top of page

TRAGJEDIA QË NUK HARROHET: SI KONISPOLI STREHOI ÇAMËT PAS DËBIMIT ME DHUNË

  • Apr 12
  • 3 min read

Nga Fatmir Muçaj*


Një konflikt i fabrikuar dhe dhuna ndaj popullsisë çame


Një konflikt i zakonshëm apo banal u shfrytëzua nga xhandarmëria dhe Qeveria greke dhe u amplifikua prej tyre në tërë trevën e Çamërisë si konflikt midis çamërve myslimanë e çamërve ortodoks dhe popullatave greke që kufizojnë me ta. Ky ishte një konflikt i paqenë asnjëherë, as i popullsisë çame si ajo muhamedane edhe asaj ortodokse (midis tyre kishin miqësira të hershme dhe bashkëpunime e bashkëadministrime të pasurive e trojeve, por edhe me popullsinë greke me të cilën kufizonin kishin marrëdhënie të mira fqinjësie), asnjëherë nuk kishin pasur konflikte e ngatërresa mes tyre.

Si rezultat i veprimeve dhe ndërhyrjes së xhandarmërisë me kreun e saj Napolon Zerva, konflikti u thellua dhe u ashpërsua edhe më shumë. Zerva me xhandarët e tij ushtroi dhunë në çdo familje çame, ushtroi presion ndaj burrave dhe grave, nuk kurseu as fëmijët.


Ky presion dhe kjo dhunë erdhi duke u shtuar nga viti 1944–1945, duke detyruar dhunshëm familje të tëra çame të linin shtëpitë, pronat, mallin e gjënë në vlera të pallogaritshme financiare e materiale dhe të merrnin rrugën si refugjatë për në krahinat dhe qytetet brenda shtetit shqiptar.

Shumë të moshuar nga 75 deri në 85 vjeç, aty

nga viti 1974–75, por edhe më herët, në vazhdimësi rrëfejnë me llahtari e zemërim reprezaljet, genocidin e pashoq të Zervës gjakatar e të pashpirt, si dhe të ekipeve të tij, astronomëve e xhandarmërisë, të cilët vranë burra, dhunuan gra, nuse e vajza të reja, deri edhe fëmijët. Tregonin si pushkatonin pa asnjë shkak burrin, nënën, dhunonin e turpëronin gratë e nuset, “u hidhnin macet në tumane, dhe vrisnin fëmijët, i hidhnin në zjarr, në furrë jahot brenda në flakët e shtëpisë…”, tregon Hazis Mullaj nga Vërva, i cili më 1974 ishte 85 vjeç.


Rrugëtimi i dhimbshëm dhe vendosja në Konispol

Shumë familje çame fillimisht u ngulën në fshatrat e Konispol, për pak kohë, pasi mendonin se gjendja do të normalizohej dhe do të ktheheshin përsëri në vatrat e tyre. Një tjetër arsye ishte propaganda demagogjike e zervistëve dhe e Qeverisë greke në atë kohë, e cila i mashtroi duke u bërë thirrje të ktheheshin, por që me pabesi i masakroi rreth 280 burra, gra dhe fëmijë në Filat.

Mjaft familje që në krye të herës vazhduan më tej në qytete dhe fshatra më në thellësi si Sarandë, Delvinë, Vlorë, Fier, Durrës, Kavajë, Rrogozhinë, Elbasan, Cërrik, Tiranë etj.

Nga mjaft familje që u strehuan në Konispol dhe në fshatrat përreth, më pas u larguan disa dhe u bashkuan me të afërm të tyre nëpër qendra të banuara në thellësi të vendit. Mund të themi se kaluan në Konispol, në Qafë Botë apo nëpërmjet Qafës së Likojanit në Vasilikua e në Kllogjer, ku ndaluan e pushuan për pak ditë, pasi atje kishte ujë, por që uji u kthye në varr për dhjetëra e dhjetëra fëmijë të vegjël.

Këto familje u zhvendosën në Ksamil, vend pa ujë, thatësirë, pyll, shpezë, derra të egër e gjarpërinj, e më tej në Sarandë, Vlorë e gjetkë.


Integrimi dhe bashkëjetesa me banorët vendas

Në Konispol qëndruan dhjetëra familje, numërohen rreth 20–25 familje trung, pasi më pas me zhvillimet demografike u dy e trefishuan. Kështu kemi fise të mëdha si Bejkot, Hoxhanjt, Zejnelajt etj. Në Vërvë qëndruan pak familje si Caparajt. Në Shalës qëndruan fillimisht shumë familje, rreth 12–13 familje trung, që më vonë u zhvendosën dhe sot janë dy e trefishuar.

Tregonte Refije Muçaj, e cila më 1974 ishte 71 vjeç:

“në fillim erdh nek ne familja e Shaban Hoxhës me pak plashk’ edhe ca dhën që mundën t’i mirrën atejza. U lamë këtë manxaton (dhomë e poshtme me dhe). Këtu flin’ të gjithë. Bashkë hajm’ e pijm’… Po z’dëjn shumë e ingërr në Konispol. Atje kishn lakan’ e turej.”

Edhe në Markat erdhën disa familje si Bejkot që janë edhe sot. Rrëfen Mine Munga nga Markati, 86 vjeç më 1974:

“u kam bën në Filat di vjet, me pas erdha kutu… I mjeri u me nanuce – thosh, do vdes në Markat.”

Projektime Arkitektonike dhe Inxhinierike
Buy Now

Në Ninat po ashtu familja e Harun Mecos (Dine), ndërsa në Janjar qëndruan familje si Sulejmanejt dhe Halimi. Në Çiflik qëndruan familjet Gjinika, Rexhepi, Meto Kaso, Selaman Kaso, Qamil Isufi etj.

Këto familje u integruan mjaft mirë, bashkëpunuan dhe bashkëjetuan me vëllezërit e tyre konispolatë, shalësjotë, vërvjotë, markaqotë, ninaqotë, janjarjotë. Punonin në sektorë të ndryshëm si bujqësi, blegtori, pemëtari, perimtari etj. Një pjesë e tyre mbarështruan dhentë dhe dhitë, ashtu si në fshatrat nga kishin ardhur.

Fëmijët e tyre vazhduan shkollimin, u arsimuan dhe u përgatitën si kuadro të aftë, duke ushtruar profesione të ndryshme si agronomë, ekonomistë, mësues, oficerë, mjekë apo infermierë. Ata shërbyen krah për krah me banorët vendas dhe shumë shpejt u njësuan me ta.


*Fatmir Muçaj

Anëtar i Kryesisë së Shoqatës Atdhetare Çamëria

Dega Vlorë

Comments


bottom of page