Si lisi me ferrën e ka pësuar kombi ynë Pellazgo-Ilir në Ballkan
- miremengjes.net

- Aug 29
- 2 min read
nga Hekuran Halili
Lisi dhe ferra
(Fabul)
Në një pallë të bukur të malit të Milesë, kish mbirë dhe ishte rritur një lis. Lis e shkuar lisit. I lartë sa degët i preknin retë, kurorëmadh sa dyzet lisa të tjerë të marrë së bashku. Trungun e kishte aq të trashë, sa pesë burra të bëshëm, lidhur dorë për dorë, nuk e qafonin dot.
Lisi kishte përballuar furtuna të fuqishme, erëra, shira të rrëmbyeshëm, thatësira të pashoqe për dhjetëra e qindra vite. Përkundrazi, ato e kishin kalitur dhe forcuar edhe më tepër, sepse rrënjët i kishte thellë në tokë, të përhapura në gjithë hapësirën e kurorës së tij madhështore, nën hijen e së cilës, në verë, pushonin njëmijë krerë dhën e dhi.
Një ditë vjeshte me shi dhe erë, afër trungut të lisit, era solli një lastar ferre. Lastarit i pëlqeu vendi, toka e begatë, pamja ku dukej si në pëllëmbë të dorës fusha e pafund e Vrinës, deri në det. Por më shumë i pëlqeu lisi. Si ai nuk kishte parë kurrë.
— Lis, o lis, – i tha lastari. – Të strehohem këtu, nën hijen e mbrojtjen tënde? Shih sa e vogël jam, as një pëllëmbë. Do të të dua, të respektoj, do të jem mirënjohëse për tërë jetën.
Lisi, aq bujar sa edhe madhështor, e pranoi lutjen e ferrës. Ajo gjeti një gropë të vogël dhe u fut.

Përqafimi që u bë mallkim
Kaloi dimri me shtrëngata e tufane, por lastari i mbrojtur nga trungu i lisit nuk pësoi gjë. Erdhi pranvera. Lisi shpërtheu në gjelbërim, por edhe ferra u rrit dhe hodhi shtat.
— Lis, o lis, – i tha përsëri. – Të mbështetem në trungun tënd, se ne ferrat nuk qëndrojmë dot pa u mbajtur diku.
Lisi, plot dashamirësi, e lejoi. Brenda vitit të parë, ferra shtriu rrënjët thellë e gjerë, qerthulloi trungun dhe qëndroi aty. Vitin tjetër u ngjit më lart dhe arriti degët. U përhap me shpejtësi, duke u kuturisur në çdo degë.
Nga larg nuk dallohej më, ishte lis apo ferrë. Ferra po ia merrte frymën, ajrin, diellin, ushqimin. Lisi filloi të thahej nga maja tek trungu. Ishte penduar, por tani ishte vonë.
Dhjetë vjet zgjati kjo betejë. Lisi u përpoq të çlironte trupin, por nuk ia doli. Në fund, ferra e shtrëngoi aq shumë, sa edhe trungu iu tha. Miliona insekte u derdhën mbi të.
Ferra qeshte dhe tallej me lisin, që e kishte lejuar të afrohej.
Fundi i lisit dhe mësimi për jetën
Kur lisi u dobësua plotësisht, degët e thara filluan të këputeshin. Ferra, e varur pas tyre, ra bashkë me trungun madhështor. Furtuna e madhe e dimrit i shembi të dy.
Pesha e degëve dhe rrëketë e shiut e shuan ferrën, e shkulën nga toka dhe e çuan në përrua. Përroi ia zhduku edhe namin.
Por në pranverën tjetër, nga rrënjët e pashuara të lisit, mbiu një lastar i hollë e i drejtë, që i ngjante shumë atij madhështorit...





Comments