollë dhe i ndihmoi për të hedhur hapa të sigurt në prirjen e tyre muzikore.

Nxënësit e gjimnazit e donin veçanrisht edhe për organizimin e mbrëmjeve të vallëzimit pasi ai lozte shumë bukur muzikë të lehtë shqiptare dhe të huaj.


5.Detaj shenjues

Kur në Konispol erdhi një grup stazhierësh për qëndrim një mujor, midis tryre ishte edhe këngëtarja shumë e njohur në atë kohë Alida Hysku.

Në koncertin që shfaqi në skenë natën e fundit e shoqëroi Ajeti. Të nesërmen organet partiake e shtetërore të kohës e lavdëruan. Por pas ca ditësh ndodhi absurdi. Alida Hiskun e arrestuan. Edhe qëndrimi për Ajetin u kthye kokëposhtë. Ç'ka hequr i shkreti për akuzat qesharake dhe kërcënimin serioz!...

Ke lozur muzikë të huaj, do shkosh në burg, i thanë.

Nuk e futën në burg, por njolla e akuzës qesharake mbeti ...


6. Përfundim

Edhe sot e kësaj dite unë kështu si në foto e parafytyroj Ajetin. Me veglën e fizarmonikës në krah. Me fjalën e qetë në buzen e qeshur. Të palodhur e të papërtuar.

Jo zhurmëtar bosh në ekranet komercialë të kohës.

As në gazetat e çverësuara e demode.

Vetëm në punë të vet, me shokët e tij dhe mes respektit të qytetarëve të kulturuar konispolitë.

Shënim:

Të dhënat për veprimtaritë artistike janë të subjektit të shkrimit

                                                                   Tiranë. 13 prill 2026

Comments


bottom of page