top of page

Refleksione nga dera e Parlamentit

  • Sep 12, 2025
  • 2 min read

Nga Sildi Koqini

Aktiviste e Çamiko Roots


Sot, me një pjesë të grupit tonë Çamiko Roots, në ditën e çeljes së legjislaturës së re të parlamentit, iu afruam deputetëve me nga një letër A4 në dorë.

Për t’i bërë më të dallueshëm mes turmës, veshëm bluza me një hartë të madhe të Çamërisë. Në këtë mënyrë, edhe ata që mund të habiteshin nga pranimi i letrave, të kuptonin menjëherë se kush ishim dhe për çfarë qëndronim aty. Theksoj se nuk arritëm të takonim të gjithë 140 deputetët, sepse kishte dy hyrje dhe ne u stacionuam vetëm në njërën prej tyre.

Reagimet ishin të ndryshme: disa e morën letrën, disa na refuzuan me mirësjellje, e të tjerë bënë sikur nuk na panë. Katër të rinj me 140 letra në duar u drejtuam deputetëve të Republikës së Shqipërisë me një kërkesë të vetme: të përfshihet Çamëria në agjendën e punës së parlamentit shqiptar.

Çështja Çame nuk është vetëm çështje e çamëve, megjithëse detyrimi moral më i madh u takon atyre që kanë marrë vota me kartën e Çamërisë. Kjo është një çështje kombëtare, e të gjithë shqiptarëve. Ndaj mbetet përgjegjësi dhe detyrim i çdo deputeti, që nga ai që përfaqëson Konispolin, deri tek ai që ka marrë votën e një vajze të re në Vermosh.

Është e pajustifikueshme që parlamenti shqiptar nuk e ka trajtuar kurrë me seriozitetin e duhur këtë çështje. Në 34 vite demokraci është zhvilluar vetëm një interpelancë për Çamërinë. Po aq e pajustifikueshme është heshtja e shtetit shqiptar në tryezat dypalëshe me Greqinë, ku Çamëria nuk është përmendur asnjëherë si pjesë e bisedimeve.

Detyra jonë sot ishte thjesht t’ua kujtonim të gjithëve:

"Vendi i Çamërisë është në Parlament."

Comments


bottom of page