top of page

"TË JESH LYPËS ME KLAS NË SHQIPËRI"


Nga Arjola KONDAKÇIU


Këtë tipin e shihja gati çdo mëngjes herët nga xhami i autobusit afër stacionit në Durrës, kur shkoja për në punë.

Mendoja që ishte motorist i huaj, se binte në sy nga qëndrimi dhe veshja e veçantë.

Nuk rrinte në një vend, por vetëm ecte kuturru me shikimin e ngulitur drejt si shqiponjë, saqë më sillte ndërmend Çak Norris me ata filmat e dikurshëm aksion, ndërsa rrobet e tij kishin stil të veçantë, dhe nuk kuptoheshin shumë nga larg.

ree

Por diçka më ra në sy, sepse pavarësisht kushteve të motit, në ftohtë, shi e diell, çdo ditë ai kishte të njëjtën veshje, dhe çuditërisht nuk vinte erë të keqe ndërsa ecte mes njerëzve.

U bëra pak kurioze, sepse gati-gati dukej sikur vinte nga një tjetër planet, dhe me një mision të caktuar, që e ruante me kujdes në atë shikimin e thellë të syve blu, ndërthurur me cepin e një buzëqeshjeje të lehtë, që nuk i shqitej nga buza.

S'arrinte dot kush të fliste me të, përveç një përshëndetjeje me anë të përkuljes me respekt të kokës e çiltërsisë, sepse ikte shpejt si erë.

Por ishte ndryshe nga njerëzit e tjerë që shihja nëpër rrugë, të cilëve u kishte rënë hija e dëshpërimit që në mëngjes herët.

Rastësia bëri që një ditë super të ftohtë, të prisja më gjatë te stacioni i autobusit, pasi po vonohej, dhe...papritur erdhi njeriu 'enigmatik', të cilin për herë të parë e pashë nga aq afër.

Rrobet që unë kujtoja se i kishte firmato, ishin të sajuara me copa leckash ngjyra-ngjyra të lidhura e etiketa të qëndisura firmash, sipër materialit bazë, xhinsit. Çfarë fantazie! Interesante, dhe si një modë më vete.

Bleu një paketë me cigare te kioska ngjitur, dhe e përshëndeti shumë denjësisht shitësin. Pastaj ndaloi një moment , dhe e hapi me kujdes e filloi ta pinte cigaren me klas, aq sa m'u duk si një personazh i spikatur për film.

Sapo u ngrita që ta pyesja për pak më shumë, ngaqë s'më linte rehat ajo intuita gazetareske, ai i shpëtoi vjedhurazi shikimit, dhe bëri një rrotullim me stil, që qëllimisht të mos përçonte asnjë informacion.

Menjëherë e pyeta shitësin nëse "personazhi enigmatik ishte ndonjë i huaj, dhe a e njihte meqënëse bleu aty", por nga përgjigjja u befasova: "Ishte thjesht lypës".

Një lypës?! Uau! Reagimit tim iu përmblodhën të gjitha mendimet dhe idetë për të ndërsa e shihja që largohej, ashtu me klas, me qëndrimin triumfues që gjithkush do ta kishte zili, me stilin e veçantë të veshjes që nga halli e kishte kthyer në vepër artistike, pa atë frymën e ankesës që s'kishte asgjë materiale, sepse tymi i asaj cigareje që qëndronte akoma e ndezur nën piklat e shiut, përhapte grimca lumturie te ai.

ree

Ky moment i ngulitur në memorien time si një mësim jete, ma dobësoi vigjilencën e pozitivitetit, ndërsa më mbytën "sikur-et" e të menduarit se "Ç'të ardhme të ndritur do kishte patur ky njeri, nëse do kishte lindur në Amerikë e do ishte një zbulim hollivudian, a në Paris, si një stilist i shkëlqyer...!"

Ndoshta mund të mos kshte arritur asnjë nga këto, por klasi dhe kultura do e bënin njeri më të respektuar, sepse për arsye të rrethanave të jetës së tij që kishte përfunduar në atë mënyrë, stili dhe klasi që e shoqëronin ngado, nuk i vlenin në shoqërinë tonë, ku njerëz të tillë i etiketojnë me përbuzje si: "lypësa".


Comments


bottom of page