Urim Çazja, njeriu i mirë që do mbetet përjetësisht në kujtimet tona
- miremengjes.net

- Aug 13
- 3 min read
Nga Bardhyl Bejko
Fëmijëria dhe kujtimet e para
Kur ishim ende fëmijë, merrnim rrugën nga Kroi i Agajt drejt shtëpisë së madhe të Çazajve. Atje na priste Bibja, nëna e tre djemve dhe vajzave të familjes Çaze. Dy prej djemve, më vonë, Dashua dhe Agimi – binjakët e famshëm – do të bëheshin muzikantë të talentuar, ndërsa Urimi, më i vogli, gjatë gjimnazit do të shquhej si akrobat dhe gjimnast i spikatur.
Edhe pse ndër djemtë më të zgjuar dhe më të shkathët, për arsye të kohës, asnjëri prej tyre nuk pati mundësinë të vazhdonte studimet e larta. Ne ishim të përhershëm rreth pusit të thellë të Çazajve, afër arave të Bellajve. Aty gjenim gjithmonë shoqëri të këndshme dhe porta e shtëpisë ishte e hapur.

Bibja, me buzën në gaz, ndizte entuziazmin dhe gjallëronte atmosferën, duke e kthyer çdo çast në gëzim. Familje që nuk ia lexoje kurrë hallet apo shqetësimet. Ndoshta ishte ajo që i frymëzoi djemtë binjakë të bëheshin muzikantë – të shoqërueshëm, të dashur dhe të respektuar nga të gjithë. Në këtë mjedis u rrit e u formua edhe Urimi, më i vogli i familjes.
Rreth shtëpisë dhe bujaria
Rreth shtëpisë së Çazajve kishte çdo lloj peme: bishtla, fiq, bajame, mana, arra… Ne fëmijët vizitonim çdo pemë, jo vetëm për kokrrat, por edhe për fletët. Asnjëherë nuk na thanë “mjaft”, përkundrazi na nxisnin t’i provonim të gjitha.
Shkëlqimi në gjimnaz
Në gjimnaz, Urim Çazja u dallua mes të gjithëve për energjinë dhe aftësitë e tij fizike. Ai shkëlqente në paralele, ngjitje litari, vrapime e çdo disiplinë tjetër. Përfaqësoi shkollën e qytetit në spartakiada dhe gara kombëtare, duke u renditur gjithnjë i pari. Ishte gjimnazisti model, shoku i papërtuar dhe miku i të gjithëve.
Shumë shpejt emri i tij u shkrua në piedestalin e arritjeve të gjimnastikës dhe sportit.
Rruga e punës dhe kontributi
Pas përfundimit të gjimnazit, Urimi nisi punë në ndërtimtari, ku shpejt u shqua si specialist. Ai bënte edhe punën e inxhinierit, pasi kishte një formim të fortë teknik. Nuk ka shtëpi të re ndërtuar në këto tridhjetë vite ku të mos ketë dorën e Urimit. Ai gdhendte gurin, modelonte çatitë, suvate, shkallët…
I palodhur dhe pa fjalë të tepërta, Urimi dinte të bënte vetëm punë të mira e të bukura.
Njeriu dhe miku
Jam bashkëkohës me Urimin. Jemi rritur së bashku, kemi kaluar të njëjtat privacione të jetës, ndonëse ai edhe më shumë. Ishte i lexuar, i kulturuar dhe i emancipuar. Jetoi me ndershmëri, duke shkruar emrin në librin e njerëzve më të përkushtuar në familje dhe në çdo cep të Konispolit.
Urimi ishte bashkëshort i rregullt dhe baba shembullor. Ai dhe bashkëshortja e tij rritën e edukuan katër vajza të shkolluara dhe me dashuri për jetën e punën.
Lajmi i hidhur
Të mërkurën, më 13 gusht, mësuam lajmin e hidhur: papritur, si rrufe në qiell të kthjellët, Urim Çazja humbi jetën në një aksident. Një ikje e befasishme, në një kohë kur kishte nisur jetën larg punëve të rënda.
Si ndodhi kështu që atleti dhe gjimnasti i talentuar nuk ia doli të shmangte aksidentin? Si iku kështu miku, bashkëshorti, babai, vëllai dhe shoku i të gjithëve?
Përjetësia e kujtimit
Dhimbja është e madhe, zemra e plagosur thellë. Çdo fjalë duket e pamjaftueshme për të përshkruar Urimin tonë të mirë. Ne që u rritëm me të, kemi një bindje të fortë: sa jetë të ketë mbi dhe, Urim Çazja do të mbetet i gjallë në kujtimet tona.
Të bindur se ai është ngjitur në parajsë – aty ku njerëzit e mirë si Urimi kanë vendin e tyre përjetësisht.
/copyright miremengjes.net




Comments