Vesel Cene, koleksionisti i zgjuar nga Konispoli
- miremengjes.net
- Sep 3
- 2 min read
Nga Tanush Çaushi
Në çdo cep të Konispolit gjen njerëz me pasione të veçanta, por historia e Vesel Cene është një nga ato që frymëzojnë.
Ai është sot në Greqi, por zemra e tij rreh fort për Çamërinë. Veseli nuk është thjesht një koleksionist, por ai është një ruajtës i tingujve të fëmijërisë, i kujtesës dhe i shpirtit çam.

Që i vogël u rrit mes deleve, duke dëgjuar këmborët dhe zilet. Ato tinguj e magjepsnin, e lidhnin me natyrën, me tokën, me jetën e thjeshtë të fshatit. Me kalimin e viteve, çdo këmbore dhe çdo zile u kthye në një pasion të madh. Ai thotë:
“Kur shihja një këmbor apo një zile që më pëlqente, nuk më zinte gjumi pa e marrë. I ruaja me merak, i vendosja pranë krevatit, i shikoja pas pune dhe ndihesha sikur kisha një pasuri në duar.”
Kështu Veseli krijoi një koleksion unik, një thesar që tregon jo vetëm historinë e një njeriu, por të gjithë një treve. Çdo këmbore ka zërin e saj, çdo zile ka kujtimet e veta.
Por historia e tij nuk mbaron këtu. Në Greqi, fati e lidhi me një zonjë të ditur, ish-prokurore, e cila e ka ndihmuar të mësojë e të shohë jetën ndryshe. Ajo i thotë shpesh:
“Po të kishe pasur shkollë, do ishe një kokë e madhe, se ke edukatë dhe dituri të madhe.”

Me thjeshtësinë e tij, Vesel Cene mbetet një njeri krenar, që nuk harron asnjëherë të theksojë:
“Jam bir i Çamërisë, jam krenar që jam Çam, dhe e di vlerën e rrënjëve të mia.”
Ai koleksionon dhe ruan kambana e zile të vjetra me pasion e kujdes.
Ka investuar mund, djersë dhe dashuri për këtë pasuri shpirtërore.
Është shembull i thjeshtësisë, mirësisë dhe krenarisë çame.
Tregon se identiteti nuk humbet kurrë, edhe kur je larg vendlindjes.
Comments