top of page

Portreti i një njeriu të nderuar

Nga Pajtim Çaushi

Esse përshkruese


Portreti i një njeriu të nderuar


Portreti shkrimor i një individi realizohet me dy forma paraqitëse. E para merr për bazë të dhënat nga familjarë e të afërm. E dyta nga njohjet e ndjesitë personate për të portretizuarin.

Për këtë shkrim është zgjedhur e dyta. Mendoj se kjo mënyrë paraqitje e portretit të çdo individi i shkon për shtat llojit shkrimor eseistik. Pra, esseja përshkruese në vijim paraqet detaje jetësore objektive të njohjes personale për të ndjerin Myfit Husi, njeriun aq të njohur e të respektuar në kohën e vet.

ree

a. Detaje jetësore


1. Pasaporta


Emri: Myfit

Mbiemri: Husi

Atësia: Ramadan

Mëmësia: Hava

Data e lindjes: 20 janar 1928 - Konispol

Data e vdekjes: 25 Shtator 2000 - Konispol

Martuar: Ervehe Sejko (Husi)

Fëmijët: Myfarete, Hasie, Aferdita, Suzana, Mimoza


2. Familja me emër të dëgjuar e Qesarajzës


Në lagjen si ishull të Qesarajzës Ramadani (Babushi) dhe Havaja lindën e rritën gjashtë fëmijë. Ishin katër djem e dy vajza: Skenderi, Fatriu, Myfiti, Enveri, Samo e Fatime.

Familje me emër të mirë për njerëzi dhe atdhetari. Babushi ishte pjesëmarrës në Luftën e Vlorës në vitin 1920 dhe komandant i batalionit territorial gjatë luftës për liri në vitet dyzetë të shekullit të kaluar.

Djemtë e rritur luftëtarë në formacionet partizane të kohës. Edhe Myfiti, ndonëse 16 vjeçar, u radhit mes partizanëve të Brigadës XIX - S.

Pa luftës Myfit Husi punoi në Tiranë. Kreu disa kurse e kualifikime pranë Shkollës së Bashkuar Ushtarake. Mbajti gradën nëntoger.

U martua me Ervehe Sejkon nga lagja Aliagat. Vajzë e hijshme me vlera të vyera njerëzore. Lindën e rritën pesë vajza. Të gjitha model i edukatës dhe sjelljes së bukur në familje e shoqëri.

U kthye në Konispol në vitin 1966. Në fillim u caktua zëvëndës e pastaj Kryetar i Kooperativës Bujqësore të Bashkuar të Konispolit që pëmblidhte shtatë fshatra. Qendra ishte qyeti i Konispolit.

U zgjodh tri herë deputet i Kuvendit Popullor të Shqipërisë.


3. Paraqitja fizike e dukja shpirtërore


Myfit Husi ka qënë njeri i shëndetshëm fizikisht e shpirtërisht.

Tip flegmatiku. Me ecje të njëtrajtshme. I qetë, i duruar, dëgjues i vëmendshëm.

Fjalët i shoqëronte me nënqeshje miqësore dhe ironike.

Kuptohet. sipas rastit dhe personit.

Njeri i fjalës së mbajtur. Hallet e nevojtarëve i zgjidhte në çast, pa i zvarritur.

Hokatar e ngacmues pa të keq me bashkëbiseduesit.

Njeri i këndshëm në komunikim...


b. Detaje të njohjeve e përjetimeve personale


1. Eshtë njeri i mirë Mufiti


Fillimi i vitit 1967. Në emër të parimit të qarkullimit disa muaj më përpara, kuadrove të punësuar në Tiranë u bënë thirrje të ktheheshin në vendlindje. Synimi: të nxitej zhvillimi propocional i gjithë vendit. U kthyen disa. U kthye edhe Myfiti. E caktuan zëvëndëkryetar. Njerëzit lloje lloje, shumica e mirëpriti, cave s'u pëlqeu.

- Pse hop e në karrike?... Të vijë në brigadë me të tjerët! - tha dikush tek kafeneja pranë Rrapit.

Im atë, Bajrami ishte njeri i drejtë dhe i mençur, ndërhyri me qetësi.

- Mos fol kështu, është njeri i mirë Mufiti... Edhe atje ku ka qënë ishte shumë i zoti.

Ai e njihte Mufitin e Babushit që nga fëmijëria. Edhe në luftë bashkë qenë në një brigadë partizane.


2. Ai s'të kërkoi gjë ty, lekët e tij do i japësh


Një lagjari ynë kishte shumë fëmijë. Do të thotë shumë gojë për të ushqyer. Nuk arrinte ta mbyllte muajin me lekët që merrte. Ishte fund shkurti. Bajamet e Konispolit kishin zbardhur si çarçaf i bardhë. Lagjari, kur u kthye nga puna nuk shkoi në shtëpi, por tek zyra e llogarive. Kërkoi lekë paradhënie për të mbyllur shkurtin.

- S'ka lekë, kur të vijë data, ia preu shkurt llogaritari i arkës duke i treguar derën.

- Kam fëmijët pa bukë të them o njeri, nuk i dua për të pirë raki! - iu lut kooperativisti.

- Të erdhi mirë kur i bëre?... Mbaji tani! - u tall llogaritari i arkës.

Lagjari shfrye e doli. Jo për të ikur, por për t'u ngjitur në katin e dytë. Trokiti tek zyra e Kryetarit.

