Që nga koha e Noes / me Natasha Xhelili
- miremengjes.net

- Aug 23
- 3 min read
Natasha Xhelili
Jeta dhe formimi
Natasha Xhelili ka kryer studimet e larta në Universitetin “Eqerem Çabej” në Gjirokastër, në degën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Poezinë e saj të parë e shkroi në moshën 10-vjeçare, ndërsa ciklin e parë poetik e botoi në vitin 2000.Shkruan poezi, prozë dhe shkrime kritike mbi fenomenet letrare dhe zhvillimet e kohës, të publikuara në shtypin letrar periodik dhe në mediat online.
Ajo bashkëpunon gjithashtu me revistën për fëmijë “Ylberi plus” në Maqedoni.
Ka botuar poezi në disa gjuhë të huaja si anglisht, italisht, frëngjisht dhe maqedonisht.

Është përfshirë në disa antologji poetike dhe ka marrë pjesë në aktivitete letrare brenda dhe jashtë vendit. Për disa vite ka qenë nënkryetare e Klubit të Krijuesve Jonian në Sarandë.
Çmime dhe arritje
Fituesja e Çmimit të Parë për tregim të shkurtër në Tetovë, Maqedoni.
Fituesja e Çmimit të Parë për tregim të shkurtër në konkursin anonim në Gjilan, Kosovë.
Fituesja e Çmimit të Tretë për poezi në Festivalin e Poeteshave në Shkodër.
Botimet
2013 – Vëllimi poetik “Mali sheh një ëndërr”
2014 – Vëllimi me tregime “Perdja e mbrëmjes”
2016 – Vëllimi poetik “Lotët e zjarrit”
2019 – Vëllimi me tregime për fëmijë “Ninullat e Hënës”
2020 – Libri me recensione letrare “Gjurmët e fjalës”
Poezi nga Natasha
QË NGA KOHË E NOES
Që nga kohë e Noes
Kam shpirtin e lejlekut
Fluturoj e kthehem
Në folezën tënde.
Çdo pranverë ndërtoj
Shtëpinë te një plep
Me baltë e me kashtra
Me zemër në sqep.
Në vjeshtë shtegëtoj
Në vise të largëta
Atëherë kur më doje
Atëherë kur të doja.
Dimëroj në plagët
Që hapëm me fjalë
Strukem në kujtimet
E zemrës së vrarë.
Që nga kohë e Noes
Kam shpirtin e një mjellme
Nëse ti nuk je
Tretem mbi liqen.

KTHIMI
U ktheva
Rrugët vrapojnë si atëherë
Përtej xhamave të autobusit
Një dritë vijëbardhë çan qiellin si shigjetë.
Atdheu parakalon me të gjitha ngjyrat.
Deti pret përflakjen e perëndimit
Fusha pret t’i rritet gruri që t’i zgjoj mëmësinë
Ti më pret të vij në takim
Edhe pse e di se nuk do ta bëj atë ndalesë
Poezia pret t’i shkruaj vargjet
Si zogjtë e vegjël në folenë e trumcakut
Presin të çukasin sqepin e nënës
Anija ime e ankoruar pret prej kohësh
lundrimin drejt ishullit të panjohur
Mbrëmja pret t’i fshij lotin e trishtë
për ditën që po ikën.
Pritjet i gjunjëzohen shpresës
Ç plagë të shëroj më pare?!

QELIA
Unë e di që s’të pëlqen qelia
Ku ndrydhesh egër, prangat dot s’i heq,
Lufton me veten, të mungon liria,
Kërkon horizontin që diellin ndjek.
Të kam parë si thinjesh në vetmi,
Si flatrat t’i bren ashpër mërzia,
Botës i mbyll portat, si konti Ugolin
Sulesh i pashpresë drejt duarve të tua.
Aty në qoshe s’mund të rrish i heshtur
Të gjunjëzohesh, të presësh nga lart,
Dritës ëndrrat s’mund t’ia mbash fshehur,
Se uragani në brigje furinë përplas.

VIJ NGA ERRËSIRA
Unë vij nga errësira
Ç’ëndrra mund të të tregoj?
Ç’dilema mund të të zgjidh?
Këtu hiri mbulon malet dhe lumenjtë,
as agim i purpurt, as perëndim i zjarrtë nuk ekziston.
Stinët fluturojnë si hijet nëpër sirtarët e shikimit,
kopshti im nuk çel,
drita nuk më zgjon,
fqinjët lozonjarë nuk më prekin shpirtin.
Frika valëvitet si një flamur i padukshëm,
nuk di ta lexoj, nuk di ta ndjej.
Por ti je drita që shpërndan hije,
një urë mbi greminat e brendshme,
një zjarr që rrëzon muret e natës.
Në duart e tua njoh botën,
në zërin tënd lexoj ankthin, gëzimin, dëshirën.
Ti je agimi që nuk pyet për errësirën,
nata bëhet prehje, humbja bëhet rrugë.
Edhe kur gjithçka duket e shuar,
do të ndjek dritën tënde,
si hënën që nuk e fik asnjë re,
si një yll që shpërndan errësirën në dritë.




Comments