top of page

Rreth ekspozitës së 12-të "VERË", të piktores Shpresa Milaqi Bajko


Nga Arjola KONDAKÇIU


Ngjyra e kaltër e detit dhe qiellit në fundin e kësaj vere në Durrës, u harmonizuan në një simfoni mbreslënëse me tingujt e ngjyrave dhe larmishmërinë e tematikave të ekspozitës “VERË”, të piktores Shpresa Milaqi Bajko.

ree

Piktorja ka një histori që vetë ngjan si një tablo, sepse pas një pauze prej dy dekadash, ajo u rikthye në botën e artit me një vrull të freskët, duke e bërë këtë 12-vjeçar të fundit një udhëtim të pasionuar nëpër ngjyra e forma. Njihet në qytetin e Durrësit dhe jo vetëm, për për hapjen me ekspozita personale, pjesëmarrjen në ekspozita të përbashkëta në qytete të ndryshme të Shqipërisë, e madje frymën e saj krijuese e ka çuar me dinjitet deri në Festivalin Ndërkombëtar të Akuarelit “Fabriano” (2017), në Itali.


Shpresa është një grua e fortë, si një det që fsheh thellësi e stuhi, por gjithmonë nxjerr në sipërfaqe dritën e kaltër të qetësisë.

E palodhur në angazhimet e saj si grua dhe si nënë, dhe e vetëdijshme për faktin që vetëm me artin s'mund të jetonte e as të mbijetonte në Shqipëri, ajo mbështeti familjen ekonomikisht duke hapur mes vështirësish një biznes të vetin, i cili kërkonte përkushtim në kohë dhe energji. Por pikërisht në atë ambjent të vogël, paralelisht nuk e ndau kurrë dashurinë për pikturën, duke organizuar edhe kurse me fëmijë, por edhe duke pikturuar në atë pak kohë që i mbetej, qoftë kjo edhe një kohë mbingarkese problematikash , që i shndërronte në art me buzëqeshjen dhe durimin e saj.


E s'kishte si të ndodhte ndryshe kur frymëzimi nuk njeh pauzë, dhe që së fundmi ajo u prezantua me ekspozitën e 12-të personale të hapur në Galerinë e Artit Pamor "Nikolet Vasia" Durrës, ku paraqiti 99 punime të reja, duke lëvruar e sigurtë me teknikat në vaj, akrilik dhe grafika.

Një përzgjedhje interesante e numrit të shenjtë mistik 12 të ekspozitave, me 99 të punimeve, saqë në imagjinatë të nxit kureshtjen e një synimi përllogaritës drejt një suksesi të padiskutuar dhe në rritje, përsa i përket nivelit.


Nisur nga një retrospektive me mprehtësinë e titujve të ekspozitave të saj ndër vite, si: “Aromë Deti”, “Melodia e Jetës”, “Rrugëtim”, “Copëza Jete”, “Qetësi”, e deri te së fundmi "Verë”, fjalët e përzgjedhura me kujdes janë si çelësa që hapin portën e ndjesive për çdo artdashës.

Prandaj, edhe kësaj here, në ekspozitën “VERË”, nuk mund të mjaftohesh vetëm me një shikim të shpejtë. Tablotë kërkojnë ta përqendrosh vështrimin e të shohësh thellë brenda kualicionit të ngjyrave të forta, të fluturosh me fantazi nëpërmjet rrotullimeve marramendëse të balerinave, të ndjesh aromën e peisazheve që marrin frymë, të dëgjosh fjalët e porteteve që flasin në heshjen e fokusuar te sekreti i linjave, të provosh nga afër shijen e mirë që të lënë skicat e grafikave, të ngopesh me bukurinë e luleve të shumëllojshme, të emocionohesh nga turfullimi i kuajve që duket sikur nuk e ndalin vrapimin as në pikturë, të joshesh nga nudoja e paraqitur plot elegancë e femrës, të relaksohesh nga natyrat e qeta, si edhe të përjetosh pak empati për episode historike të dhimbshme nga eksodi i njerëzve nëpër ikjet me anije.


Piktorja ecën me hapin e kohës, por pa humbur qetësinë e shpirtit. Krijimet e saj janë gjithmonë të kuptueshme për këdo që ndalet t’i sodisë. Ajo zgjedh të mos humbasë në labirinthet e modernizimit të sforcuar, por t’i qëndrojë besnike natyrës së saj , pra të prekë ngjyrat e zemrës së tjetrit, sepse pikturat janë për t’u shijuar, por edhe për t’u shitur. Arti është dashuri, por edhe punë, prandaj dhe çdo blerje është një vlerësim i sinqertë. Jo më kot ekspozitat e piktores kanë gjetur aq shumë shpirtra që janë pasqyruar në qartësinë e imazheve të tablove, dhe që me dëshirë i kanë bërë pjesë të shtëpive të tyre.

ree

Tamam, aty ku lind forca e artit të Shpresës, kësaj piktoreje me një emër kaq domethënës, po aty merr hov edhe nervi artistik, që kësaj radhe ka kapërcyer edhe detin e Adriatikut me penelatë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme që thërrasin dhe njëkohësisht të nxisin.

Besoj që përtej kritikave të njohësve të artit, sidoqofshin ato në thelb, nxitja e një thirrje të brendshme pozitive vlen edhe për piktoren, që ajo 1 pikturë e munguar duke mos e plotësuar qëllimisht numrin 100 të tablove në ekspozitë, të jetë një enigmë për vizionin e artdashësve dhe motivim për një ekspozitë të ardhshme.

Comments


bottom of page