- Eja mo cute, ç'ke që ke varur buzët? - e ngacmoi Myfiti duke i shtrënguar dorën.

Lagjari ia tha problemin si dhe talljen e llogaritarit për lindjen e shumë fëmijëve. Myfiti u ngrys, ia bëri "ashtu ë" dhe e mori nga krahu nevojtarin. Hynë tek zyra e llogarisë. Zyrtari e ndieu furtunën. I zverdhur u ngrit në këmbë. Kryetari e pyeti me shpoti:

- Ore qejfli, ty do të marrin dorën burrat kur bëjnë fëmijë me gratë e tyre?

- Më fal shoku kryetar, më shpëtoi nga goja! - u tremb tjetri.

- Të bëj të shpëtojë shurra, dëgjon apo jo?!... Ky të qan hallin, ti tall larën!... S'të kërkoi gjë nga xhepi, lekët e tij do i japësh...

Halli nevojtarit iu zgjidh në çast. Myfiti doli duke tundur kokën e shfryrë...


3. Jo, kështu s'bëhet!...

Nëna ime në ato vite ishte ende anëtare e Partisë së Punës. Qe koha kur të drejtat e studimit për të vijuar të lartën vendoseshin nga organizata e partisë. Muaji gusht. Nëna sapo ishte kthyer nga mbledhja. Dëgjova këtë bisedë mes saj dhe babait:

- Hë, u vendosën bursat e të drejtat e maturantëve?

- Shyqyr, më në fund u vendosën.

- Morën ndonjë nga fëmijët e Konispolit?

- Morën të gjithë që kishin notën që kërkohet.

- Ua, ku ngodhi ky ujk?... Ne i kemi nxjerrë sytë njeri tjetrit për fëmijët tanë!

- Ashtu filluan edhe këtë vit, po e di si ua mblodhi Mufiti?... Ja, dëgjo...

Ata të zakonshmit që dihen çdo djali a vajze i gjenin ndonjë cep në biografi dhe e digjnin. Ishin pesëmbëdhjetë konispolatë dhe vetëm për dy vendosën. Kryetari rrinte e i dëgjonte. Kur diskutimet u mbyllën dhe e ngritëm për të dalë, ai tha:

- Prisni, ore prisni, ku do vemi kështu?

Të gjithë u ulën me sytë nga ai.

- Ore njerëz, mirë turp s'keni, po as sedër e as dhembshuri s'keni?!... Si mund t'u vëmë kryq të gjithë djemve e vajzave konispolate, more shokë?... Pse kërkoni vrimën e mizës për çdo prind të tyre për të marrë në qafë fëmijët?... Nuk e shihni sa pak kuadro vendas kemi në shkollë, spital, ushtri e deri këtu tek zyrat tona?... Jo kështu s'bëhet, jo!

U shqyrtuan prapë të gjithë nga fillimi. Asnjeri nuk guxoi të bënte cicmice biografie. Të gjithë sa kishin notën e duhur mesatare, morën shkollë të lartë.

Eshtë fakt i pamohueshëm: gjatë kohës që në krye të punëve ishte Myfit Husi shumë djem e vajza të zonës së Konispolit morën shkollë të lartë. Sot e vazhdim janë kuadro shteti.

4. Shënimi me një M të thjeshtë


Kur mbarova të lartën, më caktuan përgjegjës shkolle në Vërvë. Fshat i mirë me njerëz bujarë. Oborri i shkollës ishte i rregullt për fushë basketbolli, por duheshin dy shtylla për koshat.

- Thuaj shokut Mufit se ty s'ta prish, më thanë.

- Po, i them, premtova.

Pas dy ditësh Myfiti erdhi në Vërvë. Sa më pikasi, më thirri:

- Eja na tako o drejtor se të erdhëm në fshat!

Shkova. Më kapi krahun dhe ecëm ca hapa vetëm.

- Ç'thonë këta dajkot (kështu u thoshte vërvjotëve), të pritën mirë?

- Po, po shoku Myfit, më pritën shumë mirë...

Pas ca hokave me humor, i thashë për dy shtyllat. Qeshi.

- Mori fund, u bë... Mos do katër?

Nxorri një bllok të vogël. Bëri shënimin përkatës dhe e firmosi vetë me një M.

U gëzova.

- Hë mo, ia more shtyllat për fushën e basketbollit? - më pyetën të rinjtë.

Kur pohova, ata shpërthyen në thirrma admirimi për Kryetarin.

Pikërisht me atë M të thjeshtë si firmë ai u kishte mbaruar kërkesat qindra e qindra nevojtarëve të zonës së Konispolit e më gjerë.


c - Njeriu në jetë

Myfit Husi
Myfit Husi

Si të gjitha gjallesat edhe ne të përkohshëm jemi. Ajo që na pret për akënd s'ka dallim Askush nuk mbahet me hatër. Vimë dhe ikim në një rrethqarkullim të pafund ciklik.

Segmentin e jetës e nisim me klithma dhe e sosim me lotë. Pjesa midis është jeta jonë. Atje i lemë shenjat e gjallesës me emrin tonë të përveçëm. Dhe veten s'e vlerëson dot vetja. Notën e vënë të tjerët nga shenjat që na mbeten pas.

Shenjat për Myfit Husin janë të shumta, të dukshme, të lakmuara, të hirshme...

Shenja me virtyte të bukura njerëzish të mirë...

Comments


bottom of page